U organizua marshi i bjeshkatarëve “Bllaca ‘99” në përkujtim të eksodit të shqiptarëve (FOTO)


Në përkujtim të eksodit të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999-të, Unioni i Shoqatave Bjeshkatare Shqiptare të Maqedonisë së Veriut së bashku me Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) sot kanë organizuar “Marshin e Paqes Bllaca ’99”, transmeton Portalb.mk.
Bjeshkatarët e Maqedonisë së Veriut të organizuar me autobusë u nisën në ora 07:30 nga Shkupi për në Kaçanik. Së bashku me bjeshkatarët tjerë, prej aty e nisën marshin nëpër shtegun malor, për të përkujtuar rrugët e refugjatëve shqiptar mes Kaçanikut dhe Hanit të Elezit, për të vazhduar deri te Qendra Memoriale “Bllaca ‘99”, vend ku ishin vendosur qindra mijëra refugjatë në prillin e vitit 1999.
Marshuesit e udhëhequr nga kryetari i Unionit, Fari Rexhepi, u pritën në Qendrën Memoriale nga Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi.
Unioni theksoi që përmes këtij marshi do të përkujtohet kjo ngjarje historike dhe do të respektohen viktimat e eksodit.
Përfundimi i agjendës u shënua në hapësirat e Shtëpisë së Kulturës “Imri Elezi”, ku u shpërndanë mirënjohje për shoqatat e bjeshkatarëve.