Stema pa dialog me shqiptarët nuk kalon!

Shkruan: Sefer TAHIRI Në 9 korrik të vitit 1997 ndodhën ngjarjet e njohura të Gostivarit! Policia duke pasur qëllim që të heq flamurin kombëtar shqiptar, i vendosur në godinën e komunës vra tre shqiptarë: Nazmi Saliu, Dr.Shpend Iseini dhe Milaim Dauti, plagosi, rrahu e keqtrajtoi qindra të tjerë. Pikërisht atë natë pushteti që drejtohej nga […]

Mars 5, 2025 - 16:00
 0  6
Stema pa dialog me shqiptarët nuk kalon!

Shkruan: Sefer TAHIRI

Në 9 korrik të vitit 1997 ndodhën ngjarjet e njohura të Gostivarit! Policia duke pasur qëllim që të heq flamurin kombëtar shqiptar, i vendosur në godinën e komunës vra tre shqiptarë: Nazmi Saliu, Dr.Shpend Iseini dhe Milaim Dauti, plagosi, rrahu e keqtrajtoi qindra të tjerë. Pikërisht atë natë pushteti që drejtohej nga Lidhja Socialdemokrate dhe Partia e Prosperitetit Demokratik shpalli devalvimin e denarit për 17 për qind, që ishte tregues për rënien ekonomike. Supozohet se pikërisht ky vendim ishte shkas për ndërhyrjen brutale të policisë në Gostivar dhe Tetovë. Këtë cikël analizash te Lajmi mbi simbolet e shtetit do ta përmbyll me trajtesën kushtuar përdorimit të flamurit shtetëror dhe kombëtar si dhe himnit.

Tani sërish rreth stemës. Defokusimi nga temat dhe problemet e vërteta, që kryesisht janë të natyrës ekonomike është recetë e njohur e qeverive në të kaluarën, pavarësisht nëse në pushtet kanë qenë ish-komunistët socialdemokratë apo ish-komitët vmroistë.

Ndonëse distancohem nga konkluzioni se krahasimi me ngjarjet e 97/ës nuk është tërësisht objektiv, thuajse e njëjta metodë u zbatua në shkurt të këtij viti.

Duke tentuar shpërqendrim nga tema e rritjes enorme të çmimeve dhe duke tentuar ta “mbulojë” faktin se masat për ngritjen e çmimeve dhe kufizimin e marzhës për produktet e ndryshme nuk japin rezultate, kryeministri Mickoski prej askund vendosi lartë në agjendën publike dhe mediatike debatin mbi stemën e shtetit, si shenjë dalluese e tij.

Po,  ashtu si u hap, ashtu edhe u mbyll, pa epilog, pa zgjidhje! Ngjashëm siç u hap tema e gjuhës shqipe, përfaqësimit, ndryshimeve kushtetuese, reformat në gjyqësor, shkarkimi i prokurorit, të cilat për përmbyllje si çështje publike dhe politike duhet të presin kohë.

Stema e re do të përkufizohet me siguri pas zgjedhjeve lokale të tetorit dhe deri atëherë nuk do të jetë çështje publike. Stema me dizajn, simbolikë dhe mesazhe të reja do të zëvendësojë stemën aktuale, e cila sikur herë pas herë na përkujton se ne ende nuk kemi dalë 100 për qind nga sistemi komunist. Maqedonia e Veriut është njëri nga dy vendet në Evropë, e cila ka stemë me stil socialist dhe me karakter peizazhi, në vend të atij historik. Vendi i dytë është Bjellorusia komuniste e Llukashenkos. Analogji që të lë pa koment!

Pas pavarësimi të vendit, stema e ish Republikës Socialiste të Maqedonisë bëhet simbol zyrtar i shtetit, ndërsa është po e njëjta e cila e kishte zëvendësuar atë të ish Republikës Popullore të Maqedonisë, e miratuar në vitin 1946.

