Komisionet anketuese sa për sy e faqe: Sa dhe si mund të ndihmojnë në zbardhjen e rasteve si Koçani apo spitali modular?

Kohët e fundit, kemi hasur shpesh të dëgjojmë teksa funksionarë e liderë partish të kërkojnë ngritjen e komisioneve anketuese për zbardhjen e rasteve tragjike, siç ishte i fundit me Koçanin, dhe krahas këtij rasti u theksua nevoja e ngritjes së komisioneve të tilla edhe për aksidentin tragjik në autostradën e Bullgarisë, spitalin modular në Tetovë […]

Prill 12, 2025 - 13:00
 0  9
Komisionet anketuese sa për sy e faqe: Sa dhe si mund të ndihmojnë në zbardhjen e rasteve si Koçani apo spitali modular?
Kuvendi, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Kohët e fundit, kemi hasur shpesh të dëgjojmë teksa funksionarë e liderë partish të kërkojnë ngritjen e komisioneve anketuese për zbardhjen e rasteve tragjike, siç ishte i fundit me Koçanin, dhe krahas këtij rasti u theksua nevoja e ngritjes së komisioneve të tilla edhe për aksidentin tragjik në autostradën e Bullgarisë, spitalin modular në Tetovë dhe shumë raste të tjera, për të cilat thjeshtë nuk u gjetën dhe dënuan kurrë fajtorët e vërtetë. Por çfarë janë komisionet anketuese dhe sa mund të kontribuojnë në zbardhjen e rasteve të tilla? Komisionet anketuese janë një ndër mekanizmat për kontrollin politik dhe mbikëqyrjen e Qeverisë dhe bartësve tjerë të funksioneve publike nga Kuvendi. Megjithatë, bazuar në rastet në të kaluarën, konkretisht komisionet anketuese nuk kanë sjellë asgjë, thjeshtë janë bërë sa për sy e faqe, shkruan Portalb.mk.

Komisioni anketues është mekanizëm, i cili mundëson ex-post kontroll mbi qeverinë dhe mbi institucionet tjera, të cilat për punën e tyre janë përgjegjës para kuvendit. Komisioni anketues është organ, i cili mund të bazohet në vendimin e kuvendit, me qëllim që të kryhet funksioni i kontrollit politik për të gjitha sferat dhe për çdo çështje të interesit publik.

Mekanizmat tjerë më të rëndësishme për realizim të këtij funksioni kontrollues dhe mbikëqyrës të Kuvendit janë: pyetjet e deputetëve, interpelanca, mocioni i Qeverisë dhe debatet mbikëqyrëse.

Propozim për themelim të komisionit anketues mund të dorëzojnë së paku 20 deputetë. Përjashtim nga ky rregull paraqet Komisioni për mbrojtje të lirive dhe të drejtave të qytetarit, që është komision i përhershëm anketues. Fushëveprimi dhe përbërja e komisioneve anketuese verifikohet me vendimin për themelim të tyre, ashtu që kryetarët e komisioneve anketuese sipas rendit të gjërave vijnë nga deputetët e grupeve parlamentare të opozitës.

Komisionet anketuese themelohen me qëllim që të verifikohen faktet dhe rrethanat në lidhje me çështjet kontroverse, për të cilat janë kompetentë ministritë dhe organet tjera të pushtetit shtetëror. Komisioni anketues ka për detyrë të bëjë verifikimin e dokumentacionit, të analizojë ndonjë ndodhi ose rast të posaçëm dhe t’i prezantojë konstatimet para Kuvendit.

Komisionet anketuese nuk mund të kenë funksione investiguese dhe gjyqësore, por konstatimet e tyre mund të jenë bazë për inicimin e procedurës për verifikim të përgjegjësisë të bartësve të funksioneve publike.

