“2025-a, viti i fitores së opozitës!” Berisha: Kemi programin që i jep përgjigje emergjente varfërisë

Sali Berisha u shpreh i sigurt në fitoren e zgjedhjeve të 11 majit në takimin me demokratët e njësisë 7 në kryeqytet. Në fjalën e tij kreu i PD-së tha se gjatë këtij viti u përballën me format më të egra të censurës, por u provuan të pamposhtur para shqiptarëve se mbrojtën kauzat e drejta. […]

dhjetor 28, 2024 - 01:00
 0  4
“2025-a, viti i fitores së opozitës!” Berisha: Kemi programin që i jep përgjigje emergjente varfërisë

Sali Berisha u shpreh i sigurt në fitoren e zgjedhjeve të 11 majit në takimin me demokratët e njësisë 7 në kryeqytet. Në fjalën e tij kreu i PD-së tha se gjatë këtij viti u përballën me format më të egra të censurës, por u provuan të pamposhtur para shqiptarëve se mbrojtën kauzat e drejta.

“Uroj nga zemra një vit në lartësinë e pritshmërive tona, një vit të opozitës, një vit të fitores sonë. I dashur Belind, i dashur Lefter, Klevis, Avni, Grigels, Genti. Një përshëndetje të përzemërt dhe për ju, për punën që bëni dhe keni bërë gjatë këtij viti, në të cilin ne kaluam në situata në të cilat u provuam para shqiptarëve, së pari gra dhe burra, të rinj dhe të reja të pamposhtur, sepse mbrojtëm kauza të drejta. Ne nuk kishim fuqi mbinjerëzore, por fuqia e kauzës së drejtë dhe të vërtetës është mbinjerëzore, është sa hyjnore aq dhe tokësore. Ne, gjatë këtij viti u përballëm me format më të egra të represionit, format më të egra të censurës. U përballëm me shfaqjet më të shëmtuara të narkoshtetit dhe narkodiktaturës, por ja ku jemi sot më të vendosur se kurrë në fitoren e 11 majit. Ne, jemi sot më të sigurt se kurrë në fitoren e 11 majit, sepse sot, para çdo shqiptari ne paraqitemi avoketër të ndershëm, të guximshëm të interesave të tij”.

Ai tha se PD do të paraqesë para shqiptarëve një program, i cili i jep përgjigje emergjente varfërisë së frikshme, sipas tij, që po largon shqiptarët.

“Ne, kemi mbrojtur palëkundur, së pari, interesin kombëtar që është interesi i parë i çdo njeriu të qytetëruar. Ne, kemi bërë gjithçka për të mbrojtur pasuritë dhe fondet publike të qytetarëve shqiptarë nga një lukuni e pangopur që nuk e ka parë kurrë toka, e cila i shpërndan ato midis klaneve të veta, varfëron dhe mjeron çdo ditë shqiptarët. Ne, po paraqesim para shqiptarëve një program, i cili i jep përgjigje emergjente kësaj situate varfërie të frikshme, e cila largon shqiptarët çdo ditë, çdo natë nga Shqipëria.  Mendoj se, këto janë faktorët të cilët shumë njerëz duan ta quajnë vitin 2024 si vitin e opozitës, por ne preferojmë të quajmë si vit të opozitës vitin 2025, vitin e fitores sonë”.