Zvarritja e investimit në Kodrën e Diellit: Në ‘lojë’ hyri edhe ambasadori i Austrisë ndërsa Kasami do të kërkojë investitorë edhe në Lindje

Investimi shumë i premtuar italian për Kodrën e Diellit vazhdon të zvarritet dhe mos të ketë epilog apo marrëveshje. Autoritetet vazhdimisht nxjerrin diçka të re, ndërsa në terren nuk shihet asgjë. Së fundmi kryetari i Komunës së Tetovës tha se në këtë proces për të ndihmuar është përfshirë edhe Ambasadori i Austrisë në vend, ndërsa […]

Jan 29, 2025 - 09:00
 0  7
Zvarritja e investimit në Kodrën e Diellit: Në ‘lojë’ hyri edhe ambasadori i Austrisë ndërsa Kasami do të kërkojë investitorë edhe në Lindje
Kodra e Diellit. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb/.mk

Investimi shumë i premtuar italian për Kodrën e Diellit vazhdon të zvarritet dhe mos të ketë epilog apo marrëveshje. Autoritetet vazhdimisht nxjerrin diçka të re, ndërsa në terren nuk shihet asgjë. Së fundmi kryetari i Komunës së Tetovës tha se në këtë proces për të ndihmuar është përfshirë edhe Ambasadori i Austrisë në vend, ndërsa theksoi se do të kërkojë edhe investitorë tjerë në vendet e Lindjes si Katari apo Emiratet e Bashkuara Arabe, shkruan Portalb.mk. 

Kanë kaluar më shumë se dy vjet që kur kompania italiane ‘TechnoAlpin’ në vitin 2022 prezantoi planin dhe projektin për zhvillimin e qendrës turistike ‘Kodra e Diellit’.

Për dy vite me radhë negociatat janë zvarritur dhe pa epilog deri më tani, ndërsa institucionet e vendit e kanë mbajtur këtë temë ‘top sekret’ për opinionin, duke dhënë shumë pak informata për procesin.

Kryetari i Komunës së Tetovës Bialll Kasami theksoi se në këtë drejtim ka risi dhe se për të ndihmuar është përfshirë edhe ambasadori i Austrisë në RMV.

“Ka një risi sa i përket Kodrës së Diellit, informatat fillestare kanë qenë se bëhet fjalë për një investitor italian, bëhet fjalë për një investitor formalisht italian nga Tiroli lindor ku jetojnë austriakë. Javën që shkoi unë kam pasur takim me ambasadorin e Austrisë i cili ka treguar interesim për të përkrahur këtë investitor sepse me informatat që mora nga ambasadori, ky investitor dëshiron të futet në Maqedoni përmes kompanisë-biznesit që e ka të regjistruar në Austri. Pra edhe formalisht bëhet fjalë për investim austriak të mundshëm në Kodrën e Diellit”, tha Kasami. 

Ai theksoi se me angazhimin e ambasadorit beson se janë një hap përpara dhe ky investitor të investojë në Kodrën e Diellit.

“Për më shumë që dilemat edhe në diskutim me Qeverinë kanë qenë për investimet publike të cilat duhet të bëhen dhe investimin privat që duhet ta bëjë investitori. Informatat paraprake kanë qenë se investitori në fazën e parë mund të bëjë investime diku deri 50 milionë euro por në të njëjtën kohë kërkon investime publike po në të njëjtën vlerë, nuk ka arsyeshmëri që ne të japim një hapsirë aq të rëndësishme investitorit privat që do të investojë vetëm 50 milionë euro me atë që shteti obligohet bashkë me komunën që të investojnë po të njëjtën shumë”, tha Kasami.

Ai shtoi se ambasadori austriak garantoi që ai do të ndihmojë që të sigurohen fonde nga institucionet ndërkombëtare edhe për investimin publik që do të bëhet, pra mos të jetë nga fondet lokale dhe shtetërore, por të jetë nga fondet e jashtme me të cilat do të lehtësojë edhe mundësinë e arritjes së marrëveshjes.

“Me atë po ashtu garantoi se investimi nuk do të jetë 50 milionë por atë që ka thënë edhe investitori se do të shkojë mbi 150 milionë”, tha Kasami. 

Ai shtoi se për Kodrën e Diellit janë në bisedime edhe me investitorë të tjerë, ku së shpejti ai mund të ketë vizitë në disa vende të lindjes ku do të kërkojnë edhe investitorë të tjerë.

“Sot (28 janar) kisha në vizitë kryetarin e Komunës së Konjës, edhe ata kanë potencial. Ne jemi në kërkim të një investitori i cili do të ofrojë kushte më të mira për zhvillimin e Kodrës së diellit. Bëhet fjalë për vendet si Katari, Dubai dhe Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha Kasami. 

Portalb.mk ka kërkuar edhe qëndrim nga Ambasada e Austrisë në vend, megjithatë për këtë nuk kemi pranuar ende përgjigje. 

Kujtojmë që më 5 dhjetor 2024 ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti për Portalb.mk njoftoi se me kompaninë ‘TechnoAlpin’ kanë rifilluar bisedimet. 

Që ky projekt është zvarritur gjithë këtë kohë e konfirmojnë edhe nga kompania italiane ‘TechnoAlpin’ me të cilët Portalb.mk tani e dy vjet është në komunikim të vazhdueshëm.

“Ende nuk kemi ndonjë përditësim të ri për të ndarë”, thonë nga TechnoAlpin. 

‘TechnoAlpin’ më 19 dhjetor 2022 e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove.

Në lidhje me këtë projekt autoritetet kanë premtuar shumë, megjithatë negociatat ende nuk kanë marrë epilog dhe deri më tani nuk është arritur të nënshkruhet marrëveshja.

Kodra e Diellit edhe pse është ndër destinacionet më të mira dimërore në Ballkan dhe jo vetëm, për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.

Sezoni turistik në Kodrën e Diellit sivjet filloi më 13 dhjetor 2024. Për shkak të borës së pamjaftueshme, viteve të fundit sezonet e skijimit kanë qenë të pasuksesshme dhe me shumë humbje.