Qeveria e RMV-së i mban sekret ngecjet për investimin në Kodrën e Diellit

Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk tregon se ku ka ngecur procesi për investimin italian në Kodrën e Diellit. Pavarësisht se thonë që mundohen të gjejnë zgjidhje, nuk japin informata konkrete, por arsyetohen. Që ky proces po zvarritet me vite e konfirmojnë edhe deklaratat e njëpasnjëshme të kompanisë italiane. Qendra e skijimit të paktën edhe […]

dhjetor 22, 2024 - 08:00
 0  4
Qeveria e RMV-së i mban sekret ngecjet për investimin në Kodrën e Diellit
Kodra e Diellit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (18 nëntor 2023)

Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk tregon se ku ka ngecur procesi për investimin italian në Kodrën e Diellit. Pavarësisht se thonë që mundohen të gjejnë zgjidhje, nuk japin informata konkrete, por arsyetohen. Që ky proces po zvarritet me vite e konfirmojnë edhe deklaratat e njëpasnjëshme të kompanisë italiane. Qendra e skijimit të paktën edhe këtë sezon do të përballet me problemet e njëjta, shkruan Portalb.mk. 

19 dhjetor 2024 u bënë dy vjet që kur kompania italiane ‘TechnoAlpin’në vitin 2022 prezantoi planin dhe projektin për zhvillimin e qendrës turistike ‘Kodra e Diellit’.

Për dy vite me radhë negociatat janë zvarritur dhe pa epilog deri më tani, ndërsa institucionet e vendit kanë mbajtur këtë temë ‘top sekret’ për opinionin, kanë dhënë shumë pak informata për procesin. 

Për të mos përfunduar me kaq, para pak ditëve ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti për Portalb.mk njoftoi se “kanë rifilluar bisedimet”. 

Qeveria aktuale e RMV-së akuzon qeverinë paraprake se nuk kanë bërë asgjë për këtë projekt, por edhe ata vetë nuk japin informata për ngecjet në këtë proces.

“Si Qeveri jemi duke punuar në të gjitha proceset që kanë ngecur për shkak të dështimeve të mëdha të qeverisë së kaluar. Jemi duke biseduar me të gjitha palët e interesuara për të gjetur zgjidhjen më të mirë në interes të të gjithë qytetarëve. Në momentin kur të ketë ndonjë informacion më të detajuar, do ta informojmë publikun në kohë”, thanë për Portalb.mk nga Qeveria. 

Kërkuam nga Qeveria që të jenë më konkret dhe të tregojnë detajisht ngecjet, por nga atje rezistuan të japin përgjigje. 

“Në lidhje me pyetjet tuaja, dëshirojmë të theksojmë se i qëndrojmë përgjigjes që ju dërguam më parë”, thanë nga Qeveria. 

Që ky projekt po zvarritet që dy vjet e konfirmojnë edhe nga kompania italiane ‘TechnoAlpin’. Portalb.mk tani e dy vjet është në komunikim të vazhdueshëm me ata. 

“Për fat të keq, ne ende nuk kemi ndonjë përditësim të ri për të ndarë në lidhje me kërkesën tuaj”, thanë nga TechnoAlpin. 

Nga ana tjetër, deputeti i Kuvendit të RMV-së nga LSDM-ja opozitare dhe ish kryetar i Komisionit për Investime Strategjike në përbërjen e kaluar qeveritare, Fatmir Bytyqi për Portalb.mk para disa kohësh theksoi se projekti nuk arriti finalizohet para zgjedhjeve. 

“Negociatat nuk arritën të finalizohen para se të shpallen zgjedhjet. Prandaj nuk vazhdoi. Të gjitha dokumentet janë në Qeveri. Nuk është anuluar, nuk ka vendim të tillë. Nëse vazhdojnë negociatat varret nga Qeveria e re”, pati thënë Bytyqi. 

‘TechnoAlpin’ në dhjetor 2022 e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove.

Në lidhje me këtë projekt autoritetet kanë premtuar shumë, megjithatë negociatat ende nuk kanë marrë epilog dhe deri më tani nuk është arritur të nënshkruhet marrëveshja.

Kodra e Diellit për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.

Sezoni turistik në Kodrën e Diellit sivjet filloi më 13 dhjetor 2024. Për shkak të borës së pamjaftueshme, viteve të fundit sezonet e skijimit kanë qenë të pasuksesshme dhe me shumë humbje.