Vazhdoi rigjykimi për zjarrin në modular, në maj do të thuhen fjalët përfundimtare 

Me prezantimin e dëshmive të dhëna nga dëshmitarët nga gjykimi paraprak, sot në Gjykatën e Tetovës vazhdoi rigjykimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku u dogjën 14 persona. Fjalët përfundimtare për këtë rast pritet të thuhen më 12 maj, shkruan Portalb.mk.  Prokuroria prezantoi dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët e tyre, të cilat u dhanë […]

Prill 22, 2025 - 18:00
 0  6
Vazhdoi rigjykimi për zjarrin në modular, në maj do të thuhen fjalët përfundimtare 
Avokatët e të akuzuarve për zjarrin në spitalin modular në Tetovë (seanca e rigjykimit më 22 prill 2025). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Me prezantimin e dëshmive të dhëna nga dëshmitarët nga gjykimi paraprak, sot në Gjykatën e Tetovës vazhdoi rigjykimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku u dogjën 14 persona. Fjalët përfundimtare për këtë rast pritet të thuhen më 12 maj, shkruan Portalb.mk. 

Prokuroria prezantoi dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët e tyre, të cilat u dhanë në gjykimin e parë. Për shkak të efikasitetit të procedurës gjyqësore, këto dëshmitarë nuk u ftuan të dëshmojnë në seancë.

Mbrojtja e Florin Besimit kishte planifikuar që të vijnë të dëshmojnë tre dëshmitarë, megjithatë të njëjtët nuk u paraqitën në seancë. Andaj kjo u tërhoq si pikë, ndërsa u ra dakord që për bazë të merren dëshmitë e dhëna në gjykimin e parë. 

Mbrojtja e Besimit gjithashtu kërkoi që të dëgjohen ekspertët të cilët e kanë përgatitur ekspertizën pas zjarrit, por kjo nuk u pranua. 

Gjykatësi më pas pyeti prokurorët dhe mbrojtjen nëse janë të gatshëm që të thonë fjalët përfundimtare sot. 

Prokuroria u shpreh e gatshme, ndërkaq avokatët e të akuzuarve kërkuan që gjykata të ju jep kohë që të përgatiten për fjalët përfundimtare. 

Seanca e radhës ku pritet të thuhen fjalët përfundimtare do të mbahet më 12 maj në ora 10:00. 

Të akuzuarit për zjarrin në spitalin modular të Tetovës: Florin Besimi, Artan Etemi (seanca e rigjykimit më 22 prill 2025). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Të akuzuarit për zjarrin në spitalin modular të Tetovës: Florin Besimi, Artan Etemi (seanca e rigjykimit më 22 prill 2025). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në këtë rast akuzohen ish drejtori mjekësor i spitalit Florin Besimi, ish drejtori Ekonomik Artan Etemi dhe Spitali i Tetovës si person juridik.

Besimi dhe Etemi, akuzohen për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë publike”, ndërsa ISHP Spitali Klinik i Tetovës për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Rasti rigjykohet pasi Gjykata e Apelit të Gostivarit e ka kthyer lëndën në Gjykatën Themelore në Tetovë. 

Megjithatë, të akuzuarit nuk akuzohen për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.

Në ndërkohë, Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po zhvillon një hetim tjetër për këtë rast, i cili është në procedurë para hetimore.

Të akuzuarit për zjarrin në spitalin modular të Tetovës: Florin Besimi, Artan Etemi (seanca e rigjykimit më 22 prill 2025). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Të akuzuarit për zjarrin në spitalin modular të Tetovës: Florin Besimi, Artan Etemi (seanca e rigjykimit më 22 prill 2025). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Deri më tani janë mbajtur shtatë seanca të rigjykimit

8 prill 2025 u lexuan provat nga ana e avokatëve të akuzuarve.

Më 3 prill 2025 prokurorët publikë paraqitën provat, ndërsa nga prokuroria dhe mbrojtja e të akuzuarve u morën në pyetje ekspertët të cilët kanë bërë ekspertizë menjëherë pas zjarrit.

