Tetova e Malit Sharr assesi të rehatohet me ujin, vazhdimisht ka ndalesa dhe defekte 

Banorët e Tetovës nuk mund të bëhen rehat nga ndalesat e njëpasnjëshme të ujit, kjo situatë atyre u shkakton revoltë për çdo ditë, ndërkaq autoritetet komunale si gjithnjë arsyetohen, shkruan Portalb.mk.  Muaji Mars filloi me restrikcione të ndryshme, kufizime dhe ndalesa të ujit nga Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” për shkak të defekteve të ndryshme.  Qytetarët […]

Mars 11, 2025 - 10:00
 0  6
Tetova e Malit Sharr assesi të rehatohet me ujin, vazhdimisht ka ndalesa dhe defekte 
Ujësjellësi i Leshnicës - Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Banorët e Tetovës nuk mund të bëhen rehat nga ndalesat e njëpasnjëshme të ujit, kjo situatë atyre u shkakton revoltë për çdo ditë, ndërkaq autoritetet komunale si gjithnjë arsyetohen, shkruan Portalb.mk. 

Muaji Mars filloi me restrikcionendryshme, kufizime dhe ndalesa të ujit nga Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” për shkak të defekteve të ndryshme. 

Qytetarët ankohen se pavarësisht se paguajnë fatura të ujit nuk po marrin shërbimin që paguajnë dhe meritojnë. 

Nga Shoqata “Më Mirë për Tetovën” (MMPT) thonë se me rritjen enorme të çmimit të faturave për ujin, duhej të rritej edhe cilësia e shërbimit, por që kjo nuk po ndodh. 

“Si duket qytetarët po paguajnë vetëm rrogat e administratës, punëtorëve dhe të kontratave të partisë sepse në këmbim nuk po marrin shërbimin për të cilin po faturohen nga NPK Sharri. Është e turpshme që në muajin e shenjtë të Ramazanit qytetarët të ndjejnë mungesën e ujit dhe hendikepohen nëm funksionimin e përditshëm”, thanë nga MMPT.  

Qytetarët ankohen edhe se nuk munden ta shfrytëzojnë as tarifën e lirë të rrymës elektrike. Profesoresha Arta Toçi thotë se restrikcioni i ujit bëhet në kohën e tarifës së lirë. 

“Restrikcioni bëhet çdo ditë nga ora 13:00-16:00 dhe fillon përsëri në 22:00. Është i qartë bashkëpunimi i këtyre dy kompanive, NP Sharr Tetovë dhe EVN, bashkëpunim ky që e vendos tetovarin në pozita te pabarabarta me qytetarët tjerë të këtij vendi. Një qytetar i Tetovës nuk ka ujë dhe nuk ka rrymë me tarifë të lirë! Çka do të kishte ndodh po të ishte ky rast në Shkup, Strumicë, Shtip…”, tha Toçi. 

Kanë reaguar edhe këshilltarët komunalë të BDI-së, Ahmet Rexhepi tha se për ata ky problem paraqet shqetësim madhor dhe abuzim i pafalshëm me çmimet e shërbimeve bazë.

“Tetova është qyteti ku uji, kjo nevojë elementare e jetës është bërë luks, familjet agjërojnë gjatë gjithë ditës dhe në mbrëmje kur vjen koha për të prishur agjërimin, nuk kanë ujë as për të pirë as për të kryer nevojat elementare higjienike. Ndërsa rubintat janë bosh, faturat po rriten në mënyrë të pamëshirshme”, tha Rexhepi.

Për këto probleme kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami arsyetohet se problemi është i shtresuar me vite. 

“E di që këto ditë ka pasur një defekt të madh te rruga Vëllezërit Milladinov dhe punëtorët kanë punuar në kushte të natës dhe i njëjti është sanuar dhe në pjesët më të mëdha të qytetit është rikthyer dhe stabilizuar furnizimi me ujë. Pjesa tjetër është çështje e asaj që ka raste ku ka humbje të ujit derisa ajo nuk del në pah që ne të intervenojmë dhe ta sanojmë, bëhet fjalë për një rrjet të tejamortizuar të shpërndarjes së ujit, i cili kërkon intervenime, ne kemi plan dhe në vazhdimësi intervenojmë për përmirësimin e të njëjtit, por nuk mundet për një kohë të shkurtër të bëhet ajo që s’është bërë për 30 vite e më shumë”, tha Kasami. 

Përndryshe, Tetova përdor dy rrjete-sisteme të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga i riu, ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit, rezervarët e Malit Sharr apo njohur ndryshe si burimet e vjetra. Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami para zgjedhjeve lokale 2021 në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të keni që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.

Ndërsa edhe në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premton rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.