Stagnon rishpallja e Parkut Nacional “Mavrova”, drejtori thotë se duhet pasur kujdes edhe për njerëzit, jo vetëm për natyrën
Stagnon rishpallja e Parkut Nacional “Mavrova”, pasi pas përgatitjes së Studimit të rivalorizimit dhe draft-ligjit janë ndërprerë aktivitetet për përgatitjen e projekt-ligjit. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor thonë se për momentin kanë prioritete të tjera, siç është harmonizimi i kornizës ligjore me legjislacionin evropian, pas çka do të vijojë kjo çështje. […]


Stagnon rishpallja e Parkut Nacional “Mavrova”, pasi pas përgatitjes së Studimit të rivalorizimit dhe draft-ligjit janë ndërprerë aktivitetet për përgatitjen e projekt-ligjit. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor thonë se për momentin kanë prioritete të tjera, siç është harmonizimi i kornizës ligjore me legjislacionin evropian, pas çka do të vijojë kjo çështje. Për përgatitjen e projekt-ligjit për rishpalljen e Mavrovës si park nacional do të pritet miratimi i ligjeve për natyrën, për kontrollin e emetimeve industriale, për veprimin klimatik, si dhe ndryshimet në ligjet për mjedisin jetësor dhe për ujërat, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Studimi për rivalorizimin e Parkut Nacional “Mavrova” tashmë ka përfunduar, ndërkohë që janë zhvilluar edhe diskutime, por diskutimet publike janë obligim vetëm kur projekt-ligji të jetë gati. Plani dhjetëvjeçar për menaxhimin e Parkut Nacional as që ka filluar, ndërsa fondet që ishin paraparë për këtë qëllim janë tërhequr.
“Për planin për menaxhimin e Parkut Nacional “Mavrova” ishin planifikuar fonde nga Fondacioni Global i Konservimit, i cili në dhjetor të vitit të kaluar hoqi dorë nga financimi për shkak se nuk kishte përparim në procedurën e rishpalljes. Për momentin nuk janë siguruar mjete të tjera”, thonë nga Ministria.
Drejtori i Parkut Nacional “Mavrova”, Haris Ibraimi, thotë se ngecja e rishpalljen të parkut nuk do të ndryshojë asgjë sa i përket mbrojtjes së natyrës sepse ky proces tashmë është vendosur dhe po praktikohet. Sipas tij, problem më i madh është se si të mbrohen njerëzit e vendbanimeve që gravitojnë drejt parkut. Ibraimi është i mendimit se aktivitetet e parapara në studimin socio-ekonomik nuk ofrojnë mundësi për ta dhe se kjo nuk do ta parandalojë emigrimin.
“Me 26 përqind sipërfaqe të mbrojtur nuk do të arrijmë asgjë. Ku dhe si do ta zhvillojmë turizmin, rekreacionin apo blegtorinë? Askush nuk mund të mbijetojë duke mbledhur fruta pylli, ndërkohë që çmimet e blerjes janë të ulëta. Qëllimi ynë duhet të jetë që të ofrojmë mundësi, e jo të ndalojmë gjithçka. Mendoj se fillimisht duhet të ndërtojmë, e pastaj të mbrojmë”, thotë Ibraimi.
Sipas tij problem që të vazhdohet me ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël brenda parkut, përderisa kjo të bëhet sipas ligjit dhe respektohen kushtet për mbijetesën e biodiversitetit. Ai beson se kontrolli i dobët inspektues i investitorëve mund të plotësohet me video mbikëqyrje të shtretërve të lumenjve.
“Unë nuk jam pro betonizimit, por as nuk jam dakord me ndalimin e të gjitha aktiviteteve në zonën e mbrojtur. Pyetja është se sa rishpallja e parkut nacional do t’i zgjidhë problemet e banorëve. Duhet të ketë diçka që të jetë në harmoni me natyrën, e që mund të ndërtohet”, thotë Ibraimi.
