Vrasja e Kirk, atentatori “kyç” gojën, nuk rrëfen asgjë për krimin

Guvernatori i Utah, Spencer Cox, ka deklaruar se 22-vjeçari Tyler Robinson i cili vrau aktivistin politik të së djathtës Charlie Kirk nuk po bashkëpunon me autoritetet për zbardhjen e ngjarjes ndërsa shtoi se hetuesit po përpiqen të zbulojnë motivin e krimit të rëndë duke marrë në pyetje miqtë dhe familjarët e tij. Akuza zyrtare ndaj […]

shtator 15, 2025 - 17:30
 0
Vrasja e Kirk, atentatori “kyç” gojën, nuk rrëfen asgjë për krimin

Guvernatori i Utah, Spencer Cox, ka deklaruar se 22-vjeçari Tyler Robinson i cili vrau aktivistin politik të së djathtës Charlie Kirk nuk po bashkëpunon me autoritetet për zbardhjen e ngjarjes ndërsa shtoi se hetuesit po përpiqen të zbulojnë motivin e krimit të rëndë duke marrë në pyetje miqtë dhe familjarët e tij.

Akuza zyrtare ndaj Tyler Robinson pritet të zbulohet zyrtarisht të martën ndërsa autori ndodhet në paraburgim në Utah. Guvernatori Cox tha se Robinson nuk ka pranuar të rrëfejë, por persona të afërt me të po bashkëpunojnë. Një prej tyre është bashkëjetuesi dhe partneri i tij transgjinor, për të cilin FBI është shprehur se ka dhënë një ndihmë të madhe.

Robinson akuzohet se të mërkurën e kaluar u ngjit mbi një çati në Universitetin e Luginës së Utah gjatë një aktiviteti në ambient të hapur dhe qëlloi nga distanca me snajper drejt Kirk, duke e goditur 31-vjeçarin për vdekje në qafë.

Charlie Kirk, një mbështetës i fortë i ish-presidentit Donald Trump dhe bashkëthemelues i organizatës studentore konservatore Turning Point USA, u vra nga një plumb i vetëm, duke shtuar frikën për rritjen e dhunës politike në SHBA.

Në vendngjarje policia gjeti gëzhoja me mbishkrime të ndryshme, mes tyre edhe mesazhe tallëse dhe referenca ndaj lojërave elektronike. Në një prej tyre shkruhej: “Hej fashist! KAPE!” e shoqëruar me kombinime simbolesh që imitonin një komandë lojërash.

Robinson ishte student i vitit të tretë në një program teknik dhe u arrestua në banesën e prindërve të tij pas një operacioni 33-orësh, pasi vetë familjarët e tij e dorëzuan tek autoritetet. Edhe pse i rritur në një familje konservatore, Guvernatori i Utah Spenser Cox tha se ideologjitë e 22-vjeçarit ishin “shumë të ndryshme” nga ato të prindërve të tij. Guvernatori Cox  fajësoi rrjetet sociale, duke thënë se ato kanë luajtur “rol të drejtpërdrejtë” në çdo tentativë  që është bërë për atentat ndaj figurave politike përgjatë viteve te fundit.  Një ceremoni përkujtimore për Charlie Kirk do të mbahet më 21 shtator në Glendale, Arizona, bëri të ditur organizata Turning Point USA.