Shqiptarët refuzojnë himnin dhe flamurin e shtetit

Shkruan: Sefer TAHIRI Nëse luhet ndeshje futbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës e Shqipërisë, pa asnjë dilemë shqiptarët e vendit do të bëjnë tifo për shtetin e ri të Kosovës dhe shtetin shqiptar! Edhe nëse luan Maqedonia e Veriut me një ndonjë shtet tjetër, shumica e madhe e shqiptarëve do të bëjnë tifo kundër […]

Mars 12, 2025 - 15:00
 0  8
Shqiptarët refuzojnë himnin dhe flamurin e shtetit

Shkruan: Sefer TAHIRI

Nëse luhet ndeshje futbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës e Shqipërisë, pa asnjë dilemë shqiptarët e vendit do të bëjnë tifo për shtetin e ri të Kosovës dhe shtetin shqiptar!

Edhe nëse luan Maqedonia e Veriut me një ndonjë shtet tjetër, shumica e madhe e shqiptarëve do të bëjnë tifo kundër vendit të tyre, natyrisht me kushtin që kundërshtar të mos jetë Serbia, Rusia, Bjellorusia ose ndonjë shtet tjetër që nuk i ka punët mirë historikisht me shqiptarët. Greqia për shembull!

Kur luajnë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, futbollistët e vendit qëndrojnë stoik kur intonohen të dy himnet, ndërsa atë kombëtar shqiptar ta këndojnë, nëse jo zëshëm, me zemër po, sigurt. E himnet me zemër këndohen! Qytetarët shqiptarë nuk ka dilemë se me shumë krenari e gjithë shpirt i këndojnë flamurit me shqiponjë!

Shqiptarët, është e vërtetë se shprehin joluajalitet ndaj shtetit të tyre, për shkak të sjelljes diskriminuese sistematike institucionale dekada me radhë, vetëm se kanë përkatësi tjetër etnike nga populli maqedonas.

Refuzimi kolektiv me ngulm politik që i bëhet shtetit është rezultat i faktit që himni, por edhe flamuri i shtetit ku jetojnë, ndërsa në analizën e kaluar siç pamë edhe stema nuk shprehin dhe nuk reflektojnë asnjë element apo veçori që i takon historisë apo identitetit etnokulturor shqiptar. Nuk përmbajnë asgjë që thekson kontributin shqiptar për shtet-ndërtimin e Maqedonisë së Veriut.

Se himni shtetëror është i papëlqyeshëm për shqiptarët dëshmojnë reagimet përbashkuese para disa muajve të qytetarëve shqiptarë, por edhe të politikës ndaj idesë së ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska që nxënësit e shkollave të mesme në çdo fillim dhe përfundim të vitit shkollor, por edhe në kremtimin e patronateve të shkollave të intonojnë himnin. Edhe po të miratohej ky ligj, do të ishte i pazbatueshëm.

Himni shtetëror me titull “Sot mbi Maqedoni lind” është shkruar në vitin 1941, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore u bë himn shtetëror.

“Sot mbi Maqedoninë lind,

dielli i ri i lirisë!

Maqedonasit luftojnë,

për të drejtat e veta!

Sërish po valëvitet flamuri,

mbi Republikën e Krushevës!

Goce Dellçev, Pitu Guli,

Dame Gruev, Sandanski!

Malet maqedonase këndojnë,

këngë të reja, lajme të reja!

Maqedonia e lirë,

e lirë jeton!”

Jam i sigurt se shumica prej jush as që e keni dëgjuar dhe as që e dini tekstin e himnit, madje as shumica e politikanëve, deputetëve, ministrave e zyrtarëve të shtetit, pasi këtë himn nuk e ndjeni si tuajin.

Kjo pasi është etnocentrik dhe jo koheziv, nuk është përfshirës, por ekskluziv, pasi ai flet dhe ngrit në piedestal luftën vetëm të maqedonasve etnikë për çlirim e shtetësi, ndërsa mohon përpjekjet historike të shqiptarëve që ky shtet të bëhet, si në Luftën e Dytë, por edhe më pas në komunizëm. E themi këtë pasi himni i miratuar pas Luftës së Dytë, u rimiratua edhe pas pavarësimit të vendit në vitin 1991.

