Si të evitojmë sindromën e zemrës së thyer nga e cila humbi jetën shoferi i ambulancës në Koçan
Ile Gocevski, shofer i ambulancës nga Koçani, pas tragjedisë në diskotekën “Puls” ka punuar tërë natën pa pushim duke i transportuar të lënduarit dhe viktimat që kryesisht ishin persona të mitur dhe adoleshentë. Pas 40 orësh pune gjatë së cilës kishte parë skena që do të hynë në histori si tragjedia më e madhe në […]


Ile Gocevski, shofer i ambulancës nga Koçani, pas tragjedisë në diskotekën “Puls” ka punuar tërë natën pa pushim duke i transportuar të lënduarit dhe viktimat që kryesisht ishin persona të mitur dhe adoleshentë. Pas 40 orësh pune gjatë së cilës kishte parë skena që do të hynë në histori si tragjedia më e madhe në vendin tonë, ai është kthyer në shtëpi për të pushuar – por zemra e tij nuk ka duruar, shkruan Glamur.
“Jam shumë keq. Ai punoi 40 orë. Erdhi me një koleg dhe tha se ishte i rraskapitur. Kërkoi një infuzion që ta marrë veten, sepse duhej të kthehej në spital për të ndihmuar. Më tha se ishte i lodhur dhe shkoi të flinte. Mu duk pak e çuditshme që nuk u ngrit për katër ose pesë orë. Thjesht e ndjeva sikur diçka po më godiste me thikë dhe bërtita: “Ile, Ile!” Nuk u përgjigj…”, tha me lot në sy bashkëshortja e tij, Aneta Gocevska për Telegraf Serbia.
Edhe pse termi “zemër e thyer” shpesh përdoret në mënyrë figurative, bëhet fjalë për një fenomen të vërtetë mjekësor të njohur si “sindroma e zemrës së thyer” ose kardiomiopatia Takotsubo. Kjo është një gjendje që mund të shkaktojë një sulm në zemër, dhe zakonisht shkaktohet nga stresi ekstrem emocional.
Sipas Prof. dr. Miljko Ristiq, një kardiokirurg me famë botërore, kjo sindromë po bëhet një diagnozë gjithnjë e më e shpeshtë në mjekësi.
“Në situata stresuese, siç është humbja e një personi të dashur, vdekja ose një traumë e rëndë, trupi tajon sasi të mëdha të adrenalinës, që mund të jetë e dëmshme për zemrën. Ky hormon i ngushton arteriet, e kjo gjë e redukton qarkullimin e gjakut dhe mund të shkaktojë sulm në zemër. Simptomat e kësaj gjendjeje janë dhimbje në gjoks, aritmi, ngulfatje…”, shpjegon Ristiq.
Edhe pse kjo gjendje tek të rinjtë nuk ndodh shpesh sepse enët e tyre të gjakut janë më të shëndetshme, ata sërish mund të përfundojnë tek kardiologu nëse kanë simptoma të rënda.
“Njerëzit që po kalojnë një stres të fuqishëm emocional duhet të provojnë të marrin një qetësues të lehtë. Nëse simptomat si dhimbja në gjoks dhe ngulfatja nuk qetësohen, këta persona duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore”, këshillon Ristiq.
Në mjekësi kjo sindromë është përmendur që nga viti 1991, ndërsa shpjegimet e para për shkaqet e saj janë dhënë nga psikiatri amerikan George Engel në vitin 1971. Sipas tij, sindromën e zemrës së thyer mund ta shkaktojnë disa faktorë, si:
- vdekja ose humbja e një njeriu të dashur,
- frika nga humbja e një njeriu të dashur,
- trishtimi akut,
- situatat e rrezikshme për jetën,
- humbja e statusit,
- një ribashkim ose një moment triumfi.
Ekspertët paralajmërojnë se njerëzit me sëmundje kardiovaskulare janë në rrezik dukshëm më të lartë nga kjo sindromë.
Për fat të keq ishte pikërisht zemra e madhe e Ile Gocevskit, i cili ndihmoi pa u ndalur në momentet më të vështira, që nuk arriti ta përballojë peshën e tragjedisë që e tronditi mbarë rajonin.
Përndryshe kjo sindromë sot është më e shpeshtë tek femrat, ndërsa studimet tregojnë se femrat në menopauzë janë më të rrezikuara nga shfaqja e kësaj sindrome për shkak të rënies së nivelit të hormoneve estrogjene në gjak.
Disa mjekë shpesh e diagnostikojnë gabimisht këtë sindromë dhe e trajtojnë atë si sindromë koronare akute për shkak të simptomave të ngjashme dhe rezultateve të analizave të gjakut.
Dallimi mes kësaj sindrome dhe sindromës koronare akute është kulminimi i shpejtë i markerëve kardiakë që mbeten në nivel të ngritur në gjak për një periudhë më të shkurtër kohore dhe rezultatet e angiografisë koronare që nuk tregojnë për një bllokim të enëve të gjakut në zemër.
Te numri më i madh i personave nëse bëhet diagnostikimi në kohë dhe trajtimi i duhur, atëherë shërimi është i shpejtë dhe i plotë. Prandaj, nëse vini re ndonjë nga simptomat (dhimbje në gjoks, aritmi, ngulfatje) vizitoni mjekun pa vonesë.