Stema socialiste, e cila përdoret edhe sot, me diell në qendër ka dashur të propagojë gjoja zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa ylli mbi të ka qenë totem i simbolizmit të socializmit si sistem politik. Paramendoni, është dashur të kalojnë 18 vite, që stema të pësojë ndryshim dhe nga ajo në vitin 2009 të hiqet ylli komunist.

Stemës shtetërore në dhjetor të vitit 2014 si sot iu kthye VMRO-DPMNE-ja, e cila kishte fituar 61 deputetë. Edhe atë kohë pushteti përdori strategjinë komunikuese të shpërqendrimit të opinionit nga problemet reale: çmimet rriteshin, rrogat jo, ndërsa opozita bojkotonte Kuvendin.

Qeveria e atëhershme e VMRO-DPMNE-së dhe e Bashkimit Demokratik për Integrim, e drejtuar nga Nikolla Gruevski propozoi luanin e kuq në prapavijë me ngjyrë të verdhi ari, si simbol i fuqisë dhe i drejtësisë, por që ishte i ngjashëm me emblemën apo stemën e partisë së Mickoskit, që është luani i verdhë në prapavijë të kuqe. Edhe në gusht të vitit 1992 qeveria kishte propozuar stemën e re, por ishte hedhur poshtë nga deputetët e atëhershëm shqiptarë.

Partia e Ahmetit atëbotë ndonëse me shumë vështirësi mundohej ta arsyetojë stemën e re, duke përdorur argumente gjoja historike se luani pasqyron elemente që në të kaluarën kanë qenë të pranishme në shumë qytete feudale shqiptare, ndërsa sot përdoret në stemën e Bashkisë së Tiranës, Durrësit etj! Është e vërtetë se heraldika dëshmon se luani është figurë që përdoret shpesh në disa shtete të botës, kryesisht të Evropës edhe atë më së shumti në baza territoriale, por të thuash se luani i 2014-tës kishte motive shqiptare ishte spinim i së vërtetës apo mashtrim propagandistik. Stematografia shpjegon se luani i propozuar nuk reflektonte përbashkim kulturor apo historik në këto troje dhe asnjë pikë referimi nuk ndërlidhej me identitetin e shqiptarëve. Në fakt demonstronte etnocentrizëm, pasi propozohej si simbol etnik maqedonas, por edhe partiak.

Falë ndërgjegjes së disa deputetëve të BDI-së kjo stemë nuk u votua. Nuk do të ndodhte hataja, por duhet të kemi parasysh që heraldika që definon simbolet duhet të reflektojë realitetin shumë-etnik dhe shumë-kulturor të gjeografisë së vendit, në të cilën shqiptarët pa dyshim se janë faktor tepër i rëndësishëm dhe i pakontestueshëm.

Në kontekstin aktual, koalicioni VLEN kushtëzoi stemën e re me ndryshimet e reja kushtetuese, që do të përfundonin epokën e përkufizimit statistikor të shqiptarëve si 20 për qind, por edhe me ndryshimin e tekstit të himnit.

Por, pavarësisht dilemës se strategjia e kushtëzimit a është më e mira që nënkupton zgjidhjen e çështjeve duhet në pako, e që në nëntekst nënkupton pranimin e stemës me luan të VMRO-së, qasja politike duhet të jetë argumentuese se secili simbol duhet të shpreh praninë historiko-politike dhe reale demografike e autoktone të shqiptarëve në shtet, duke mos mohuar kontributin e tyre real në ndërtimin dhe zhvillimin e tij.

Simbolet e shtetit, pra edhe stema duhet të jenë pasqyrë e vërtetë e karakterit të tij juridik-kushtetues. Jorastësisht në Marrëveshjen e Ohrit thuhet “Për miratimin e ligjeve që drejtpërsëdrejti kanë të bëjnë me përdorimin të simboleve duhet të respektohet parimi i Badenterit apo shumica e votave të deputetëve të cilët pohojnë se u takojnë bashkësive joshumicë”, që kryesisht janë shqiptarë.

Ndonëse de fakto shteti shpesh ka qenë njerkë për shqiptarët, është koha që të reflektojë, duke ndryshuar qasjen mohuese ndaj tyre. Le të fillohet nga simbolika!