Tetova sytë nga Policia Komunale për zgjidhjen e shumë tollovive 

Policia Komunale e cila pritet të rregullohet së shpejti edhe me ligj në RMV, shihet si zgjidhje për kaosin në komunikacion në Tetovë, shkruan Portalb.mk.  Kaosi në trafik në Tetovë tani më është bërë përditshmëri për banorët e këtij qyteti. Në mesin e zgjidhjeve të cilat mund të zbusin këtë problem, kryetari i Komunës së […]

Jan 11, 2025 - 13:00
 0  4
Tetova sytë nga Policia Komunale për zgjidhjen e shumë tollovive 
Komunikacioni në Tetovë në bulevardin 'Ilinden'. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Policia Komunale e cila pritet të rregullohet së shpejti edhe me ligj në RMV, shihet si zgjidhje për kaosin në komunikacion në Tetovë, shkruan Portalb.mk. 

Kaosi në trafik në Tetovë tani më është bërë përditshmëri për banorët e këtij qyteti. Në mesin e zgjidhjeve të cilat mund të zbusin këtë problem, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami u shpreh i bindur se nëse formohet policia komunale do të ketë zgjidhje. 

“Unë besoj se policia komunale mund të jetë zgjidhje (për zgjidhjen e kaosit në komunikacion) dhe do të jetë zgjidhje, e dini që është në procedurë ndryshimi i ligjit për pushtet lokal, ku një ndër zgjidhjet është edhe formimi i policisë komunale”, tha Kasami. 

Ai u shpreh se përveç kaosit në trafik, policia komunale unë besoj do të zgjidhë edhe shumë probleme tjera që kanë të bëjnë me implementimin e përgjegjësive që i ka inspektorati komunal.

“Në këtë drejtim besojmë që kjo do ta plotësojë edhe mungesën e policëve të uniformuar sepse në bazë të komunikimit të vazhdueshëm me Sektorin e Punëve të Brendshme, ata kanë mungesë kronike për të punësuar. Vlerësoj që miratimi i ligjit për pushtet lokal ku parashihet policia komunale do ta zgjidhë një problem që ka të bëjë me ingerencat që janë të lidhura midis policisë dhe komunës”, tha Kasami. 

Pavarësisht se premtohet moti kohë, në Maqedoninë e Veriut ende nuk ka polici komunale. Autoritetet vijojnë të japin premtime ndërsa rezultat në terren nuk ka. Së fundmi kryetari i Bashkësisë të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale Orce Gjorgjievski tha se së shpejti do të sillet zgjidhje ligjore, por pa dhënë datë konkrete. 

Gjorgjievski tha se tashmë është përgatitur propozim ligj për policinë komunale, gjegjësisht ndryshime për të njëjtin. 

“Në periudhën në vijim, tashmë kemi pasur takim me Toshkovskin (ministrin e Brendshëm), gjatë ditës së nesërme do të kem takim koordinues, ku mes pikave të tjera, do ta diskutojmë edhe këtë me ministrin dhe besoj që do të sillet edhe kjo zgjidhje ligjore në të ardhmen e afërt”, tha Gjorgjievski. 

Ligji për policinë komunale është kërkesë e kamotshme e BNJVL-së dhe daton që në vitin 2019.

Policinë Komunale në programet e tyre si premtim e kanë edhe disa kryetarë komunash të përbërjes aktuale të vetëqeverisjeve lokale, përfshirë edhe kreun e Tetovës Bilall Kasamin.

Madje për Portalb.mk disa nga komunat në të kaluarën kanë kërkuar që të kryhen procedurat që do tu mundësonin atyre të formojnë policinë komunale. 

Policinë komunale e cila do të kujdeset për rendin komunal lokal, pastërtinë dhe ruajtjen e mjedisit jetësor e pati premtuar edhe qeveria e kaluar në Programin Qeveritar 2020/2024, por nuk arritën ta realizojnë. 

Policia komunale nënkupton që komunave do tu jepet e drejta të vendosin masa dhe të ndërmarrin aktivitete për respektimin e rendit komunal, higjienës publike, mbrojtjen e gjelbërimit, ujit, hapësirave publike, ndotjes së ajrit dhe tokës, depozitimin e mbeturinave, mirëmbajtjen dhe sigurinë gjatë ngjarjeve me rëndësi lokale, mbrojtjen e pronës dhe objekteve në pronësi të njësive të vetëqeverisjes lokale dhe të pronës dhe objekteve të institucioneve të themeluara nga pushteti lokal. Punonjësit e policisë komunale do të mund t’i ndihmojnë inspektorët komunalë gjatë kryerjes së mbikëqyrjeve inspektuese. 

Shembulli se si duket në praktikë policia komunale mund të shihet në Serbi, ku prej vitit 2009, komunat e kanë mundësi ligjore të organizojnë shërbim të tyre, i cili do të kujdesej për rendin, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe lëshimin e disa lejeve.

Polici komunale ka edhe në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë e cila ka filluar veprimtarinë në vitin 2001.