Viti 2024 me zigzage politike në RMV, spikatën ndryshimi i pushtetit, presidentja e parë grua dhe kryeministri i parë shqiptar
Në vitin 2024, Maqedonia e Veriut përjetoi ndryshime të mëdha politike. Në janar, u formua qeveria teknike me Talat Xhaferin, duke e bërë atë kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Kjo Qeveri përgatiti vendin për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 8 majit 2024. Gordana Siljanovska-Davkova fitoi zgjedhjet presidenciale, duke mposhtur Stevo Pendarovskin dhe […]
Në vitin 2024, Maqedonia e Veriut përjetoi ndryshime të mëdha politike. Në janar, u formua qeveria teknike me Talat Xhaferin, duke e bërë atë kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Kjo Qeveri përgatiti vendin për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 8 majit 2024. Gordana Siljanovska-Davkova fitoi zgjedhjet presidenciale, duke mposhtur Stevo Pendarovskin dhe u bë presidentja e parë grua e vendit. Partia VMRO-DPMNE, e udhëhequr nga Hristijan Mickoski, fitoi zgjedhjet parlamentare, duke siguruar 58 vende dhe duke shkaktuar debakël të thellë për LSDM-në. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) humbi pushtetin pas 20 vjetësh, duke i lënë vendin koalicioneve të reja politike. Gjatë këtij viti, pati përplasje politike për Balancuesin dhe Ligjin për Gjuhët. Përgjithësisht, këto ngjarje kanë formësuar peizazhin politik të vendit gjatë vitit 2024, shkruan Portalb.mk.
Ndryshimet në pushtetin ekzekutiv
Gjatë vitit 2024 pati dy raste kur u ndryshua pushteti ekzekutiv.
- 25 Janar 2024: Dimitar Kovaçevski dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, ndërsa Talat Xhaferi nga posti i kryeparlamentarit.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski personalisht dorëzoi dorëheqjen në Kuvend, që do të thotë se e gjithë Qeveria dha dorëheqje deri në zgjedhjen e qeverisë teknike. Pas tij, dorëheqje dha edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në përputhje me Nenin 115 të Rregullores për punën e Kuvendit. Ai e autorizoi nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Goran Misovskin, të kryesojë me seancën plenare të caktuar më 26 janar 2024,.
- 29 Janar 2024: U zgjodh Qeveria teknike me në krye Talat Xhaferin, kryeministrin e parë shqiptar në historinë e vendit.
Me vota 65 “për” dhe 3 “kundër”, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e zgjodhi qeverinë e re teknike në krye me Talat Xhaferin. Në këtë përbërje me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të, Punës dhe Politikës Sociale udhëhoqën kuadrot e VMRO-DPMNE-së atëkohë opozitare, e cila nuk e votoi qeverinë.
- 23 Qershor 2024: Hristijan Mickoski u emërua Kryeministër i Maqedonisë së Veriut pas votimit në Kuvend.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 77 vota “për”, votoi zgjedhjen e Qeverisë së Maqedonisë ë Veriut, 22 deputetë votuan “kundër”, ndërsa nuk kishte “abstenim”. Kryeparlamentari Afrim Gashi e konstatoi zgjedhjen e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut me kryeministër Hristijan Mickoskin.
Zgjedhjet, pushteti legjislativ dhe fitorja e Siljanovska Davkovës
- 8 Maj 2024: U mbajtën zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale
Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultateve të 8 majit, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 18, LSDM 18, VLEN 14, E Majta 6 dhe ZNAM 6.
Pas fitores në zgjedhje, Qeveria dhe shumica parlamentare u formua nga VMRO-ja, VLEN-i dhe ZNAM-i.
Me fitoren në zgjedhjet parlamentare të VMRO-DPMNE dhe VLEN formuan grupet e punës dhe filluan bisedimet për formimin e Qeverisë.
- 12 Maj 2024: Siljanovska Davkova u bë presidentja e parë grua
Gordana Siljanovska Davkova, në rrethin e dytë të zgjedhjeve të shtata presidenciale u zgjodh presidentja e parë grua në historinë e Maqedonisë së Veriut me një diferencë prej mbi 300 mijë vota nga kundër kandidati i saj, presidenti i deriatëhershëm Stevo Pendarovski.
Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska Davkova garuan me njëri tjetrin edhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2029, ku aso kohe Pendarovski fitoi.
Davkova, presidentja e parë grua e vendit, më 12 maj dha deklaratë solemne para deputetëve të përbërjes së mëparshme parlamentare, pas së cilës edhe zyrtarisht filloi mandati i saj pesëvjeçar.
- 28 Maj 2024: Afrim Gashi u zgjodh kryetar i Kuvendit të RMV-së
Kryetar i Kuvendit u zgjodh Afrim Gashi. Për zgjedhjen e Gashit për kryetar të Kuvendit, 76 deputetë votuan “pro” nga 82 të pranishëm, gjashtë ishin “kundër”, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.
Koalicione të reja dhe përplasje midis partive
- 4 Shkurt 2024: Filloi ndarja e Aleancës për Shqiptarët në dy krahë
Arben Taravari dhe Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin parazgjedhor me opozitën shqiptare në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 2024. Me këtë Aleanca për Shqiptarët u përça në dy fronte. Në krahun e Taravarit i cili në zgjedhje shkoi bashkë me opozitën shqiptare si koalicioni VLEN (Lëvizja Besa, Alternativa Lidhja Demokratike). Si dhe në krahun e Ziadin Selës i cili në zgjedhje garoi me “Frontin Evropian” (Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja Populli, Partia Demokratike Evropiane, Partia Demokratike Turke Unioni i Romëve, Lëvizja e Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci, Unioni Demokratik Boshnjak).
Pas zgjedhjeve, Aleanca e Taravarit hyri në Qeveri si pjesë e koalicionit VLEN, ndërsa Aleanca e Selës mbeti në opozitë me Frontin Evropian.
- 17 shkurt 2024: Koalicioni VLEN nënshkroi deklaratë për bashkim
Para mbajtjes së zgjedhjeve, pozita shqiptare u bashkua. Lëvizja BESA, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Arben Taravarit) dolën bashkë në zgjedhje si Lidhja Evropiane për Ndryshim (VLEN). Liderët e partive ishin bartës lisash në zonat zgjedhore nga ku vijnë.
- Mars 2024: BDI filloi mobilizimin duke krijuar Frontin Evropian
Me fuqizimin e opozitës, BDI-ja filloi ta marrë seriozisht situatën dhe filloi mobilizimin. Ajo formoi “Frontin Evropian” të përbërë nga Aleanca për Shqiptarët (krahu i Ziadin Selës), Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), Partia Demokratike Evropiane (PDE), Lëvizja Populli (LP), Lëvizja e Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci (LTMDM), Unionin e Romëve (UR) dhe Partia Demokratike Turke (PDT).
Këto koalicione luajtën një rol kyç në formësimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe në ndarjen e mandateve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Çështjet gjyqësore dhe korrupsioni:
- 9 Tetor 2024: Gjykata Kushtetuese shfuqizoi mekanizmin “Balancuesi”
Në tetor, Gjykatësit Kushtetues të Maqedonisë së Veriut dërguan në histori instrumentin që ka balancuar përfaqësimin etnik në administratën shtetërore. Përpos që tashmë nuk do të kërkohet përkatësia etnike në konkurse, në të ardhmen do të jetë e vështirë të ketë statistika se sa prej atyre që paguhen me paratë e taksapaguesve për t’ju kryer shërbime administrative janë maqedonas, shqiptarë apo të përkatësive tjera etnike në Maqedoninë e Veriut.
Instrumenti balancues rrënjët i ka në Marrëveshjen e Ohrit ndërkaq lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse me të bëhen abuzime gjatë punësimit, sipas ish-kryetares të Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska, zbatimi i dispozitave ligjore të kontestuara kërcënon liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit, shprehjen e lirë të përkatësisë kombëtare, përfaqësimin e duhur dhe të drejtë të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve në organet e qeverisjes shtetërore dhe të institucioneve të tjera publike dhe të sundimit të ligjit të garantuar me dispozitat e Kushtetutës.
- 11 Dhjetor 2024: Ligji për Gjuhët para Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese më 11 dhjetor shtyu vendimin për Ligjin e Gjuhëve, duke kërkuar konsultime shtesë dhe këshillime me ekspertë të huaj. Ky ligj është i rëndësishëm për të garantuar përdorimin e gjuhës shqipe në administratën shtetërore dhe institucione të tjera, dhe ka shkaktuar tensione për shkak të interpretimit të mundshëm të tij si kërcënim për gjuhën maqedonase dhe balancimin e pushtetit ndërmjet grupeve etnike.
Kjo çështje u bë temë përplasjeje mes partive politike. Më 8 dhjetor, përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut Fronti Evropian vendosi të “kujdestarojë gjuhën”. BDI bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” e cila erdhi si formë proteste ndaj seancës së Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, një ditë pas shpalljes së kësaj nisme, anëtari më “aktiv” i BDI-së, Artan Grubi, hyri në listën e zezë të SHBA-ve, gjë që zbehu nismën.
- 09 Dhjetor 2024: Artan Grubi hyri në listën e zezë dhe filloi të ndiqej penalisht
Ish-zëvendëskryeministri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti u futën në Listën e Zezë të SHBA-ve e cila lidhet me personat e korruptuar. Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe në prag të Ditës së të Drejtave të Njeriut, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler informoi se e kanë zgjeruar Listën e Zezë, ndërsa po ndërmarrin veprime për të promovuar përgjegjësinë për autorët e korrupsionit dhe abuzimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën.
Më 17 dhjetor, Departamenti për luftimin e krimit të organizuar i Prokurorisë dorëzoi kallëzime penale kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë, në Prokurorinë Publike. Ata akuzohen për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”. Grubi dhe Bajrami akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin e Lotarisë me mbi 501 milionë denarë.
Transporti publik në Shkup,peng i inateve politike
Që në fillim të vitit, transporti publik ishte në qendër të vëmendjes. Transporti shpesh brenda vitit ishte peng i inateve politike mes Danella Arsovskës dhe VMRO-DPMNE-së. Kjo e fundit, shpesh nuk i votonte propozimet e Arsovskës në Këshill. Transportuesit privat vazhdimisht janë larguar nga qarkullimi, për shkak të siç thonë ata, borxheve që u ka NTP Shkup. Dëmin më të madh të këtyre inateve politike, po e përjetojnë qytetarët, të cilët edhe sot e kësaj dite, presin me orë të tëra autobusë.
Siç mund të shihet, viti 2024 ka pasur ngjarje të rëndësishme dhe dinamika interesante për Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë kujtojmë se edhe viti 2023 në skenën politike të Maqedonisë së Veriut ka qenë me batica e zbatica, herë periudha të qeta e herë me vendime skandaloze. Ndryshimet që ndodhën në Kodin Penal ishin një nga vendimet që u kritikua ashpër si nga mediat, ashtu edhe nga ekspertët dhe faktori ndërkombëtar. Përveç kësaj, ky vit pati lëvizje partish në pushtetin ekzekutiv, dy parti shqiptare ndërruan vendet, njëra nga pushteti kaloi në opozitë, tjetra nga opozita në pushtet. Në fund të po këtij viti u vendos që data e zgjedhjeve të dyfishta të jetë 8 maji, ndërsa qeverinë teknike, ashtu siç kishin rënë dakord parterët e koalicionit LSDM-BDI ta udhëheqë një kryeministër shqiptar dhe ai ishte Talat Xhaferi.