Trim Ismaili ngre alarmin për diskriminim në sport: Meritokracia po anashkalohet në listën e vauçerëve

Sportisti i njohur nga Shkupi, Trim Ismaili, njëherësh kampion i Maqedonisë në vazhdimësi në kategoritë U20, U23 dhe senior, ka reaguar publikisht ndaj listës së vauçerëve për vitin 2024-2025, duke ngritur shqetësime serioze për mungesë transparence dhe trajtim të pabarabartë të sportistëve si nga Federata e Mundjes, ashtu edhe nga Ministria e Sportit. Në reagimin […]

Prill 5, 2026 - 20:00
Trim Ismaili ngre alarmin për diskriminim në sport: Meritokracia po anashkalohet në listën e vauçerëve

Sportisti i njohur nga Shkupi, Trim Ismaili, njëherësh kampion i Maqedonisë në vazhdimësi në kategoritë U20, U23 dhe senior, ka reaguar publikisht ndaj listës së vauçerëve për vitin 2024-2025, duke ngritur shqetësime serioze për mungesë transparence dhe trajtim të pabarabartë të sportistëve si nga Federata e Mundjes, ashtu edhe nga Ministria e Sportit.

Në reagimin e tij, Ismaili thekson se ndjen obligim moral për të ngritur zërin kundër, siç e quan ai, një padrejtësie të qartë dhe një forme diskriminimi që po ndodh në sportin vendor.

Reagimi i plotë i mundësit Trim Ismaili:

Sot ndjej obligim moral me ngrit zërin për një padrejtësi të qartë dhe një formë diskriminimi që po ndodh në sportin tonë, konkretisht në listën e vaucherave për vitin 2024-2025.

Si sportist që kam punuar me përkushtim, sakrificë dhe disiplinë të vazhdueshme, është zhgënjyese të shoh që kriteret nuk po respektohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë. Rezultatet, mundi dhe arritjet nuk po vlerësohen siç duhet, ndërsa disa emra përfshihen pa transparencë të plotë.

Për të qenë i qartë: jam nënkampion ballkanik, medalist i bronztë në Ballkan, i renditur i 7-ti në Evropian, si dhe kampion i Maqedonisë në vazhdimësi në kategoritë U20, U23 dhe senior. Këto arritje janë rezultat i punës së palodhshme dhe përkushtimit maksimal, dhe meritojnë vlerësim të drejtë.

Fatkeqësisht, kjo situatë lë përshtypjen se federata e Maqedonisë po bën padrejtësi ndaj mundësve shqiptarë, duke mos i trajtuar në mënyrë të barabartë dhe duke mos i vlerësuar sipas meritës që u takon.

Kjo nuk është vetëm padrejtësi ndaj meje si Trim Ismaili, por ndaj çdo sportisti që jep maksimumin dhe pret që puna e tij të vlerësohet në mënyrë meritore. Sporti duhet të jetë shembull i drejtësisë, respektit dhe barazisë – jo i favorizimeve dhe përzgjedhjeve të paqarta.

Kërkoj publikisht më shumë transparencë, rishikim të vendimeve dhe respektim të meritokracisë. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një sport të shëndoshë dhe të drejtë për të gjithë.

#DrejtësiNëSport #JoDiskriminimit #Meritokraci