Zanati i rrobaqepësisë në Kumanovë drejt zhdukjes: Të vjetrit mezi e mbajnë gjallë, rinia e pa interesuar
Zanati i rrobaqepësisë në Kumanovë dita ditës po zhduket. Atë e mbajnë gjallë mjeshtrit e vjetër, ndërsa të rinjtë nuk kanë interes për këtë profesion. Dy nga rrobaqepësit më të vjetër të qytetit për Portalb.mk rrëfyen për punën dhe pasionin e tyre për këtë zanat. Kurse të rinjtë nga ana tjetër thonë se zanatet duhet […]
Zanati i rrobaqepësisë në Kumanovë dita ditës po zhduket. Atë e mbajnë gjallë mjeshtrit e vjetër, ndërsa të rinjtë nuk kanë interes për këtë profesion. Dy nga rrobaqepësit më të vjetër të qytetit për Portalb.mk rrëfyen për punën dhe pasionin e tyre për këtë zanat. Kurse të rinjtë nga ana tjetër thonë se zanatet duhet të paguhen më mirë dhe institucionet të ofrojnë më tepër përkrahje.
Nëse para disa viteve të duhej një rrobaqepës për të sanuar ndonjë grisje apo shqepje, në Kumanovë e gjeje shumë lehtë. Por, sot kjo i përket të kaluarës. Dita ditës në Kumanovë po pakësohen rrobaqepësit. Në këtë zanat kanë ngelur kryesisht të vjetrit.
Xheladin Shabani dhe Ridvan Kadriu janë dy nga rrobaqepësit më të vjetër. Ata për Portalb.mk rrëfyen sfidat e kohës të cilat po zhdukin këtë zanat.
Pavarësisht se është në pension dhe ka 55 vite përvojë pune në këtë zanat, kjo nuk ka bërë që ky profesion t’i bezdiset Xheladin Shabanit.
“Pasioni dhe dëshira për këtë profesion për mua është i pazëvendësueshëm dhe nuk mund ta lë punën”, rrëfen Shabani.
Ai tregoi se para disa viteve ka pasur të interesuar në këtë zanat, por tash fatkeqësisht nuk vjen askush. Ai madje kujton kohët kur në të kaluarën nuk kanë pasur as mjaftueshëm mjete dhe të gjithë qepjen e kanë bërë me dorë.
“Tani është më e lehtë dhe i kemi kushtet më të mira për punë si: makineritë, ngjitës tekstili, kopsat e shumë materiale të tjera. Mendoj se të rinjtë duhet të kyçen nëpër zanate por ata kanë nevojë edhe për mbështetje financiare, sepse në kohen që jetojmë sot duan të vlerësohen dhe të paguhen. Për këtë e shoh si problem te të rinjtë sepse ka pasur raste që një i ri ka ardhur të marrë zanat mirëpo nuk ka pasur mundësi të vazhdojë më tutje për shkak të harxhimeve të tjera si rruga, ushqime, dhe ku të ndihmojë familjen e tij”, tha Shabani.
Nga ana tjetër, Ridvan Kadriu i cili me këtë zanat merret që nga viti 2001 thotë se për këto 24 vite nga po ky zanat e mban familjen, dhe se sipas tij ky zanat ka të ardhura të mira.
“Edhe pse fëmijët e mi nuk e duan këtë profesion, mirëpo unë ua kam mësuar që në të ardhmen ta kenë. Zanati i rrobaqepësisë kërkon shumë punë, pasion, dhe vullnet sepse është i lirë nuk është një zanat i cili është sezonal, por është i përhershëm”, tha Kadriu.
Ai mendon se të rinjtë duhet të fillojnë t’i duan zanatet, sepse siç thotë, zanati nuk njeh parti politike dhe mos ta lënë të zhduket.
“Të rinjtë sot nuk kanë motiv të vijnë nëpër zanate sepse ata nuk paguhen, dhe mendoj se duhet të paguhen nga shteti që të kontribuojnë dhe t’i ndajnë nxënësit. Disa nëpër zanate e disa të shkojnë nëpër universitete”, tha Kadriu.
Të dy rrobaqepësit me të cilët biseduam apeluan te të rinjtë që mos të lejojnë që ky zanat të zhduket, sepse siç thonë “zanati nuk të le në baltë”, ndërsa apeluan te autoritetet që t’i motivojnë të rinjtë drejt marrjes së zanateve.
Medina Arifi është një e re nga Kumanova, ajo pranon se gjeneratat e reja nuk i vlerësojnë zanatet
E vetëdijshme se rrobaqepësia të mundëson hapjen e një biznesi privat dhe se nuk të len pa punë, ajo thotë se të rinjtë përsëri nuk kanë interesim për të.
