Mexhiti i pret zgjedhjet lokale që të zgjidhet problemi i transportit publik për studentët e UNT-së 

Studentët e Universitetit “Nënë Tereza” vazhdojnë të kenë mungesë të transportit publik deri te kampusi universitar. Por, për zgjidhjen e këtij problemi sipas zëvendës-kryeministrit Izet Mexhiti duhet të pritet deri në zgjedhjet lokale kur do të ketë kryetar të ri në krye të Shkupit, raporton Portalb.mk.  Shqetësimin për mungesën e linjës së rregullt deri në […]

dhjetor 16, 2024 - 20:00
 0  5
Mexhiti i pret zgjedhjet lokale që të zgjidhet problemi i transportit publik për studentët e UNT-së 
Foto: Izet Mexhiti (faqja zyrtare në Facebook)

Studentët e Universitetit “Nënë Tereza” vazhdojnë të kenë mungesë të transportit publik deri te kampusi universitar. Por, për zgjidhjen e këtij problemi sipas zëvendës-kryeministrit Izet Mexhiti duhet të pritet deri në zgjedhjet lokale kur do të ketë kryetar të ri në krye të Shkupit, raporton Portalb.mk. 

Shqetësimin për mungesën e linjës së rregullt deri në universitet, të cilin tani e ca kohë e shfaqin në media, studentët e UNT-së sot ia përcollën edhe zëvendës-kryeministrit Izet Mexhitit. 

Por Mexhiti u arsyetua, madje tha se duhet të pritet deri në zgjedhjet e ardhshme lokale. 

“Është kompetencë e Ndërmarrjes Publike të Qytetit të Shkupit që fatkeqësisht edhe kur i japim donacione dhe e ndihmojmë me autobusët elektrik nëpërmjet donacionit të BE-së dhe Ministrisë së Ekologjisë që të ulët ndotja e ajrit, nuk i përdor…Edhe pse nuk është kompetencë e jona do ta mbështesim, do të presim edhe 7 apo 8 muaj sa të bëhen zgjedhjet lokale dhe do të ketë një kryetar të ri por deri atëherë do të shohim çfarë mund të bëjmë bashkërisht”, tha Mexhiti. 

Kujtojmë që këtë problematikë në opinion e shfaqi Portalb.mk muajin nëntor përmes reportazhit ku u shfaq se për më shumë se 90 studentë që banojnë në konviktin “Pellagonia” në Shkup nuk ka linjë direkte të autobusit për në kampusin e Universitetit “Nënë Tereza”

Studentët detyrohen të përdorin linja të cilat janë të parregullta dhe që ua stërzgjasin udhëtimin. Madje, ndonjëherë nuk ka asnjë autobus dhe ata detyrohen të shkojnë në këmbë apo të paguajnë taksi të shtrenjtë. Studentët kërkojnë nga përgjegjësit tua heqin këtë siklet udhëtimi pasi që shkakton stres, vonesa dhe nervozizëm

Apelit të tyre u bashkëngjitet edhe Forumi për Ndryshime në Arsim.

Edhe pse i njoftuar me problemin, universiteti “Nënë Tereza” i ka “duart e lidhura” përderisa inatet politike në Këshillin e Qytetit të Shkupit nuk vendosin në të mirën e studentëve. Ministria e Arsimit u arsyetua.