Vit i ri me sfida të vjetra politike: Çfarë e pret Maqedoninë e Veriut në 2025?

Maqedonia e Veriut përgjatë historisë së saj ka kaluar në shumë turbulenca dhe sfida politike. I bujshëm, me shumë ngjarje politike, iku edhe viti 2024. Por, çfarë do sjellë viti 2025 në aspektin politik për RMV-në? Njohësit e rrethanave politike theksojnë reformat që duhet të bëhen, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe procesin […]

Jan 11, 2025 - 13:00
 0  4
Vit i ri me sfida të vjetra politike: Çfarë e pret Maqedoninë e Veriut në 2025?
Flamuri i Maqedonisë së Veriut, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Maqedonia e Veriut përgjatë historisë së saj ka kaluar në shumë turbulenca dhe sfida politike. I bujshëm, me shumë ngjarje politike, iku edhe viti 2024. Por, çfarë do sjellë viti 2025 në aspektin politik për RMV-në? Njohësit e rrethanave politike theksojnë reformat që duhet të bëhen, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe procesin eurointegruese. Ndërkaq partitë politike vazhdojnë të japin premtime se viti 2025 do të jetë më i mirë, raporton Portalb.mk

Parashikimi i njohësve të politikës për vitin 2025

Profesori universitar, Deniz Memedi për Portalb.mk theksoi se vendi gjatë vitit 2025 mund të përballet me disa sfida dhe mundësi politike, që janë të lidhura ngushtë me zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe me brendësinë e politikës së brendshme.

“Disa prej aspekteve kyçe që mund të ndikojnë në politikën e Maqedonisë së Veriut mundë të jenë procesi i integrimit në Bashkimin Europian ku Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të dukshëm në rrugën e saj për në Bashkimin Europian, por ky proces është ende i ngadalshëm dhe mund të hasë në sfida të reja sidomos me çështjen e ndryshimeve kushtetuese. Aspekti tjetër që duhet të merret parasysh është stabiliteti politik dhe reformat ku vendi ka kaluar nëpër periudha tensioni politik dhe polarizimi në vitet e kaluara. Megjithatë, është e mundur që në vitin 2025, të shohim përpjekje të reja për forcimin e stabilitetit politik dhe përmbylljen e reformave të domosdoshme në fusha të ndryshme, si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe rritja e transparencës”, tha Memedi.

Sipas Memedit, nuk duhet përjashtuar edhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare: “Rajoni i Ballkanit Perëndimor është i ndikuar nga marrëdhëniet me shtetet fqinje, si dhe nga ndikimet e fuqive të mëdha, përfshirë BE-në, SHBA-në dhe Rusinë. Maqedonia e Veriut mund të përballet me sfida në lidhje me balancimin e marrëdhënieve të saj ndërkombëtare dhe mund të shohim ndoshta një rritje të angazhimit në projekte të përbashkëta rajonale”, deklaroi ai.

Petrit Saraçini, nga Instituti për Media dhe Analitikë, thotë se për nga aspekti politik, viti 2025 do të jetë i dominuar nga fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale në vjeshtë, të cilën veçmë e kanë nisur partitë politike.

“Në këtë kontekst, me sa duket, edhe viti 2025 do të jetë i dominuar nga temat që polarizojnë shoqërinë, mediat dhe komunikimin publik, sidomos çështjet e marrëdhënieve ndëretnike dhe eurointegrimeve të ngecura, por edhe mënyra se si do të zhvillohet lufta kundër korrupsionit, gjë që do të hedhë temat tjera të rëndësishme për qytetarët në plan të dytë. Sa i përket mediave, ky do të jetë edhe një vit shumë i vështirë për to, duke marrë parasysh sfidat globale që i sjell zhvillimi i teknologjive digjitale dhe inteligjencës artificiale, si dhe i rrjeteve sociale që kanë zëvendësuar mediat profesionale si mënyrë dominante e informimit të audiencave”, tha Saraçini.

Opozita dhe pushteti me prioritete të ndryshme

Partitë qeveritare fillimin e vitit 2025 e nisin me zotime për projekte të reja dhe garanca për stabilitet politik e ekonomik. Ndërkaq, për opozitën, vitin kalendarik që ka filluar do jetë mjaftë sfidues. Ja çfarë thonë ata:

  • Koalicioni VLEN

“Në vitin 2025 do të vazhdojmë me ngritjen, avancimin dhe shtimin e kapaciteteve administrative që nënkupton rritje e efikasitetit qeverisës, rritje e transparencës, rritje e standardit, menaxhim efikas dhe rritje e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve lokale. Dialogu i hapur me qytetarët dhe përfshirja e tyre në vendimmarrje është një shembull i shkëlqyer i udhëheqjes që dëgjon dhe vepron për të mirën e përbashkët”.

  • VMRO-DPMNE

“Në vitin 2025 vazhdojmë me projekte të reja, një luftë edhe më të fortë kundër korrupsionit, përgjegjësi për kriminelët e më shumë për qytetarët përmes pagave më të larta, rritjes së pensioneve, projekteve të reja. VMRO-DPMNE mund ta bëjë këtë më së miri. Korrupsioni dhe krimi është kanceri i shoqërisë sonë, ajo do të mposhtet. Na presin edhe shumë fitore. Po vjen koha e suksesit, le të shkruajmë një histori për Maqedoninë që do të jetë suksesi ynë i përbashkët”.

  • BDI

“Mbesim të përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, për të avancuar demokracinë multietnike dhe për të punuar pa u lodhur që çdo fëmijë në Maqedoninë e Veriut të rritet në një shoqëri ku ëndrrat e tij nuk kufizohen nga përkatësia etnike”.

  • LSDM

“Në vitin 2025 na presin sfida të rëndësishme, por edhe mundësi të reja. Së bashku duhet të përgatitemi për zgjedhjen e rregullt të kryetarit të partisë, e cila do të sjellë unitet dhe forcë edhe më të madhe në radhët tona. Jemi gati për zgjedhjet lokale, ku do të ofrojmë kandidatë të fortë që do të punojnë për ndryshime reale në nivel lokal. Ne do të vazhdojmë të jemi një opozitë konstruktive që ofron zgjidhje, jo vetëm kritika”.

Viti 2025, gjithashtu do të jetë vit zgjedhor. Në vjeshtë do të mbahen zgjedhjet lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ndryshimet kushtetuese, gjithashtu, do të jenë debat i hapur, por edhe kusht nga BE në mënyrë që RMV-ja të fillojë negociatat me Unionin.