Vitin e kaluar 1.700 maqedonas morën pasaporta bullgare

Gjatë vitit 2024 pothuajse 1700 qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë marrë pasaporta bullgare, duke vazhduar trendin e kërkimit të kushteve më të mira të jetesës në Bashkimin Evropian. Këtë e konfirmon raporti vjetor për veprimtarinë e Komisionit për Shtetësinë Bullgare, i publikuar nga BNR, i cili i referohet të dhënave të zyrës së zëvendëspresidentes […]

shkurt 4, 2025 - 21:00
 0  3
Vitin e kaluar 1.700 maqedonas morën pasaporta bullgare
Flamuri i Maqedonise dhe ai i Bullgarisë. Foto: Qeveria e RMV-së

Gjatë vitit 2024 pothuajse 1700 qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë marrë pasaporta bullgare, duke vazhduar trendin e kërkimit të kushteve më të mira të jetesës në Bashkimin Evropian. Këtë e konfirmon raporti vjetor për veprimtarinë e Komisionit për Shtetësinë Bullgare, i publikuar nga BNR, i cili i referohet të dhënave të zyrës së zëvendëspresidentes Iliana Yotova, transmeton Portalb.mk.

Sipas raportit, gjatë vitit të kaluar gjithsej 16.500 persona kanë marrë nënshtetësinë bullgare, që është një rritje prej 4.000 krahasuar me vitin 2023. Numri më i madh i aplikimeve ka ardhur nga Ukraina (2,400 persona), e ndjekur nga Turqia (2,200) dhe Moldavia (1,800). Maqedonia e Veriut është në vendin e katërt me gati 1700 shtetas të rinj bullgarë.

Raporti thekson gjithashtu se interesi për shtetësinë bullgare vazhdon të rritet në rajon dhe më gjerë. Në vitin 2024, u lëshuan 227 dekrete për ndryshimin e shtetësisë dhe më shumë se 11,700 njerëz morën shtetësinë përmes prejardhjes ose natyralizimit të përgjithshëm.

Në të njëjtën kohë, rreth 4500 persona kanë kthyer nënshtetësinë bullgare, ndërsa për 38 aplikantë procesi i natyralizimit është ndërprerë për shkak të parregullsive të ndryshme, përfshirë përdorimin e dokumenteve të falsifikuara. Pothuajse 6000 aplikime për shtetësi bullgare u refuzuan.

Kujtojmë se në vitin 2020, ministrja e atëhershme bullgare e drejtësisë Desislava Ahladova, deklaroi se pothuajse 66.000 maqedonas gjatë 10 viteve të fundit, kanë marrë nënshtetësi bullgare. Në të gjitha rastet, baza për dhënien e shtetësisë është dëshmia për prejardhjen bullgare, tha ministrja e Drejtësisë , gjatë pyetjeve të deputetëve në parlamentin bullgar.

“Në të gjitha rastet, baza për dhënien e shtetësisë është dëshmia e prejardhjes bullgare”, citohet të ketë thënë ministrja Ahladova.

Nga 1 janari 2010 deri më 22 tetor 2020, kërkesë për shtetësi bullgare kanë paraqitur 77.829 shtetas maqedonas, prej tyre 77.726 ishin me origjinë bullgare. Gjatë së njëjtës periudhë, 65.675 maqedonas morën shtetësinë bullgare me dekret presidencial.