Zgjedhjet 2025/ Tirana bëhet me 37 mandate deputeti, Korçës i hiqet një mandat

Opinion.al ka siguruar  relacionin e KQZ-së për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 2025. Tirana ka pësuar ndryshime në numrin e mandateve të deputetit në zgjedhjet e ardhshme. Për shkak të rritjes së numrit të popullsi, kryeqytetit nga 36 mandate që ka patur, në zgjedhjet e 2025 do të ketë 37 […]

dhjetor 6, 2024 - 14:00
 0  10
Zgjedhjet 2025/ Tirana bëhet me 37 mandate deputeti, Korçës i hiqet një mandat

Opinion.al ka siguruar  relacionin e KQZ-së për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 2025.

Tirana ka pësuar ndryshime në numrin e mandateve të deputetit në zgjedhjet e ardhshme. Për shkak të rritjes së numrit të popullsi, kryeqytetit nga 36 mandate që ka patur, në zgjedhjet e 2025 do të ketë 37 mandate deputeti.

Korça do të ketë 10 nga 11 mandate që kishte në zgjedhjet e 2021.  Numri total i shtetasve 4627824 është pjesëtuar me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, ku është përcaktuar numri 33056 si numri mesatar i shtetasve që i takojnë çdo mandati.

Mandatet për zgjedhjet 2025

Berat 7 mandate
Dibra 5 mandate
Durrës 14 mandate
Elbasani 14 mandate
Fieri 16 mandate
Gjirokastra  4 mandate
Korça 10 mandate
Kukës  3 mandate
Lezhë 7 mandate
Shkodër 11 mandate
Tirana 37 mandate
Vlora 12 mandate

Totali 140 mandate – 4627824 shtetas në 2024

Në nenin 75 të Kodit Zgjedhor parashikohen kriteret dhe procedura për caktimin e numrit të mandateve. Çdo mandat përfaqëson një numër afërsisht të njëjtë shtetasish. Numri total i shtetasve, sipas Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, pjesëtohet me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, duke përcaktuar numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati të Kuvendit. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet duke pjesëtuar numrin e shtetasve me vendbanim në zonën zgjedhore, me numrin mesatar, të përftuar sipas pikës 2 të këtij neni.

Çdo zone zgjedhore i caktohet fillimisht një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga pjesëtimi, sipas pikës 3 të këtij neni. Në rast se në përfundim të veprimit të kryer, sipas pikës 4 të këtij neni, një apo më shumë mandate mbeten pa u shpërndarë, ato u shpërndahen zonave mbi bazën e presjes dhjetore më të madhe të përftuar nga pjesëtimi, sipas pikës 3 të këtij neni. Shpërndarja e mandateve të mbetura kryhet në rend zbritës, duke filluar nga zona me presjen dhjetore më të madhe. Në rast se edhe pas zbatimit të pikës 5 të këtij neni presja dhjetore e dy apo më shumë zonave është e njëjtë, mandati i fundit i caktohet asaj zone që, pas përllogaritjes sipas pikës 3 të këtij neni, ka numrin më të madh të mbetur të shtetasve që nuk kanë prodhuar mandat të plotë.