“Transparency”: Institucionet në RMV duhet të promovojnë më shumë Ligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve

Të gjitha institucionet kompetente, shoqëria civile dhe media së bashku duhet t’i përkushtohen më shumë promovimit të Ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve. Të informojnë publikun për suksesin e rezultateve të tyre dhe të tregojnë se sistemi që lufton parregullsitë në shtet po funksionon me sukses. Ky është një nga përfundimet dhe rekomandimet e raportit të […]

dhjetor 25, 2024 - 14:00
 0  3
“Transparency”: Institucionet në RMV duhet të promovojnë më shumë Ligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni). Foto: Portalb.mk

Të gjitha institucionet kompetente, shoqëria civile dhe media së bashku duhet t’i përkushtohen më shumë promovimit të Ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve. Të informojnë publikun për suksesin e rezultateve të tyre dhe të tregojnë se sistemi që lufton parregullsitë në shtet po funksionon me sukses. Ky është një nga përfundimet dhe rekomandimet e raportit të fundit rajonal të titulluar “Sa mirë i mbrojnë vendet e Ballkanit Perëndimor sinjalizuesit?”, transmeton Portalb.mk.

Ky raport është pjesë e projektit “Përmbushja e premtimeve për sinjalizim: Mbrojtja e të drejtave të qytetarëve dhe luftimi i korrupsionit”, i mbështetur financiarisht nga Balkan Trust for Democracy, projekt i German Marshall Fund of the United States dhe USAID.

“Projekti vlerëson se sa mirë funksionojnë sistemet e mbrojtjes së sinjalizuesve në vendet e Ballkanit Perëndimor duke monitoruar rezultatet e rasteve, duke analizuar praktikat e mira dhe duke publikuar dhe avokuar për reforma dhe përmirësime”, thuhet në njoftimin e Transparency International në një deklaratë.

Ajo që theksohet në raport është se është e nevojshme përmirësimi i rregullimit ligjor dhe mbështetja e institucioneve kompetente për zbatimin e mbrojtjes, si nga aspekti personel ashtu edhe nga ai financiar.

“Nevojitet edhe mbështetje dhe motivim më i madh i institucioneve të ngarkuara për raportim të jashtëm për të marrë masa më aktive për mbrojtjen e sinjalizuesve. Me aspekt të veçantë të organeve ligjzbatuese si Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike”, thuhet në rekomandime.

Gjithashtu, për mbrojtje sa më efikase dhe efektive, është e nevojshme që institucionet që sipas ligjit janë përgjegjëse për zbatimin e mekanizmave mbrojtës të koordinohen me njëra-tjetrën dhe të thellojnë bashkëpunimin.

“Avokatët dhe gjyqtarët duhet të trajnohen për mbrojtje më efikase të procedurave me sinjalizues, pra të mos lejojnë zgjatjen e procedurave gjyqësore që përfshijnë mbrojtjen e sinjalizuesve. Qeveria dhe Ministria e Financave duhet të sigurojnë më shumë fonde që do të promovojnë sistemin e mbrojtjes së sinjalizuesve dhe do të rrisin kapacitetet njerëzore për të arritur një rezultat më të mirë”, thuhet në raport.

Kujtojmë se në shtator të këtij viti, Transparency International-Maqedonia reagoi lidhur me Raportin e vitit 2023 për punën e prokurorive publike në RMV, pasi në të nuk kishte asnjë informacion për termin sinjalizues. Nga Transparency shtuan se duke marrë parasysh Ligjin për Mbrojtjen e Denoncuesve, Prokuroria Publike (PThP) ka autoritetin të krijojë një kanal sigurie për raportimin e jashtëm nga sinjalizuesit.