Më 18 mars 2025 prokuroria ka paraqitur titujt e provave dhe prezantoi video dëshmitë, për të cilat pati kundërshtime nga avokatët, të akuzuarit thanë se nuk ndjehen fajtorë. Nga kjo seancë u ndryshua gjykatësi, në vend të Jordan Vellkovskit erdhi Rexhep Musa.

Më 15 janar 2025 seanca u anulua pasi gjykatësi Jordan Vellkovski ishte në pushim mjekësor.

Më 5 nëntor 2024 seanca u shty për shkak të mungesës së gjyqtarit Jordan Vellkovski. 

Më 25 shtator 2024 seanca nuk u mbajt për shkak të mungesës së avokatit të njërit prej të akuzuarve. 

Më 26 qershor 2024 seanca u shty për shkak të mungesës së përfaqësuesve të Spitalit Klinik të Tetovës. 

Pse erdhi deri te rigjykimi?

Pas gjykimit të parë në Gjykatën e Tetovës i cili përfundoi në qershor 2023, ku në bankën e të akuzuarve ishin ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit dhe Spitali i Tetovës, Gjykata e Apelit në Gostivar në maj 2024 vendosi që ta kthejë nga fillimi procedurën ndaj drejtorëve, pasi aktgjykimi i parë ka qenë i paqartë.

Prokuroria ka kërkuar që drejtorëve tu jepen dënime më të ashpra, ndërsa aktgjykimi lirues për mjekun të anulohet dhe lënda të kthehet në rigjykim.

Në rigjykim është kthyer një pjesë e lëndës kundër dy ish drejtorëve të spitalit të Tetovës. Ndërsa aktgjykimin lirues për mjekun Boban Vuçevski e konfirmoi edhe Gjykata e Apelit në Gostivar.

Nga Gjykata e Apelit në aktgjykim kanë theksuar se Gjykata e Tetovës “nuk ka vepruar me kujdesin e duhur që të mund t’i vërtetojë me siguri të gjitha faktet juridike relevante”.

“Aktgjykimi është i paqartë, i pakuptueshëm dhe i papërshtatshëm për shqyrtim”, thuhet në atkgjykimin e Apelit.

Gjykimi i parë, jo për shkaqet e zjarrit

Në lidhje me zjarrin në modular pati një proces të gjatë gjyqësor me disa seanca, megjithatë askush nuk u thirr në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Drejtorët u dënuan në shkallën e parë sepse në spitalin modular nuk ka pasur aparate për fikjen e zjarrit, ndërsa mjeku u lirua nga përgjegjësia sepse në spitalin për Kovid-19 kishte futur njerëz nga jashtë.

Prokuroria ngriti aktakuzë për shkak se nuk ka pasur aparate për shuarjen e zjarrit, por jo edhe për shkaqet e zjarrit.

Dokumentari i IRL-së, nxori në pah “të palarat”

Dokumentari “Vrasje në Tetovë”, të cilin IRL e publikoi në gusht 2023 tregon për një sërë lëshimesh gjatë ndërtimit të spitalit modular që sollën deri tek shpërthimi i zjarrit, edhe pse autoritetet u përpoqën ta përshkruajnë atë si një aksident të shkaktuar nga një lidhje e shkurtër e kabllos vazhduese.

Lëshime u konstatuan edhe në specifikimin teknik, në ndërtim, por edhe më pas në hetim. Në vend se si ndërtim, spitali është evidentuar si pajisje urbane, për të cilën nuk ka nevojë të respektohet ligji për ndërtim.

Çfarë ndodhi?

Me 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarr i tmerrshëm i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht.

Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.

Në lidhje me mos sjelljen e drejtësisë për zjarrin e modularit, familjarët dhe qytetarët kanë organizuar disa protesta ku është kërkuar të hapet proces gjyqësor për shkaqet e zjarrit.