Si mbetet e pandëshkuar gjuha e urrejtjes në Tetovë?

Gjuha e urrejtjes me përmbajtje etnike lulëzon në Tetovë, përkundër se Kodi Penal e sanksionon, ajo mbetet pak ose thuaj se aspak e raportuar në polici dhe prokurori. Ekspertët alarmojnë për rreziqet dhe trajtimin jo të duhur, Portalb.mk sjell një pasqyrë të ralitetit për pesë vitet e fundit. Qytet multietnik, urrejtje etnike Në Tetovë, si qytet multietnik […]

Prill 5, 2026 - 10:00
Si mbetet e pandëshkuar gjuha e urrejtjes në Tetovë?

Gjuha e urrejtjes me përmbajtje etnike lulëzon në Tetovë, përkundër se Kodi Penal e sanksionon, ajo mbetet pak ose thuaj se aspak e raportuar në polici dhe prokurori. Ekspertët alarmojnë për rreziqet dhe trajtimin jo të duhur, Portalb.mk sjell një pasqyrë të ralitetit për pesë vitet e fundit.

Qytet multietnik, urrejtje etnike

Në Tetovë, si qytet multietnik shpesh dëgjohen thirrje me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes kundër kuminiteteve, mbishkrime të ndryshme apo komente pafund në rrejte sociale, maqedonasit kundër shqiptarëve dhe anasjelltas.

Këto raste në vend se të raportohen në institucionet përkatëse si policia apo prokuroria, në të shumtën e rasteve mbeten të pa raportuara ose nën llupën e organizatave joqeveritare.

Shembull, sipas regjistrit govornaomraza.mk ku evidentohen raste të gjuhës së urrejtjes, nga viti 2021 deri në fund të 2025 në rajonin e Tetovës janë regjistruar 42 raste të gjuhës së urrejtjes për shkak të përkatësisë etnike.

Çfarë dënimi parasheh Kodi Penal për gjuhën e urrejtjes

Shkaktimi i urrejtjes, përçarjes ose mostolerancës në bazë nacionale, racore, fetare dhe bazë tjetër të diskriminimit në Maqedoninë e Veriut rregullohet me Nenin 319 të Kodit Penal i cili thotë në dy paragrafe thotë si vijon.

Paragrafi i parë: Ai i cili me dhunë, maltretim, cenim të sigurisë, shprehje të përqeshjes së simboleve nacionale, etnike, fetare dhe simboleve tjera, me ndezjen, shkatërrimin ose në mënyrë tjetër dëmtimin e flamurit të Republikës së Maqedonisë, flamujve të shteteve tjera, me dëmtimin e sendeve të huaja, me përdhosjen e përmendoreve, varrezave ose mënyrë tjetër diskriminuese, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë do të shkaktojë ose do të ndezë urrejtje, përçarje ose mostolerancë në bazë të seksit, racës, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, përkatësisë së grupit të margjinalizuar, përkatësisë etnike, gjuhës, shtetësisë, origjinës sociale, religjionit ose bindjes fetare, llojeve tjera të bindjeve, arsimit, përkatësisë politike, statusit personal ose shoqëror, pengesës mentale ose trupore, moshës, statusit familjar ose martesor, statusit pronësor, gjendjes shëndetësore, ose në cilëndo bazë tjetër të paraparë me ligj ose me marrëveshje të ratifikuar ndërkombëtare, do të dënohet me burg prej një deri në pesë vjet.

Paragrafi i dytë: Ai i cili veprën nga paragrafi i këtij neni e kryen me keqpërdorimin e pozitës ose të autorizimit ose nëse për shkak të atyre veprave është krijuar anarki dhe dhunë ndaj njerëzve ose dëmtim i pronës me përmasa të mëdha, do të dënohet me burg prej një deri në dhjetë vjet.

Sa raste ka regjistruar Policia në Tetovë?

Nga viti 2021 deri në mars 2023 në Sektorin për Punë të Brendshme të Tetovës janë rregjistruar vetëm pesë raste lidhur me nenin 319 për gjuhë të urrejtjes.

“Janë regjistruar 5 ngjarje penale (2023–2 dhe 2024–3) për “Shkaktimi i urrejtjes, përçarjes ose mostolerancës në bazë nacionale, racore, fetare dhe bazë tjetër të diskriminimi”, e parashikuar dhe e ndëshkueshme sipas Nenit 319 të Kodit Penal të RMV-së”, thanë nga SPB Tetovë.

Nga SPB Tetovë thanë se përveç këtyra pesë rasteve, nga viti 2021 deri në mars 2026 janë regjistruar edhe tre raste të tjera që lidhen me gjuhën e urrejtjes.

Në vitin 2025 janë regjistruar 2 ngjarje penale për “Shpërndarje të materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik”, e parashikuar dhe e ndëshkueshme sipas Nenit 394 – G të Kodit Penal të RMV-së.

Gjithashtu, është regjistruar 1 vepër penale për “Dëmtim të sendeve të të tjerëve”, e parashikuar dhe e ndëshkueshme sipas Nenit 243, paragrafi 2 i Kodit Penal të RMV-së.

Policia - Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Policia – Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

3 kallzime për 5 vite në Prokurori

Numri i rasteve të gjuhës së urrejtjes sipas Nenit 319 të Kodit Penal është i dobët edhe në Prokurorinë e Tetovës.

Nga viti 2021 deri në 2023 në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë nuk ka raste të regjistruara për këtë vepër penale.

“Në vitin 2024 u pranuan 2 kallëzime penale për 3 persona, kundër një personi është marrë vendim për hedhjen poshtë të kallëzimit, ndërsa për kallëzimin tjetër kundër dy personave është dorëzuar propozim për aktakuzë”, thanë nga Prokuroria Themelore Publike.

