Statistika të pamëshirshme: Po “shkrihet” numri i nxënësve në RMV, krahasuar me vitin 2015 kemi humbur gati 28 mijë nxënës (Infografik)
Edhe të dhënat e reja të Entit Statistikor tregojnë trend të rënies së numrit të nxënësve, si në arsimin fillor ashtu edhe në atë të mesëm. Këtë vit shkollor 2024/2025, në shkollat e rregullta fillore dhe të mesme mësimin e filluan 247.770 nxënës. Krahasuar me vitin e kaluar, ka një rënie si në numrin e […]


Edhe të dhënat e reja të Entit Statistikor tregojnë trend të rënies së numrit të nxënësve, si në arsimin fillor ashtu edhe në atë të mesëm. Këtë vit shkollor 2024/2025, në shkollat e rregullta fillore dhe të mesme mësimin e filluan 247.770 nxënës. Krahasuar me vitin e kaluar, ka një rënie si në numrin e nxënësve të shkollave fillore, ashtu edhe shkollave të mesme, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Rënie dramatike e numrit të nxënësve për një dekadë…
Këtë vit shkollor, në shkollat fillore janë regjistruar 180.627 nxënës dhe krahasuar me vitin shkollor 2023/2024 numri ka rënë për gati 1.500 ose për 0,8%.
Sipas të dhënave të reja të Entit Statistikor, arsimin e mesëm këtë vit e kanë filluar 67.143 nxënës, që është për 135 nxënës më pak se vitin e kaluar shkollor ose një rënie prej 0,2%. Këtë vit në shkollat e rregullta fillore dhe të mesme kishte 1.635 nxënës më pak në krahasim me vitin paraprak shkollor.
Portalb-i ka bërë një analizë krahasuese të të dhënave të 10 viteve të fundit për të nxjerrë një pasqyrë të trendit të numrit të nxënësve në arsimin e rregullt fillor dhe të mesëm. Në këtë vit shkollor, krahasuar me vitin 2014/2015, numri i nxënësve të shkollave fillore ka rënë për 6%, kurse ai i nxënësve të shkollave të mesme për 19,6%.
Konkretisht, në vitin 2014/15 në arsimin fillor kishte 192.165 nxënës dhe 83.522 në atë të mesëm, ndërsa këtë vit, krahasuar me periudhën prej dhjetë vjet më parë, rënia e numrit të nxënësve në arsimin e mesëm është më e madhe. Të dhënat e përmbledhura tregojnë se në vitin 2024/25, krahasuar me vitin shkollor 2014/15, numri i përgjithshëm i nxënësve është zvogëluar për gati 28.000, që do të thotë se mesatarisht shteti “humb” nga 2.800 nxënës në vit.
Për hir të saktësisë në përcaktimin e tendencave, Portalb-i ka bërë edhe një pasqyrë të situatës sipas viteve, në një periudhë prej një dekade. Të dhënat zyrtare tregojnë se në 11 vitet e kaluara shkollore (duke përfshirë edhe këtë vit shkollor), vetëm gjatë tre viteve ka pasur rritje të numrit të nxënësve të shkollave fillore, në vitet shkollore 2014/15 për 0,6%, rritja më e madhe prej 3,6% ka qenë në vitin 2016/17 dhe për 0,2% në vitin 2020/21, kurse në të gjitha vitet e tjera shkollore është regjistruar rënie e numrit të nxënësve në shkollat e rregullta fillore.
Situata në shkollat e mesme, duke gjykuar në bazë të numrave, është edhe më alarmante. Në periudhën e analizuar 11-vjeçare, rritje të numrit të nxënësve të shkollave të mesme ka pasur vetëm në dy vite shkollore, edhe atë në vitin 2018/19 për 0,3% dhe në vitin 2020/21 për 2,6%. Në nëntë vitet e tjera shkollore, numri i nxënësve të shkollave të mesme ka shënuar rënie – në mars të vitit shkollor 2017/18 për 6,5% dhe në vitin shkollor 2016/17 për 4,9%.
Politikat demografike – ku janë …
Ministria e Politikës Sociale ka marrë kompetenca të zgjeruara edhe për demografinë, kurse në Qeveri është emëruar edhe një Koordinator Kombëtar për Demografi, të Rinjtë dhe Burimet Njerëzore. Një nga premtimet më të rëndësishme zgjedhore të VMRO-DPMNE-së në pushtet ishte pikërisht demografia – rritja e natalitetit dhe ndalimi i largimit të fuqisë punëtore dhe i popullsisë që mund të lindë, që po largohet në mënyrë të pakthyeshme nga vendi. Ky eksod është faktori kryesor për rënien e numrit të nxënësve, që nga klasa e parë e deri tek maturantët.
Demografia është vendosur si qëllim prioritar edhe në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit 2024-2028.
Ja disa nga qëllimet që janë hedhur në “letër”:
- Ulja e kostove që lidhen me edukimin e fëmijëve,
- Aktivizimi i grave në tregun e punës,
- Promovimi i riintegrimit të të kthyerve – kurbetçarëve,
- Zhvillimi i infrastrukturës rurale,
- Ndërtimi i banesave me çmime të përballueshme,
- Sistem i drejtë i mbrojtjes sociale,
- Investimet në shëndetësi, arsim.
Plani për t’u përballur me rënien e natalitetit nga njëra anë dhe përpjekja për të mbajtur në vend familjet që mund të lindin, i përfshin pothuajse të gjithë sektorët – shëndetësinë, arsimin, ekonominë, atë social. Ndërkohë, statistikat tregojnë se, tani për tani, ka një tendencë të pandalshme të eksodit që reflektohet në të gjitha poret e shoqërisë, në arsim me më pak nxënës, në tregun e punës me mungesë të fuqisë punëtore, në shëndetësi me mungesë të kuadrit profesional.