Natyrisht se u miratua pa pëlqimin e deputetëve shqiptarë, pasi Partia e Prosperitetit Demokratik dhe Partia Demokratike Popullore ishin kundër. Himni nuk u ndryshua as pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, që buruan nga Marrëveshja e dakorduar e Ohrit. Pra, as pas luftës së vitit 2001, spektri politik shqiptar, qoftë në koalicion me VMRO-DPMNE-në, qoftë me LSDM-në nuk ka arritur të ndryshojnë konceptin etnonacional të shtetit në kuptimin simbolik.

Kur doli ideja për ndryshimin e stemës së shtetit, partneri shqiptar në qeveri, koalicioni VLEN propozoi që stema të aprovohet në pako me himnin, duke propozuar një himn pa tekst ose me dy tekste, njëri për shqiptarët e tjetri për maqedonasit. Por reagimet histerike ndaj këtyre ideve dëshmojnë se pala maqedonase si duket e ka vështirë ta kuptojë se himni as si tekst, e as si melodi nuk ndjehet nga shqiptarët!

Kur i dëgjoi Mickoski propozimet shqiptare tha se nuk e ka pasur seriozisht që të hap debatin politik dhe shoqëror për ndryshimin e stemës, por thjesht është përgjigjur në një pyetje gazetareske!

Nëse vjen një i huaj dhe i analizon simbolet e shtetit por edhe përmendoret dhe statujat në Shkup konkludon se ky është shtet etnik i maqedonasve e jo shumë-etnik e shumë-kulturor, në të cilin shqiptarët janë faktor i rëndësishëm. Kur e sheh kryqin e madh nga lartë konkludon se bëhet fjalë për shtet i krishterë apo ortodoks dhe jo shtet shumë-fetar.

Ngjashëm si stema dhe himni, edhe flamuri shtetëror nuk ka asnjë veçori shqiptare.

Flamuri i parë i vendit u miratua në vitin 1992, ndërsa në të qëndronte dielli me 16 rreze, i njohur si Vergina, që është simbolin i maqedonasve antikë apo i Mbretërisë së Maqedonisë së Lekës së Madh, në vitet 336-332 para erës sonë.

Pas kërkesës së Greqisë, e cila konsideronte se njësoj si emri i shtetit, edhe flamuri historik i maqedonasve antikë nuk i përket shtetit të ri të Maqedonisë, vendi u detyrua të aprovojë flamurin e ri, i cili përbëhet nga një diell me 8 rreze, të cilin në formë pezhorative shpesh e quajnë “ventillator”!

Edhe ky simbol refuzohet nga shqiptarët. Në dasma, shkolla e mitingje parazgjedhore nuk bën vaki të përdoret. Ai kombëtar nuk bën vaki të harrohet, njësoj si edhe festimi i 28 nëntorit, ditës së flamurit, pasi shqiptarët janë të rrallë që flamurin e shtetit e kanë edhe simbol etnik!

Pak e hiç janë shqiptarët që 8 shtatorin, ditën e shpalljes së pavarësisë së shtetit e ndjejnë si ditë festë shtetërore. E ndjejnë vetëm si ditë jopune, pasi përveç shumë bojkoteve kolektive, bojkotuan edhe referendumin për pavarësinë e shtetit, pasi në atë kohë lihej mundësia që shteti i ri t’i bashkëngjitet ndonjë aleance apo federate të shteteve sovrane të ish Federatës Jugosllave.

Prandaj, nuk janë të rralla raste kur etnonacionalistët maqedonas u thonë shqiptarëve “Ja ku e keni Shqipërinë”, ndërsa në mëmëdhe u thonë “Keni shtetin tuaj”! Nuk është lehtë të jesh shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Përkundrazi është sfidë e madhe!