Shoqata “Lesja Ukrainka” shënoi tre vjetorin e pushtimit rus të Ukrainës me marsh në qendër të Shkupit
Me rastin e trevjetorit të pushtimit rus të Ukrainës, Shoqata e ukrainasve në Maqedoni “Lesja Ukrainka” dje ka mbajtur tubim dhe marsh në qendër të Shkupit. Në fjalimin me atë rast, nënkryetarja e Shoqatës Tamila Velkovska theksoi se dita kur Federata Ruse pushtoi vendin e tyre, është dita më e tmerrshme në historinë moderne të […]


Me rastin e trevjetorit të pushtimit rus të Ukrainës, Shoqata e ukrainasve në Maqedoni “Lesja Ukrainka” dje ka mbajtur tubim dhe marsh në qendër të Shkupit. Në fjalimin me atë rast, nënkryetarja e Shoqatës Tamila Velkovska theksoi se dita kur Federata Ruse pushtoi vendin e tyre, është dita më e tmerrshme në historinë moderne të Ukrainës dhe një ditë që tërësisht ndryshoi jetën e miliona njerëzve përgjithmonë, transmeton Portalb.mk.
“Më 24 shkurt, bëhen 3 vjet që – Tre vjet nga ai mëngjes i tmerrshëm kur u zgjuam me fjalën “luftë!”. Gjatë gjithë këtyre tre viteve, çdo raketë, çdo bombë apo granatë e gjuajtur në vendin tonë lëndon secilin prej nesh, gjatë gjithë këtyre tre viteve ne kemi mbajtur zi për civilët e vdekur, si dhe për mbrojtësit tanë heroikë, gjatë gjithë këtyre tre viteve na ka dhembur çdo ëndërr e humbur, kushdo që është i detyruar të largohet nga shtëpia e tij për të shpëtuar veten dhe fëmijët e tij nga përbindëshi i tmerrshëm dhe i pamëshirshëm rus. Gjatë këtyre tre viteve, mijëra e mijëra shtëpi u shkatërruan, mijëra jetë u humbën dhe fatet e miliona ukrainasve u shkatërruan. Asnjë fjalë nuk mund të përcjellë atë që ndjejnë sot ukrainasit: gjithë dhimbjen, zemërimin, ndonjëherë dëshpërimin, por edhe shpresën, mirënjohjen për mbrojtësit tanë dhe urrejtjen për armikun e mallkuar”, tha Velkovska.
Ajo kujtoi se miliona ukrainas janë të detyruar të enden nëpër botë në kërkim të mbrojtjes, dhe në të njëjtën kohë ajo përsëriti mirënjohjen e saj për Maqedoninë, e cila u dha strehim ukrainasve, u dha mundësi për të jetuar dhe punuar këtu, si dhe për të gjithë ndihmën në sferën politike dhe ushtarake.
“Maqedonia edhe një herë konfirmoi se është një vend i vogël me zemër të madhe”, tha Velkovska dhe tha se në prag të trevjetorit të fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, nuk e humbin shpresën për më të mirën për vendin e tyre dhe se askush nuk do t’i detyrojë të dorëzohen.
Lufta trevjeçare shkaktoi vdekjen e dhjetëra mijëra ushtarëve dhe civilëve dhe shkatërroi zona të tëra të Ukrainës.
Sipas shifrave të cituara nga Zelensky, së paku 46.000 ushtarë ukrainas janë vrarë dhe rreth 380.000 janë plagosur.
Ndërkaq, viktimat ruse – përfshirë të vrarët dhe të plagosurit – i kalojnë 700.000, sipas vlerësimeve të Perëndimit në muajin dhjetor.