UNICEF: 600 fëmijë janë vrarë ose plagosur në Liban që nga 2 marsi 2026

Agjencia e OKB-së për fëmijët, UNICEF, ka raportuar se pothuajse 600 fëmijë janë vrarë ose plagosur në Liban që nga shpërthimi i konfliktit të fundit mes Izraelit dhe Hezbollahut më 2 mars. Sipas UNICEF-it, vetëm gjatë valës së bombardimeve të së mërkurës nga forcat izraelite, më shumë se 30 të mitur humbën jetën dhe rreth 150 […]

Prill 10, 2026 - 19:00
UNICEF: 600 fëmijë janë vrarë ose plagosur në Liban që nga 2 marsi 2026

Agjencia e OKB-së për fëmijët, UNICEF, ka raportuar se pothuajse 600 fëmijë janë vrarë ose plagosur në Liban që nga shpërthimi i konfliktit të fundit mes Izraelit dhe Hezbollahut më 2 mars.

Sipas UNICEF-it, vetëm gjatë valës së bombardimeve të së mërkurës nga forcat izraelite, më shumë se 30 të mitur humbën jetën dhe rreth 150 të tjerë u plagosën.

Në një deklaratë zyrtare, agjencia theksoi se situata humanitare është alarmante. Raportohet se fëmijë po nxirren nga rrënojat, ndërsa të tjerë rezultojnë ende të zhdukur ose të ndarë nga familjet e tyre.

Shumë po përjetojnë trauma të rënda psikologjike, pasi kanë humbur të afërmit, shtëpitë dhe çdo ndjenjë sigurie.

Në të gjithë vendin, mbi një milion njerëz janë zhvendosur, përfshirë rreth 390 mijë fëmijë. Sipas UNICEF-it, shumë prej këtyre fëmijëve janë detyruar të largohen nga shtëpitë disa herë, për herë të dytë, të tretë apo edhe të katërt.

Agjencia rikujtoi se e drejta ndërkombëtare humanitare është e qartë: civilët, përfshirë fëmijët, duhet të mbrohen në çdo kohë.