Komisionet anketuese nuk japin rezultate

Komisionet anketuese si mekanizëm për kontrollin e kuvendit mbi pushtetin ekzekutiv janë paraparë me Kushtetutë në nenin 76, sipas dispozitave të së cilës kuvendi themelon trupa punues të përhershëm dhe të përkohshëm. Kuvendi mund të themelojë komisione anketuese për të gjitha fushat dhe për çdo çështje me interes publik.

Propozimi për krijimin e një komisioni anketues mund të bëhet nga të paktën 20 deputetë. Me qëllim të konstatimit të fakteve dhe situatave lidhur me çështje të diskutueshme krijohen komisione anketuese, për të cilat janë kompetente ministritë dhe organet e tjera të qeverisjes shtetërore.

Komisioni anketues ka për detyrë të shqyrtojë dokumentacionin, të analizojë një ngjarje apo rast specifik dhe t’i paraqesë Kuvendit gjetjet e tij. Gjetjet e komisioneve anketuese janë bazë për fillimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë së bartësve të funksioneve publike. Rregullorja e Kuvendit nuk elaboron çështjet që kanë të bëjnë me komisionet anketuese.

Gjegjësisht, nuk ka zgjidhje normative për mënyrën e punës së komisioneve hetimore, marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e tyre me organet përkatëse shtetërore nga të cilat duhet të marrin të dhënat përkatëse dhe përgjigjet për çështjet në fjalë.

Neni 118 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë rregullon vetëm se komisionet anketuese formohen me vendim të Kuvendit, ndërsa me atë vendim përcaktohet edhe numri i anëtarëve dhe kryetarët e komisioneve anketuese, si rregull, janë nga deputetët e grupeve parlamentare opozitare.

Për shkak të mungesës së rregullores, por edhe për shkak të qasjes dhe qëndrimit joserioz ndaj punës së komisioneve, mund të konstatohet se në praktikë Kuvendi nuk e shfrytëzon mjaftueshëm mundësinë kushtetuese për të ushtruar kontroll politik mbi bartësit e pushtetit ekzekutiv përmes komisioneve anketuese.

Në përputhje me Kushtetutën, Kuvendi themeloi një komision të përhershëm anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Në anën tjetër, neni 213 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë përcakton se Kuvendi ushtron kontroll dhe mbikëqyrje politike mbi Qeverinë në mënyrë dhe procedurë të përcaktuar me Kushtetutë dhe me këtë Rregullore.

Prandaj, në Kuvend janë themeluar trupa të përhershëm punues, përgjegjësia kryesore e të cilave është të mbikëqyrin fushën e sigurisë dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve.

Trupa të tilla punuese janë: Komisioni për Mbikëqyrjen e Punës së Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit dhe Agjencisë së Inteligjencës, si dhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Zbatimit të Masave të Monitorimit të Komunikimeve nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes.

Partitë politike janë dakord të formojnë një komision hetimor për tragjedinë e Koçanit, por janë të ndara se kur duhet të formohet.

LSDM dhe VMRO-DPMNE mendojnë se fillimisht duhet të përfundojë hetimi, ndërsa për BDI-në kjo nuk është pengesë sepse shembuj të tillë ka pasur edhe në të kaluarën.

Ndër vite, Kuvendi ka formuar disa komisione anketuese. Më i fundit ishte ai për rastin me barnat për pacientët me kancer ose i njohur në opinion si “Onkologjia”, për të cilin dimë që nuk është se solli diçka të re ose se hodhi më tepër dritë mbi rastin. Madje nuk u dëgjua as u raportua për konkluzionet e këtij komisioni.

Komisionet të tilla më herët ka pasur edhe për vrasjen e Almir Aliut, 4-vjeçarit nga Kumanova, për rastet “Sopot” dhe “Monstra”. Megjithatë, në të gjitha rastet, komisionet anketuese nuk kanë sjellë asnjë rezultat.

Mesa duket, komisionet e tilla më tepër formohen sa për sy e faqe, se sa realisht për të arritur rezultate konkrete.