Taravari: ASH-ja do t’i bëjë VLEN-it dy oferta
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në një prononcim për mediat gjatë pauzës së mbajtjes së mbledhjes së Kuvendit të partisë në Gostivar tha se janë marrë vesh që Kryesia e ngushtë e ASH-së të angazhohet në gjetjen e një gjuhe të përbashkët me koalicionin VLEN, me synimin për të dalë së bashku në […]


Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në një prononcim për mediat gjatë pauzës së mbajtjes së mbledhjes së Kuvendit të partisë në Gostivar tha se janë marrë vesh që Kryesia e ngushtë e ASH-së të angazhohet në gjetjen e një gjuhe të përbashkët me koalicionin VLEN, me synimin për të dalë së bashku në zgjedhjet e ardhshme, transmeton Portalb.mk. Ai informoi se kjo parti me shumë gjasë, do të del veçmas me listat e tyre kandidatëve për këshillat komunalë kurse për kandidatët për kryetarë komune do kërkojnë bashkëpunim nga parti të ndryshme.
“Qëndrimi ynë i përbashkët është që ta ruajmë unitetin e VLEN-it deri në atomin e fundit,” deklaroi kreu i ASH-së, Arben Taravari.
Sipas tij, ASH nuk përjashton as opsione të tjera rezervë, por thekson se prioritet mbetet bashkëpunimi në kuadër të VLEN-it.
Një tjetër propozim që ASH i ka adresuar VLEN-it siç tha Taravari është realizimi i sondazheve të përbashkëta për të matur potencialin elektoral.
“Qëllimi final nuk është të fitojë vetëm Aleanca apo një parti tjetër, por të fitojë VLEN-i si koalicion. Historia ka treguar se kudo që ka qenë ASH, ai koalicion ka dalë fitues”, tha Taravari.
I pyetur për ofertën e Bekim Qokut, që e bëri në emër të liderëve të tjerë të VLEN, gjegjësisht që ASH të caktojë kandidat për Gostivarin, Strugën, Vrapçishtin, dhe të zgjedhë një prej Likovë/Haraçinë/Studeniçan dhe një prej Bërvenicës/Çashkës, Taravari tha se edhe ASH do t’i bëjë dy oferta VLEN-it.
“Ne nuk e dimë ata si i kanë ndarë mes vete, na intereson të shohim si është ndarja. Na intereson çfarë merr Besa, ku është Alternativa, ku është LD-ja. Kjo është shumë e rëndësishme për ne, gjithashtu edhe ne do të kemi dy oferta të tona drejtuar VLEN-it. Nëse nuk arrijmë marrëveshje me VLEN-in për listat e këshilltarëve, ASH gjithsesi do del vet me këto lista këshilltarësh, ndërkaq për kryetarë komunash do të shohim edhe me parti të tjera.”, tha mes tjerash Taravari.
I pyetur nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisë ASH-ja, në rast se ndahet nga koalicioni VLEN, Arben Taravari tha se për momentin kanë raporte të mira me kryeministrin Hristijan Mickoski, por që ASH-ja nuk e ka problem edhe daljen nga qeveria.
“Kjo është e parëndësishme, ne jemi pjesë e qeverisë, vazhdojmë ta japim kontributin tonë, nëse dikush mendon se nuk duhemi atje, nuk e kemi problem aspak. Unë mendoj se me kryeministrin Mickoski kemi raporte korrekte, besoj se do të vazhdojmë. Në moment që e shohim se diçka nuk shkon si duhet, atëherë e themi, atë dhe publikisht dalim, s’është asnjëfarë problemi, por për momentin raportet janë korrekte dhe besoj se vazhdojnë”, tha mes tjerash Taravari.
Ai mohoi se krahu i tij i partisë ka synime për ribashkim me krahun e Ziadin Selës.
I pyetur nëse ka pasur oferta që ASH të bëhet bashkë me BDI-në në zgjedhje lokale, Taravari tha:
“Jo, jo, nuk ka pasur nga BDI-ja ofertë. Nuk ka pasur realisht as negociata nga BDI-ja. Në moment nëse vendosim për ashtu, do të jetë kjo shumë transparente”, tha Taravari.
Isen Shabani nga ASH-ja e Selës kaloi në ASh-në e Taravarit, njoftoi ai duke shtuar se Idriz Orana u zgjodh nënkryetar i kësaj partie.
U miratua rezoluta mbi tragjedinë në Koçan dhe domosdoshmërinë e llogaridhënies institucionale
Në mbledhjen e Kuvendit të kësaj partie u miratua një rezolutë me tetë pika ku mes tjerash kërkohet zhvillimi i një hetimi të plotë, të pavarur dhe transparent mbi tragjedinë në Koçan, siç thonë “nën drejtimin e institucioneve kompetente, të çliruara nga çdo ndikim politik, me detyrim për informim të rregullt dhe publik të qytetarëve për ecurinë dhe gjetjet e hetimit.”
Gjithashtu mes tjerash kjo parti kërkon “rihapjen e hetimeve për tragjeditë e mëhershme, Durmo Turs, Besa Trans dhe Spitali Modular në Tetovë, të cilat së bashku kanë marrë jetën e 135 qytetarëve dhe për të cilat ende nuk është vendosur përgjegjësi institucionale apo individuale.” thuhet në përmbajtjen e rezolutës.
Në pikën tre thuhet “Kërkohet identifikimi dhe përcaktimi i qartë i përgjegjësisë, si individuale ashtu edhe institucionale, përmes analizës së thelluar të shkaqeve të dështimeve sistemike, duke adresuar neglizhencën, paaftësinë dhe praktikat korruptive.”