Nga Organizata qytetare “Eko -Svest” thonë se nuk ka pengesa ligjore që të vazhdojë rishpallja e Parkut Nacional “Mavrova”. Ata besojnë se tani, pas kaq vitesh, kur më në fund ky proces rifilloi dhe kur është përgatitur një Studim i ri i Rivalorizimit, nuk kemi pse presim sepse ka shumë mundësi që të përsëritet për herë të dytë i njëjti skenar i pasuksesshëm i rishpalljes të parkut.
“Ligji aktual për Natyrën parasheh një kornizë të qartë ligjore, sipas të cilës Parku Nacional “Pelister” dhe Parku Nacional “Galiçica” u rishpallën në vitin 2007 dhe viti 2009 respektivisht. Në atë kohë Parku Nacional “Mavrova” nuk ia doli mbanë ta përfundojë procesin e rishpalljes, edhe pse Studimi i revalorizimit ishte gati. Rishpallja e një zone të mbrojtur do të thotë se menaxhimi i saj do të bëhet sipas një plani të qartë për menaxhim, i cili do i definojë qartë qëllimet, prioritetet dhe masat për mbrojtjen e ekosistemeve, specieve dhe habitateve, si dhe mënyrën e rregullimit të aktiviteteve njerëzore për ta ruajtur ekuilibrin mes mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, thonë nga “Eko Svest”.
Ata theksojnë se pa rishpallje ka pak shpresë se në Mavrovë problemet që janë përshkallëzuar kaq shumë vitet e fundit nuk do të vazhdojnë të bëhen edhe më keq. Rishpallja finale do të hapë edhe një mundësi për parkun për të bashkëpunuar me organizatat ndërkombëtare donatore për ruajtjen e natyrës që janë të pranishme në rajon dhe në parqe të tjera të vendit, gjë që do të sjellë vetëm përmirësim në proceset e menaxhimit dhe mbrojtjes.
Sipas Studimit të azhurnuar rivalorizimit më shumë se gjysma e sipërfaqes së Parkut Nacional “Mavrova” do të jetë zonë e mbrojtjes së rreptë dhe menaxhimit aktiv, ndërsa pjesa tjetër zonë e shfrytëzimit të qëndrueshëm dhe zonë tampon. Kjo është një rritje prej mbi 20 për qind në pjesët më të mbrojtura të parkut, krahasuar me të njëjtin dokument që u hartua në vitin 2012. Studimi i përfunduar në dhjetor të vitit 2023 vendos edhe kufij të rinj të jashtëm për parkun nacional, duke e rritur kështu sipërfaqen e tij me mbi 1.000 hektarë.
Hulumtimet shkencore që u kryen për nevojat e Studimit gjatë vitit 2023 e konfirmuan praninë e 14 individëve të rrëqebullit të Ballkanit, 130 arinjve, një popullate të qëndrueshme ujqërish, si dhe një nga popullatat më të mëdha të fluturës së bakërt, një specie e rrezikuar që është në listat e kuqe nën mbrojtje të rreptë. Në parkun nacional në dhjetë vitet e fundit sipërfaqja e pyjeve është rritur nga 30.600 në 36.200 hektarë, si dhe sasia e rezervave të drurit. Këtu gjendet edhe popullsia më e madhe natyrore e gështenjës së egër, me një numër të madh pemësh shekullore.
Kujtojmë se më 4 prill, në programin vjetor për natyrën nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor kishin paraparë rreth 325.000 euro, të cilat do të duhet të ndahen për aktivitete që do ta përmirësojnë punën e tyre dhe do të sigurojnë infrastrukturën e nevojshme për të funksionuar më me sukses. Sipas njoftimeve të Ministrisë, parqet kombëtare “Pelister” dhe “Mali Sharr” do të bëhen me info qendra të reja, “Galiçica” do të mbështetet për blerjen e pajisjeve për kontroll dhe monitorim më të mirë të ishullit Golem Grad, ndërsa “Mavrova” do të fitojë pajisje për rregullimin e lokaliteteve turistike.