SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, PD mbledh Këshillimin e Mandateve pa PS
Kërkesa e Partisë Demokratike për të mbledhur këtë të martë Këshillin e Imunitetit e për t’i hapur rrugë votimit në Kuvend të autorizimit SPAK-ut për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku ra në vesh të shurdhët. Socialistët e injoruan këtë shkresë, dhe vijuan me qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, se në Kuvend nuk do të bëjnë asnjë hap derisa […]
Kërkesa e Partisë Demokratike për të mbledhur këtë të martë Këshillin e Imunitetit e për t’i hapur rrugë votimit në Kuvend të autorizimit SPAK-ut për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku ra në vesh të shurdhët.
Socialistët e injoruan këtë shkresë, dhe vijuan me qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, se në Kuvend nuk do të bëjnë asnjë hap derisa Gjykata Kushtetuese të thotë fjalën e fundit për pezullimin e numrit 2 të qeverisë.
Megjithë injorimin e mazhorancës, demokratët u mblodhën në mënyrë simbolike në Këshillin e Mandateve. 5 anëtarët demokratë zunë karriget e tyre dhe i akuzuan socialistët se po tentojnë të pengojnë drejtësinë për arrestimin e Ballukut.
“Njësoj si kriminelët që i fshihen drejtësisë edhe kolegët e mazhorancës janë të fshehur. Kolegët e mazhorancës nuk janë paraqitur në një mbledhje të vlefshme. Pengimi i drejtësisë me urdhër politik të Edi Ramës është akti më i rëndë që ka kryer Kuvend gjatë këtyre viteve demokraci.
Nuk mundet që një kryeministër të urdhërojë deputetët të mbledhë Këshillin e Mandateve. Unë për herë të parë dua tju lexoj pjesë nga kërkesa që SPAK ka sjellë në Kuvend dhe e bëjnë të ngutshme mbledhjen. Balluku ka interes për të zvarritur çështjen. Pse pesë anëtarë të Këshillit bëhen zëdhënës të një të pandehuri për veprime korruptive që kapin vlerën e 1.1 mld eurove”, tha Bardhi.
Bardhi thotë se procesi që mbahet paralelisht në Gjykatën Kushtetuese kundër masës së parë të SPAK ndaj numrit 2 të qeverisë, ajo për pezullimin si ministre dhe zv.kryeministre është çështje tjetër që nuk ka lidhje me kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Ballukut, pasi këtë herë pozitat e saj janë rënduar.
SPAK ka argumentuar se “në vijim të hetimeve nga përdorimi i metodave speciale kanë rezultuar të dhëna se nga ana e Ballukut ka ushtruar presion në forma të ndryshme ndaj personit të pyetur, konkretisht një vartësja të saj. Jemi në kushtet e zëvendësimit të masës së sigurimit për Belinda Ballukun. Vlerësojmë se pas caktimit të masës së sigurimit, nevojat e sigurimit janë rënduar ndaj të pandehurës Belinda Balluku.
Pasi po kryhen hetime penale për procedura të tjera. Gjendja e lirë e të pandehurës paraqit rrezik të vërtetë. Ekziston mundësia që ajo të asgjesojë ose të prishë provat. E pandehura Belinda Balluku ka bërë përpjekje për të ndikuar tek dëshmitarët. Largimi i të pandehurës është evident”, tha Bardhi.
PD do ta bëjë edhe një përpjekje të radhës për ta mbledhur të premten Këshillin për Imunitetin, edhe pse kjo përpjekje pritet sërish të dështojë.