Hasani: Hapim kapitujt e rinj me BE brenda këtij viti
Gjatë takimit të mbajtur në Tiranë me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Nismës së Evropës Qendrore, CEI, kryediplomati shqiptar Igli Hasani tha se prioritet i këtij organizmi mbetet integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. “Shqipëria ka hedhur hapa në rrugën e saj drejt anëtarësimit ne BE. Jemi të angazhuar që të vazhdojmë […]
Gjatë takimit të mbajtur në Tiranë me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Nismës së Evropës Qendrore, CEI, kryediplomati shqiptar Igli Hasani tha se prioritet i këtij organizmi mbetet integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria ka hedhur hapa në rrugën e saj drejt anëtarësimit ne BE. Jemi të angazhuar që të vazhdojmë në këtë rrugë, për të hapur kapituj të rinj deri në fund të këtij viti dhe po kështu edhe në vitin e ardhshëm. Mbështetja jonë kolektive për integrimin evropian për Ballkanin Perëndimor mbetet një element thelbësor për të siguruar besueshmërinë procesit të zgjerimit”.
Hasani theksoi se Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e Ukrainës kundër agresionit rus.
“Përballë sfidave gjeopolitike, Shqipëria është avokate e fortë për paqe dhe stabilitetit, dënojmë luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe jemi krah partnerëve për të mbështetur Ukrainën”.
Ky ministerial shënoi dhe dhënien e fund të presidencës shqiptare të Nismës CEI, në përbërjen e së cilës ka 17 shtete anëtare nga Ballkani dhe Evropa Lindore. Presidencën e radhës do ta mbajë Serbia./ Tv Klan