Të shtunën përsëri marsh protestues në Shkup: “Institucionet nuk i përfillën kërkesat tona për ajër të pastër”
Nisma qytetare “Qyteti i Gjelbër Human” dhe Shans për Qendrën kanë paralajmëruar marsh tjetër protestues për ajër të pastër të shtunën (28 dhjetor). Protesta do të nisë në orën 12:30 para Ministrisë së Mjedisit, do të vazhdojë përpara Parlamentit, pastaj para Qeverisë dhe do të përfundojë para barakave të Qytetit të Shkupit. Kjo protestë është […]
Nisma qytetare “Qyteti i Gjelbër Human” dhe Shans për Qendrën kanë paralajmëruar marsh tjetër protestues për ajër të pastër të shtunën (28 dhjetor). Protesta do të nisë në orën 12:30 para Ministrisë së Mjedisit, do të vazhdojë përpara Parlamentit, pastaj para Qeverisë dhe do të përfundojë para barakave të Qytetit të Shkupit. Kjo protestë është e dyta që mbahet, pasi siç thonë organizatorët, nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet edhe pse kanë kaluar tre javë nga protesta paraprake dhe dy javë nga kërkesat e parashtruara. Arsyet e mbajtjes së protestës, siç thonë ata, janë vdekjet e shkaktuara nga ndotja e ajrit, të cilat përbëjnë 17.7 përqind të totalit të vdekshmërisë në vend në nivel vjetor, transmeton Portalb.mk.
“Ju ftojmë në një marsh proteste këtë të shtunë, më 28 dhjetor, në orën 12:30 para Ministrisë së Mjedisit, për të kërkuar të drejtën për ajër të pastër. Prej aty marshojmë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, pastaj në Qeveri dhe përfundojmë para barakave të Qytetit të Shkupit. Kanë kaluar gati tre javë nga protesta paraprake, dy javë nga kërkesat e parashtruara, dhe ende nuk ka asnjë përgjigje nga institucionet. Kujto i shërbejnë? Pa ajër të pastër nuk ka shëndet! Pa shëndet nuk ka jetë! Mbushim spitalet dhe paratë i lëmë nëpër farmaci! Të shtunën presim që çdo qytetar nga Shkupi dhe kushdo që mundet nga qytetet tjera t’i bashkohet protestës për ajër të pastër. Le ta përcjellim vitin 2024 me ndërgjegje të pastër se kemi bërë më të paktën që mundemi për shëndetin tonë dhe shëndetin e brezave të ardhshëm. Sa më shumë të jemi, aq më i madh do të jetë presioni për ndryshime reale. Ajri që thithim është i panegociueshëm dhe nuk kemi më kohë për të pritur”, thuhet në eventin e organizuar në Facebook.
QGjH kërkon nga Qeveria dhe komunat të marrin masa të menjëhershme dhe afatmesme për përballimin e ndotjes.
Ata kërkojnë nga Qeveria që të obligojë DPHM-në që të fillojë parashikimin e inversioneve të temperaturës në lugina, për të menaxhuar më mirë ndotjen e ajrit, si dhe të publikojë në një regjistër të personave juridikë dhe vendndodhjen e tyre që duhet të kenë leje pune të integruar B, e që nuk i posedojnë.
Nisma kërkon gjithashtu ndalimin e korsive të qarkullimit në bulevardet më të gjera se minimumi 3 metra, si dhe ndalimin e importit në vend të automjeteve të përdorura më të vjetra se 10 vjet dhe nën standardin EURO 5, si dhe importin e automjeteve të reja me standard minimal prej EURO 6.
“Kërkojmë që të hartohet një plan i regjimit të qarkullimit që do të aktivizohet sapo të tejkalohen vlerat kufitare të substancave ndotëse dhe nëse zgjat më shumë se 24 orë. Zbatimi duhet të përfshijë koordinim ndërmjet komunave (Qytetit të Shkupit, Manastirit, Tetovës dhe të tjera) dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Plani duhet të përfshijë detyrimisht uljen e çmimit të transportit publik në ditët me rritje alarmante ndotjeje”, thuhet në një nga kërkesat e nismës.
Gjithashtu, kërkohet miratimi i Rregullores për planifikimin, projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së biçikletave të përgatitur nga Shoqata për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Mbrojtjen e Mjedisit.
Një pjesë e masave afatmesme që “Qyteti i gjelbër human” kërkon të miratohen janë – futja e transportit publik shumë të zhvilluar të ndarë nga pjesa tjetër e trafikut, ndërtimi i një rrjeti gjithëpërfshirës biçikletash çdo 250 metra, me një hierarki të ngjashme me atë të rrjetit të makinave, futja e një sistemi për biçikleta me qira, ngritja e një rrjeti të dendur stacionesh matëse, një në një maksimum prej 1 500 metrash katrorë, me prioritet për të shkuar rreth objekteve industriale dhe impianteve me A dhe B-lejet e integruara për objektet dhe institucionet publike në juridiksionin e Qeverisë, qyteteve dhe komunave të kalojnë në sisteme fotovoltaike.
Kërkojnë edhe subvencionimin e sistemet fotovoltaike për familjet individuale, si dhe subvencionimin e fasadave energjetike të ndërtesave për banim individual.
Të gjitha kërkesat ndaj institucioneve mund t’i lexoni KËTU.
Kujtojmë se protesta paraprake për ajër të pastër u mbajt më 10 dhjetor.
Me pankarta ku shkruheJ “Në Shkup jetojnë ndërtesat dhe veturat, ndërsa njerëzit ngulfaten” dhe “Partitë a ju japin ajër të pastër”, ata iu drejtuan institucioneve përkatëse duke kërkuar vëmendje më të madhe për problemin e ajrit të ndotur, duke alarmuar që kjo është arsyeja pse në Maqedoninë e Veriut çdo vit ka 3 828 vdekje, apo 17.7 përqind e vdekjeve në shtet.
Kujtojmë se sipas raportit të UNICEF-it, në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare.
Edhe Instituti i Shëndetit Publik që në fillim të vitit 2024 e publikoi raportin “Ndotja e ajrit në Republikën e Maqedonisë dhe rreziqet ndaj shëndetit”, sipas të cilit pothuajse 18 përqind e mortalitetit të përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM-2.5.