“Vitet e fundit si duket sa vjen e shkon në zhdukje ky zanat aq i nevojshëm i përditshmërisë, ka shumë faktorë që ndikojnë në mos interesimin e këtij zanati. Ne të rinjtë e ditëve të sotme zgjedhim punët më të lehta dhe më të shpejta për të bërë të holla. Edhe nëse duam të kemi një zanat të tillë është mirë që të paguhemi nga shteti, që së paku mos të kemi harxhime ditore, dhe mos të lejojmë në të ardhmen që të zhduket zanati i rrobaqepësisë në Kumanovë”, tha Arifi.
Nga ana tjetër, e reja Endrina Asani u shpreh se zanati i rrobaqepsisë dikur ishte shtyllë e rëndësishme e ekonomisë lokale në Kumanovë, por sot teknologjia dhe industria e prodhimit masiv kanë ndikuar fuqishëm në ndryshimin e zakoneve dhe preferencave të njerëzve.
“Brezat e rinj janë më të prirur të ndjekin profesione moderne, duke iu shmangur zanatet që kërkojnë kohë dhe përkushtim, por ajo që është e rëndësishme nuk e vlerësojmë sepse ku ka më mirë se të jesh shef i punës tënde. Mendoj se duhen të ndërmerren hapa për të promovuar këtë zanat mes të rinjve dhe për të mbështetur zejtarët lokalë, për shkak se ekziston rreziku që ky zanat të zhduket”, tha Asani.
Në Shkollën e Mesme Ekonomike “Pero Nakov” në Kumanovë nxënësit mund të regjistrohen në profilet për teknikë të përpunimit të veshjes, teknikë të dizajnit dhe teknikë të përpunimit të mbathjes.
Drejtoresha e shkollës Lutfije Veseli theksoi se interesi i nxënësve për këto drejtime ka ulje dhe ngritjet e veta nga viti në vit.
“Nxënësit kanë interesim këtë e them sepse kemi nxënës me sukses të shkëlqyeshëm dhe regjistrohen në këtë profil sidomos në dizajn. Këto katër vitet e fundit kemi ndryshime të numrit te nxënësve dhe nuk mund të them se kemi rritje apo ulje të interesimit të nxënësve. Shkolla disponon për tre profilet kabinete të veçanta të pajisura me mjete pune , si, makina të qepjes, materiale për punë” tha Veseli.
Sipas të dhënave të dërguara nga shkolla e mesme ekonomike “Pero Nakov” Kumanovë numri më i madh i nxënësve në drejtimet teknikë e përpunimit të veshjes dhe teknikë e dizajnimit të veshjes është në vitin 2021/22 me 41 nxënës. Në vitin 2022/23 numri i nxënësve ishte 24.Në vitin 2023/2024 ishte 23 nxënës, ndërsa në vitin 2024/25 ka 25 nxënës.
Nga ana tjetër, Enver Salihi drejtor i organizatës “Pulse of Democracy” në Kumanovë tha se në zhvillimin e profesionit të rrobaqepësisë ndikojnë edhe kushtet ekonomike dhe migrimi.
“Çmimet e shtrenjta për ata që e blejnë ndonjë produkt dhe së fundmi futja e markave me produkte serike dhe çmime të lira dhe kualitet shumë të ulët paraqesin një rrezik për zhdukjen e këtij profesioni kreativ dhe fisnik. Ne si aktorë i drejtpërdrejtë i jetës kulturore dhe shoqërore në Kumanovë jemi munduar që përmes garës me vizatime mode të vëmë në spikam kreativitetin e rinisë nga Kumanova kundrejt modeleve dhe veshjeve”, tregoi Salihi.
Ai kujtoi kohërat kur Kumanova ka qenë qendër industriale për tekstil dhe modë e njohur në Jugosllavi, ai thekson se në organizimet që kanë bërë e kanë parë se rinia e Kumanovës është e interesuar për të dizajnuar prodhime për mode dhe ky aktivitet ngjallë më shumë interes se aktivitetet tjera.
“Mendoj se ne nivel lokal ka edhe shoqata të zejtarisë të cilat financohen nga ana e komunës dhe e shtetit por kjo ndihmë është minimale dhe nuk kontribuojnë në zhvillimin e zanateve”, tha Salihi.
Ai mes tjerash shtoi se përkrahja nga institucionet është formale dhe jo zhvillimore. Sipas tij, institucionet duhen të përkrahin rrobaqepësit si një mundësi kreativiteti për zhvillimin e modës në shtetin tonë.
Ndryshe shumë qytete në Maqedoninë e Veriut po përballen me zhdukjen e zanateve të ndryshme dhe mosinteresimin e të rinjve për to.