Trainkos: Aksidenti me fatalitet ndodhi për shkak të mosrespektimit të shenjave të komunikacionit
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të dielën në mes të një treni dhe një veture në komunën e Klinës, ku për pasojë një person ka vdekur dhe tre të tjerë kanë mbetur të lënduar. Ngjarja tragjike ka ndodhur rreth kilometrës 60+958 të linjës hekurudhore, ndërsa autoritetet janë ende duke hetuar rrethanat e plota
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të dielën në mes të një treni dhe një veture në komunën e Klinës, ku për pasojë një person ka vdekur dhe tre të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Ngjarja tragjike ka ndodhur rreth kilometrës 60+958 të linjës hekurudhore, ndërsa autoritetet janë ende duke hetuar rrethanat e plota të aksidentit.
Pas ngjarjes, kompania hekurudhore Trainkos ka reaguar me një njoftim për opinionin publik, duke shprehur keqardhje të thellë për humbjen e jetës dhe duke i shprehur ngushëllime familjes së viktimës.
Na vjen keq, se si pasojë e një aksidenti të ndodhur sot, një qytetar ka humbur jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të lënduar. Familjes së viktimës dhe gjithë farefisit i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe të thella”, thuhet në njoftimin e Trainkos.
Trainkos ka bërë thirrje për respektim rigoroz të rregullave të komunikacionit, duke theksuar se kalimi hekurudhor ku ndodhi aksidenti ishte i pajisur me sinjalizim dhe shenja përkatëse.
Sipas raportit fillestar të komisionit për raste të jashtëzakonshme, aksidenti ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të shenjave të komunikacionit rrugor nga ana e drejtuesit të automjetit.
“Komunikacioni hekurudhor rregullohet me ligje dhe sinjalizime specifike, të cilat obligohemi t’i respektojmë në përpikëri. Rregullat dhe sinjalizimi i trafikut rrugor janë obligative për të gjithë përdoruesit e rrugës, përfshirë drejtuesit e mjeteve rrugore,” thekson Trainkos.
Kompania gjithashtu ka apeluar për kujdes maksimal dhe për respektim të rregullave të komunikacionit rrugor, me qëllim që të parandalohet përsëritja e rasteve të tilla tragjike.