“4iG” nga Hungaria ka dorëzuar zyrtarisht dokumente në AKE për tu bërë operatori i tretë mobil në RMV

Operatori hungarez i telekomunikacionit 4iG dje ka dorëzuar dokumente në Agjencinë për Komunikim Elektronik (AKE), duke shprehur zyrtarisht interesim për t’u bërë operatori i tretë mobil në vend, njoftoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski. Kjo, siç tha zëvendëskryeministri në daljen e djeshme në “Samo intervju” në Kanal 5, do të nënkuptojë fundin e […]

dhjetor 13, 2024 - 12:00
 0  6
“4iG” nga Hungaria ka dorëzuar zyrtarisht dokumente në AKE për tu bërë operatori i tretë mobil në RMV
Flamuri i Hungarisë dhe i Maqedonisë së Veriut. Foto: Hristijan Mickoski (Facebook)

Operatori hungarez i telekomunikacionit 4iG dje ka dorëzuar dokumente në Agjencinë për Komunikim Elektronik (AKE), duke shprehur zyrtarisht interesim për t’u bërë operatori i tretë mobil në vend, njoftoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski. Kjo, siç tha zëvendëskryeministri në daljen e djeshme në “Samo intervju” në Kanal 5, do të nënkuptojë fundin e duopolit të dy operatorëve aktualë celularë në vend dhe ulje të çmimeve të shërbimeve celulare, transmeton Portalb.mk.

“Kompania hungareze sot (12.12.2024) ka dorëzuar zyrtarisht dokumente në Agjencinë për Komunikime Elektronike dhe ka shprehur interesim për operator të tretë celular. Tashmë AKE-u duhet ta udhëheqë procedurën dhe shpresoj se do të shkojë në drejtimin e duhur dhe më në fund do të thyhet ky duopol që kemi në treg të dy operatorëve, të cilët tekstualisht po thithin qytetarët dhe do të mund ta kemi një operator të tretë i cili do të ofrojë shërbime për më pak para”, tha Nikolloski.

Duke folur në këtë drejtim, ai tha se çdo kompani tjetër mund të konkurrojë për hyrje në tregun maqedonas të telekomunikacionit dhe qëllimi është që të ofrohen shërbime më të lira për qytetarët.

Duke i shpjeguar këto synime, Nikolloski tha se vendimi vjen pasi operatorët aktualë mobil në vend në periudhën e kaluar nuk kanë bërë asgjë për përmirësimin e kushteve dhe çmimeve për shërbimet që u ofrojnë qytetarëve.

As nuk kanë ulur çmimet, as kanë përmirësuar shërbimet, as nuk respektojnë ligjin”, tha zëvendëskryeministri dhe ministr i Transportit.

Dorëzimi i dokumenteve në AKE vjen pasi kompania hungareze e telekomit, e cila pas ndryshimit të qeverisë shprehu dëshirën për t’u bërë operatori i tretë në vend, hapi një kompani në Shkup me emrin “One Macedonia Telecommunications”, njoftoi Prizma në atë kohë.

Informacioni për kompaninë është publikuar në ueb faqen e Regjistrit Qendror, sipas të cilit kompania është e regjistruar në adresën e studios ligjore “Mihajloski dhe Popovska”, ku bashkëthemelues është avokati Aleksandar Mihajloski, i njohur si anëtar i partisë në pushtet VMRO-DPMNE.

Lajmin për regjistrimin atë kohë e konfirmoi përmes një komunikate për media edhe kompania.

“Me përfundimin e procesit të regjistrimit të kompanisë, Tamás Tabori, i cili është zëvendës drejtr ekzekutiv përgjegjës për strategjinë e telekomunikacionit në kompaninë amë hungareze, është emëruar si kryeshefi i ardhshëm i ‘One Macedonia Telecommunications’”, njoftoi 4iG.

Njoftimi për hyrjen e mundshme të një operatori të tretë mobil në vend në korrik erdhi pikërisht nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, i cili si arsye për këtë i përmendi çmimet e shërbimeve celulare, televizionit kabllor dhe internetit, të cilat, siç tha ai, në vend janë më të larta se shumica e vendeve evropiane.

Në fillim të shtatorit, kryeministri Hristijan Mickoski, duke sqaruar nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit të Qeverisë me operatorin telekomunikues “4iG”, tha se duhet të ketë tender për operatorin e ri të tretë mobil dhe do të shpallet në periudhën në vijim.

Kujtojmë se në shtator u nënshkrua Memorandumi për mirëkuptim dhe interesim të ndërsjellë të Maqedonisë së Veriut dhe kompanisë hungareze “4IG” për liberalizimin e rrjetit të telekomunikacionit.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Memorandumi për mirëkuptim i nënshkruar mes kompanisë hungareze “4IG” dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është obligativ dhe paraqet vetëm një formë të shprehjes së interesit, të cilin mund ta shprehin  edhe kompani të tjera që dëshirojnë të konkurrojnë në procedurën e tenderimit. Ende nuk është marrë vendim se kur dhe nëse do të shpallet tender për një operator të tretë celular.