Në vitin 2025 në Prokurorinë e Tetovës është pranuar 1 kallëzim penal kundër 5 personave, për të cilin prokurori publik ka marrë vendim për hedhjen poshtë të kallëzimit për të gjithë pesë personat.

Prokuroria Themelore Publike në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Prokuroria Themelore Publike në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Gjykata e Tetovës vetëm me dy aktgjykime

Në Gjykatën Themelore të Tetovës prej vitit 2021 deri në muajin mars të vitit 2026 ka dy aktgjykime për veprën penale të gjuhës së urrejtes nga Neni 319 të Kodit Penal.

“Një aktgjykim me masë alternative dënim me kusht me burgim në kohëzgjatje prej 1-një viti i cili nuk do të zbatohet nëse nuk kryen një vepër të re penale gjatë 2-dy viteve të ardhshme nga aktgjykimi 1 formës së prerë dhe 1-një aktgjykim me masë alternative dënim me kusht me burgim në kohëzgjatje prej 1-një viti, i cili nuk do të zbatohet nëse në 3-tre vitet e ardhshme nga aktgjykimi i formës së prerë nuk kryen një vepër të re penale”, thanë nga Gjykata e Tetovës për Portalb.mk.

Gjykata Themelore Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Gjykata Themelore Tetovë, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kovaçevska: Partitë politike e nxisin gjuhën e urrejtjes

Gjuha e urrejtjes në Maqedoninë e Veriut, kryesisht ajo në media monitorohet edhe nga Shoqata për Avancimin e Praktikave Gazetareske “Mediat Inovative – Shkup”.

Monitoruesja Despina Kovaçevska, thotë se sipas hulumtimeve të tyre, gjuha e urrejteje, kryesisht ajo mbi baza etnike u bë më e dukshme gjatë zgjedhjeve të fundit, dhe u nxit nga partitë politike nacionaliste.

Sipas saj gjuha e urrejtjes duhet të sanksionohet qartë, por kjo praktikë nuk shihet në vend.

Despina Kovaçevska, foto: Portalb.mk
Despina Kovaçevska, foto: Portalb.mk

“Ky trend është afatgjatë dhe i shkakton më së shumti dëm qytetarëve. Mediat, veçanërisht rrjetet sociale, janë ndër faktorët kryesorë për përhapjen e kësaj gjuhe. Titujt shpesh nxjerrin në pah një komunitet etnik si „problem“, ndërsa raportimi sensacionalist nxit më tej urrejtjen, e cila manifestohet më qartë në komentet. Kur bëhet fjalë për Tetovën, e cila është një qytet multikulturor, polarizimi bëhet edhe më i lehtë”, tha Kovaçevska.

Për të përballuar më efektivisht gjuhën e urrejtjes dhe polarizimin në Tetovë, ajo thotë se nevojitet një kombinim i rregullimit dhe promovimit të praktikave pozitive.

“Gjuha e urrejtjes duhet të sanksionohet qartë, ndërsa komentet në rrjetet sociale që nxisin diskriminim duhet të fshihen. Mediat duhet të raportojnë me përgjegjësi, duke shmangur njëanshmërinë dhe narrativat nacionaliste, dhe njëkohësisht të theksojnë shembuj pozitivë të bashkëpunimit ndër-etnik. Paralelisht, duhet të nxisen më shumë kontakte sociale midis komuniteteve, përmes aktiviteteve kulturore, sportive dhe rinore, që qytetarët të përjetojnë përvojë të ndryshme direkt dhe të mos udhëhiqen vetëm nga narrativat mediale, duke ndërtuar kështu besim dhe duke ulur afatgjatë polarizimin etnik”, përfundoi Kovaçevska.

Iljazi: Gjuha e urrejtjes përdoret për të zhvendosur vëmendjen nga problemet reale

Politologu nga Tetova, Naim Iljazi, thotë se pikërisht liria e shprehjes mbaron aty ku fillon gjuha e urrejtjes, e cila është në veçanti e theksuar në qytetin e tij.

Naim Iljazi, politolog.
Naim Iljazi, politolog.

“Gjuha e urrejtjes nis në çastin kur cenohet dinjiteti dhe integriteti i tjetrit. Fatkeqësisht, në periudha transformimesh të rëndësishme politike, vihet re shtrembërimi qëllimisht i përdorrimit të gjuhës nga qarqe të ndryshme, të cilat përpiqen ta paraqesin gjuhën e urrejtjes si liri shprehjeje. Kjo bëhet duke abuzuar me një të drejtë themelore për të tërhequr vëmendje, për të prodhuar sensacion ose për të zhvendosur fokusin nga çështjet reale politike që kërkojnë përgjegjësi dhe shtetndërtim”, tha Iljazi.

Ai thotë se kur kërkimi për vëmendje ushqehet nga qëllimi që të tjerët të ndihen keq, atëherë kemi të bëjmë me një deformim të mirëqenies publike dhe të vetë procesit të shtetformimit.

“Në këtë kontekst, edhe morali dhe bërja politike duhet trajtuar me kujdes. Politika është një disiplinë e specializuar dhe jo çdo deklaratë, madje as nga persona publikë, duhet marrë si e padiskutueshme, përkundrazi, ajo duhet analizuar me rezervë dhe përgjegjësi. E vërteta është përpjekja për të kuptuar, për të dyshuar, për të mos u nënshtruar verbërisht propagandave ditore”, tha Iljazi.

Në Tetovë së fundmi janë regjistruar disa raste të dhunës fizike dhe verbale te të rinjtë me prapavijë etnike, të cilat shkaktuan shumë reagime në media dhe opinion.

 

Portalb.mk përmes një serie shkrimesh ka argumentuar se si mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes.