Mjekëve të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut iu “digjen xhepat”, kërkojnë ndihmë më të madhe nga autoritetet

Të jesh student i mjekësisë në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi në Shkup do të thotë të harxhosh shuma të papërballueshme, sidomos nëse je student që vjen nga qytetete e tjera të RMV-së. Shpenzimet mujore arrijnë shuma të larta prej mijëra denarëve ku përfshihen çmimet e larta të shkollimit, banimit, udhëtimit, ushqimit dhe të tjera. […]

Nëntor 24, 2024 - 13:00
 0  6
Mjekëve të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut iu “digjen xhepat”, kërkojnë ndihmë më të madhe nga autoritetet
Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM), Shkup / foto: Meta.mk

Të jesh student i mjekësisë në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi në Shkup do të thotë të harxhosh shuma të papërballueshme, sidomos nëse je student që vjen nga qytetete e tjera të RMV-së. Shpenzimet mujore arrijnë shuma të larta prej mijëra denarëve ku përfshihen çmimet e larta të shkollimit, banimit, udhëtimit, ushqimit dhe të tjera. Pavarësisht ndihmave nga shteti, studentët kërkojnë më shumë lehtësime sepse sipas tyre masat aktuale nuk janë të mjaftueshme, shkruan Portalb.mk.

Studentët e mjekësisë nga “Shën Kirili dhe Metodi” me të cilët bisedoi Portalb.mk ankohen për standard studentor të papërballueshëm.

Për shkak të harxhimeve të mëdha, pauzoi një vit

Sikur librat të ishin pa pagesë, studentja e vitit të katërt nga fshati Hotël i Komunës së Kumanovës nuk do të kishte ndërprerë studimet dhe të pauzojë për një vit për shkak të harxhimeve të larta.

“Librat i fotokopjojmë dhe praktikumet kushtojnë 500 denarë, atlaset e kemi patjetër t’i blejmë. Unë jetoj në fshat dhe deri në Shkup mua për një muaj më kushton rruga mbi 10.000 denarë, dhe kjo gjë është e pa përballueshme për mua si studente, megjithëse transporti për ne studentët brenda qytetit të Shkupit është falas”, tha studentja.

“Harxhoj mbi 12 mijë denarë në muaj”

Harxhimet e një studenteje nga Gjevgjelia e cila banon në Shkup, shkojnë në mbi 12 mijë denarë.

“Unë banoj në Shkup dhe jemi tre shoqe në një dhomë dhe paguajmë 130 euro qiranë dhe faturat. Ndërsa për ushqimin shpenzoj prej 2.000 – 2.500 denarë në javë, plus vakti i studentëve nga Ministria e Arsimi, por nëse dalim ndonjëherë për në fundjavë më duhen 1.000 denarë. Për literaturë shpenzimet janë mbi 4.000 denarë, dhe shumicën e librave i kam origjinale. Njoh studentë që shpenzojnë edhe më shumë se unë, dhe mendoj se duhet të ketë më shumë zbritje për studentët në kategori të ndryshme”, tha studentja e vitit të dytë nga Gjevgjelia.

Librat e shtrenjtë, një nga faktorët kryesorë të harxhimeve

Një student i vitit të dytë nga Struga thotë se harxhimet mujore prekin tavanin dhe se standardi studentor në RMV është bërë i papërballueshëm.

“Për një semestër unë paguaj 6.000 denarë, plus 750 denarë paguaj për aktivitete kulturore dhe sportive, dhe shpenzoj rreth 250 euro për qiranë e banesës së bashku me energjinë elektrike dhe ujin. Kurse për transport Strugë-Shkup- Strugë 900 denarë në javë komplet 3.600 denarë në muaj nëse udhëtoj çdo fundjavë, dhe për këtë mendoj se çdo student duhet të ketë transport falas prej në shtëpi, jo vetëm brenda qytetit të Shkupit. Rreth 2.500 ose 3.500 denarë në javë për ushqim dhe gjërat e tjera. Për literaturë në semestrin e parë me libra të kopjuara kam harxhuar 3.000 denarë, dhe jo me libra origjinale”, tha studenti nga Struga.

Ai theksoi se librat duhet të jenë me çmime më të lira, ose falas sepse me libra të fotokopjuara është problem të mësojnë sepse nuk janë aspak kualitative dhe nuk kanë fotografi të pastër.

Një studente e vitit të katërt nga Haraçina përmendi çmimet e librave si një nga faktorët kryesorë që rëndojnë xhepin e tyre.

“Edhe pse jam me kuotë shtetërore për një semestër paguaj 6.000 denarë, dhe ka raste kur te ndonjë lëndë të vitit të kaluar mbesim më mbrapa më duhet të paguaj 200 denarë për një kredi. Ndërsa librat më kushtojnë më shtrenjtë edhe pse në shumicën e rasteve i fotokopjojmë ato mirëpo një libër me 600 faqe për ta kopjuar më kushton prej 1.200 – 1.400 denarë, dhe një atllas kushton 6.000 denarë dhe këtë e kemi patjetër ta blejmë dhe për mua si studente e mjekësisë me të vërtetë më kushton shumë, mos ta llogarisim për 6-7 vite deri në përfundimin e studimeve”, tha studentja.

Kuvendi Studentor i UKM-së: kostoja e lartë e panevojshme e librave krijon pengesa

Portalb.mk bisedoi edhe me Aleksandar Nikollovskin, kryetarin e Kuvendit Studentor të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”. Ai thotë se në një situatë ku arsimi duhet të jetë sa më i qasshëm për të gjithë, dhe sipas tij kostot e larta të panevojshme për librat krijojnë pengesa, sepse shumica e studentëve vijnë nga familje me të ardhura mesatare ose nën mesataren.

“Problemi i çmimeve të larta të librave kërkon një qasje sistematike dhe përpjekje të koordinuara nga universiteti, studentët dhe shteti. Është e nevojshme të krijohen kushte që do t’u mundësojnë të gjithë studentëve të mësojnë dhe të përparojnë pa pengesa financiare. Zgjidhja e propozuar përmes krijimit të një biblioteke universitare të centralizuar si një mjet kryesor për sigurimin e qasjes në libra dhe materiale të tjera mësimore mund të ketë efekte pozitive afatgjata për studentët e UKIM-it” tha Nikollovski.

Ai theksoi se rritja e fondit të bibliotekës me botime të reja të librave më të përdorura dhe mundësia për huazim më afatgjatë do t’u jepte studentëve mundësinë për të marrë literaturën e nevojshme pa kosto shtesë.

Modernizimi i bibliotekës me më shumë libra elektronikë dhe qasje digjitale sipas Nikollovskit gjithashtu do të rrisë kapacitetin dhe efikasitetin e saj, dhe se organizimi i ngjarjeve për shkëmbimin e librave të përdorura do të nxiste solidaritetin dhe do t’u mundësonte studentëve të merrnin libra me kosto të ulët ose falas.

Për këto ankesa të studentëve nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” Shkup nuk u përgjigjen në pyetjet gazetareske.

FNA kërkon arsimi publik në RMV të jetë falas

Ndërsa nga Forumi për Ndryshim në Arsim (FNA) theksuan se arsimi publik në Maqedoninë e Veriut është tejet i shtrenjtë dhe se studentët nuk e paguajnë vetëm me para, por edhe me shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

“Ne si FNA kemi kërkuar vazhdimisht që arsimi publik në Maqedoni të jetë falas. Për të marrë shembull pozitiv se si duhet të bëhet kjo, s’ka nevojë të shkojmë shumë larg, mjafton të merret Kosova, atje studentët e universiteteve publike s’paguajnë asnjë cent për semestër. Arsimi falas është thelbësor për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë të rinjtë, pavarësisht prejardhjes së tyre socio-ekonomike”, thanë nga Forumi për Ndryshim në Arsim.

MASH: Arsimi i lartë nuk është i detyrueshëm 

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se në Maqedoninë e Veriut arsimi i lartë nuk është i detyrueshëm sipas Kushtetutës dhe dispozitave ligjore, por ata theksuan se të rinjtë i stimulojnë duke iu dhënë bursa në kategori të ndryshme.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës angazhohet për të stimuluar sa më shumë të rinj që të vendosin të avancohen akademikisht dhe të lehtësojë procesin e tyre të studimeve, duke dhënë disa bursa të kategorive të ndryshme, të drejtë në vaktin e subvencionuar për studentët, mbulimit të 50% të pagesës për akomodimin në konvikte studentore… Në të kaluarën është realizuar edhe një projekt për blerjen me mbi 1000 titujve të literaturës profesionale – libra dhe tekste të shpërndara në institucionet e arsimit të lartë dhe të disponueshme për studentët në bibliotekat universitare”, thanë nga Ministria e Arsimit.

Kujtojnë se gjatë muajit shtator Meta.mk bëri një analizë për shpenzimet e studentëve për semestrin dimëror në universitetet shtetërore. Studentët e Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” (USCM) në Shkup nga ky vit akademik po ballafaqohen me shpenzime shtesë të rritura krahas participimit, gjegjësisht pagesa për studim.