U linçua se ishte i dehur në emision, por sqarohet gazetari Kushtrim Sadiku

Gazetari i Kanal10, Kushtrim B Sadiku, ka reaguar publikisht pas kritikave dhe akuzave të shumta në rrjetet sociale lidhur me paraqitjen e tij në debatin e së enjtes, ku u pretendua se ishte në gjendje të dehur. Ai i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke sqaruar se gjendja e tij lidhej me probleme shëndetësore dhe […]

Prill 13, 2026 - 22:00
U linçua se ishte i dehur në emision, por sqarohet gazetari Kushtrim Sadiku

Gazetari i Kanal10, Kushtrim B Sadiku, ka reaguar publikisht pas kritikave dhe akuzave të shumta në rrjetet sociale lidhur me paraqitjen e tij në debatin e së enjtes, ku u pretendua se ishte në gjendje të dehur. Ai i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke sqaruar se gjendja e tij lidhej me probleme shëndetësore dhe trajtime mjekësore që po ndjek aktualisht.

Në një reagim të gjatë, Sadiku kërkon falje për situatën e krijuar, ndërsa thekson se dhimbjet nga një sëmundje e lukthit dhe trajtimet dentare i kanë vështirësuar komunikimin gjatë emisionit.

Reagimi i plotë i gazetarit:

“Të nderuar miq, fillimisht më lejoni të kërkoj falje për situatën e krijuar gjatë debatit të së enjtes.

Terapia që jam duke e marrë në drejtimin e një sëmundjeje të lukthit, problem të cilin e kam për disa vite rresht dhe trajtimi i implanteve dentare ma kanë vështirësuar mënyrën e komunikimit. Kjo më ka shkaktuar dhimbje dhe lodhje njëkohësisht, kombinim që nuk do t’ia dëshiroja askujt.

Gjithçka tjetër që po përflitet nëpër rrjete sociale nuk është e vërtetë.

Edhe në një situatë të vështirësuar, jam përpjekur të mos e lë emisionin pa e realizuar, siç kam bërë për 17 vjet rresht në TV, pa e humbur asnjë të vetëm, pavarësisht situatave të sëmundjeve apo vështirësive të ndryshme. Por, ja që në këtë rast doli një vlerësim jo i duhur.

Është njerëzore të gabohet dhe unë s’jam përjashtim.

Dua të nënvizoj respektin dhe peshën e madhe që Kosharja e ka për mua, fillimisht si një njeri i këtij vendi e pastaj edhe si gazetar. Kam realizuar dhjetëra emisione për Kosharen dhe jam shumë krenar për të gjitha ato.

Edhe një herë, shpreh keqardhje të thellë për këtë situatë të krijuar. E kuptoj kritikën dhe e vlerësoj mbështetjen tuaj. Nuk e mirëkuptoj stuhinë e llumit, por s’kam se si mos ta shoh që ajo ekziston, e drejtuar nga grupe të ndryshme ekstremistësh, grupe me motivacione politike, snajperistësh të rrjeteve sociale e dashakeqinjëve.

Insistoj se do të përpiqem maksimalisht të jem në krye të detyrës si autor i emisionit.

Shihemi pas pak në Politiko!” (INA)