Vajza e gruas të arrestuar në Ulqin: Qeni i Sharrit na sulmoi dhe mbyti qenin tonë

Vajza e gruas nga Maqedonia e Veriut, e cila u arrestua në Ulqin pasi me automjet shtypi një qen, pretendon se qeni i racës Sharrit fillimisht kishte sulmuar dhe vrarë qenin e tyre, e më pas kishte sulmuar edhe anëtarët e familjes. Në një p...

Korrik 26, 2026 - 00:30
Vajza e gruas të arrestuar në Ulqin: Qeni i Sharrit na sulmoi dhe mbyti qenin tonë

Vajza e gruas nga Maqedonia e Veriut, e cila u arrestua në Ulqin pasi me automjet shtypi një qen, pretendon se qeni i racës Sharrit fillimisht kishte sulmuar dhe vrarë qenin e tyre, e më pas kishte sulmuar edhe anëtarët e familjes.

Në një prononcim për mediat, ajo tha se në video shihet edhe qeni i tyre i vogël i racës Shih Tzu, i cili, sipas saj, u copëtua nga Sharplaninaci, një qen me peshë mbi 50 kilogramë, pasi kishte hyrë në apartamentin ku po qëndronin.

“Qeni i Sharrit hyri në apartamentin tonë dhe e copëtoi qenin tonë para syve tanë. Nuk kishim asnjë mundësi ta mbronim apo ta shpëtonim, sepse bëhej fjalë për një qen shumë agresiv, i cili më pas sulmoi edhe mua dhe vëllanë tim të mitur. Qeni u godit vetëm për ta larguar nga unë dhe nga qeni ynë, i cili fatkeqësisht ngordhi”, deklaroi ajo.

Ajo shtoi se Sharplaninaci kishte pronar dhe se pas ngjarjes ai, së bashku me disa miq të tij, i kishte kërcënuar para apartamentit. Sipas saj, shtypja e qenit me automjet ishte një përpjekje e nënës së saj për të mbrojtur fëmijët dhe kafshën e tyre shtëpiake.

Ndërkohë, Prokuroria në Ulqin njoftoi se gruas i është caktuar masa e ndalimit prej 72 orësh, pasi dyshohet për veprën penale vrasje dhe keqtrajtim të kafshëve, si dhe shkatërrim të habitatit të tyre. përcjell Zhurnal.mk .


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.