Takimi Kurti -Vuçiq “në maj ose qershor”, Petritsch: Bllokimi i dialogut me pasoja më të “menjëhershme” për Kosovën se sa për Serbinë

Me dy konflikte që po përshpejtojnë historinë – njëri në Ukrainë, tjetri në Iran – Kosova dhe Serbia duket se bëjnë sehir. Trembëdhjetë vjet për të zbatuar një marrëveshje me 15 pika për normalizimin e marrëdhënieve nuk mjaftuan, edhe pse pritej pajtim dhe bashkëpunim. Ish-diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, paralajmëron se Kosova rrezikon nga status quo-ja

Prill 12, 2026 - 14:30
Takimi Kurti -Vuçiq “në maj ose qershor”, Petritsch: Bllokimi i dialogut me pasoja më të “menjëhershme” për Kosovën se sa për Serbinë
takimi-kurti-vuciq-“ne-maj-ose-qershor”,-petritsch:-bllokimi-i-dialogut-me-pasoja-me-te-“menjehershme”-per-kosoven-se-sa-per-serbine

takimi-kurti-vuciq-“ne-maj-ose-qershor”,-petritsch:-bllokimi-i-dialogut-me-pasoja-me-te-“menjehershme”-per-kosoven-se-sa-per-serbine

Me dy konflikte që po përshpejtojnë historinë – njëri në Ukrainë, tjetri në Iran – Kosova dhe Serbia duket se bëjnë sehir.

Trembëdhjetë vjet për të zbatuar një marrëveshje me 15 pika për normalizimin e marrëdhënieve nuk mjaftuan, edhe pse pritej pajtim dhe bashkëpunim.

Ish-diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, paralajmëron se Kosova rrezikon nga status quo-ja dhe duhet të veprojë, pasi shtetet e brishta janë më të ekspozuara ndaj krizave.

Në vitin 2013, ndërsa Evropa shihte zgjerim dhe stabilitet, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel. Pas viteve të tensioneve dhe dhimbjes së pasluftës, fqinjët dukeshin gati për një kapitull të ri – të pazakontë për historinë e rajonit.

Marrëveshja e Brukselit u nënshkrua më 19 prill të atij viti nga kryeministrat e atëhershëm të të dyja vendeve, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Ajo pasoi muaj negociatash intensive, të ndërmjetësuara nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton.

“Dua t’i përgëzoj për vendosmërinë gjatë këtyre muajve dhe për guximin që kanë treguar. Është shumë e rëndësishme që ajo që po shohim tani, është një hap larg nga e kaluara dhe për të dyja vendet, një hap më afër Evropës”, tha atëkohë Ashton.

Goxha premtuese për dy vende që anëtarësimin në Bashkimin Evropian e kanë synim strategjik – të paktën në fjalë. Kjo u pasqyrua qartë edhe nga të dy kryeministrat – me Thaçin që vuri theksin te potenciali i marrëveshjes.

“Kjo marrëveshje sot paraqet fillimin e një epoke të re – atë të pajtimit dhe bashkëpunimit ndërshtetëror. Kjo marrëveshje do të na ndihmojë në shërimin e plagëve të rënda të së kaluarës, nëse kemi urtësinë dhe mençurinë për ta zbatuar në praktikë”, tha Thaçi në atë kohë.

Përtej shpresës së krijuar tash e 13 vjet, zhvillimet në terren tregojnë se pjesa më e madhe e kësaj urtësie dhe mençurie mbetet për t’u dëshmuar.