Vdekja e punëtorit në Prizren, Inspektorati i Punës: Ndërmarrjes ia ndaluan punimet, por nuk respektuan vendimin
Një punëtor 34 vjeçar humbi jetën sot pasi ra nga skelet në vendin e punës në Prizren. Lidhur me rastin tragjik ka reaguar Inspektorati i Punës përmes një postimi në Facebook, ku thekson se ndaj subjektit afarist ku ndodhi aksidenti ishte inspektuar më herët dhe ishte urdhëruar ndalimi i përkohshëm i punimeve për shkak të


Një punëtor 34 vjeçar humbi jetën sot pasi ra nga skelet në vendin e punës në Prizren.
Lidhur me rastin tragjik ka reaguar Inspektorati i Punës përmes një postimi në Facebook, ku thekson se ndaj subjektit afarist ku ndodhi aksidenti ishte inspektuar më herët dhe ishte urdhëruar ndalimi i përkohshëm i punimeve për shkak të shkeljeve të rënda të standardeve të sigurisë në punë. Por, pavarësisht kësaj, sipas Inspektoratit, kompania nuk e kishte respektuar vendimin, duke vazhduar aktivitetin në kundërshtim me ligjin. Për këtë, ndaj saj ishte shqiptuar edhe një gjobë tjetër para se të ndodhte tragjedia, transmeton Klankosova.tv.
“Pas daljes në vendin e ngjarjes dhe shqyrtimit të rrethanave, është konstatuar se subjekti në fjalë kishte qenë më herët objekt i inspektimeve nga Inspektorati i Punës, në kuadër të aksioneve të ndërmarra në sektorin e ndërtimit në rajonin e Prizrenit. Gjatë inspektimit të fundit, për shkak të shkeljeve të rënda të dispozitave për siguri dhe shëndet në punë, ishte marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve dhe ishte shqiptuar gjobë ndaj subjektit. Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi ligjor, subjekti nuk e kishte respektuar ndalimin dhe kishte vazhduar punimet në kundërshtim me urdhrin e inspektoratit, për çka i ishte shqiptuar edhe një gjobë tjetër”, shkroi Inspektorati.
“Inspektorati po ashtu ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e punëtorit të ndjerë.
“Ky rast tregon edhe njëherë rëndësinë e respektimit të vendimeve të Inspektoratit të Punës dhe të standardeve ligjore për siguri në punë, të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve”.
