5 shqiptarë largohen sërisht nga puna, BDI shpërthen ndaj Stoilkoviçit

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të ministrit Ivan Stoilkoviç për largimin nga puna të pesë punonjësve shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, duke e The post 5 shqiptarë largohen sërisht nga puna, BDI shpërthen ndaj Stoilkoviçit appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Mars 25, 2026 - 10:00
5 shqiptarë largohen sërisht nga puna, BDI shpërthen ndaj Stoilkoviçit

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të ministrit Ivan Stoilkoviç për largimin nga puna të pesë punonjësve shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, duke e cilësuar këtë rast si shqetësues për sundimin e ligjit dhe funksionimin e institucioneve publike.

Në kumtesën e saj, BDI thekson se “vendimi i fundit nga Stolkoviç, ngre shqetësime serioze për mënyrën se si po administrohen institucionet publike dhe për standardet e sundimit të ligjit në vend”.

Sipas partisë, faktet tregojnë për një proces të kontestueshëm si në aspektin procedural, ashtu edhe në atë material.
“Procedura disiplinore është zhvilluar jashtë afateve ligjore, duke e bërë atë juridikisht të pavlefshme”, thuhet në reagim.

BDI nënvizon gjithashtu se vendimi është marrë “pa prova të mjaftueshme dhe pa përcaktim të përgjegjësisë individuale”, ndërsa shton se ka “indikacione serioze për ndërtim të mëvonshëm të argumenteve dhe justifikimeve për një vendim tashmë të marrë”.

Sa i përket masës së ndërmarrë, partia e cilëson atë si të tepruar:
“Masa e shqiptuar, ndërprerja e marrëdhënies së punës, është joproporcionale në raport me pretendimet”.

Sipas BDI-së, këto elemente përbëjnë “indikatorë të një modeli të rrezikshëm të vendimmarrjes”, duke paralajmëruar se kur një ministër merr vendime “pa respektuar afatet ligjore, pa prova të qëndrueshme dhe me pasoja ekstreme për qytetarët, atëherë kemi të bëjmë me arbitraritet”.

Partia e sheh çështjen edhe në prizmin etnik, duke theksuar se fakti që bëhet fjalë për pesë punonjës shqiptarë “e bën këtë çështje edhe më të ndjeshme dhe kërkon transparencë të plotë”.

Në fund, BDI kërkon:
– publikimin e plotë të procedurave dhe vendimeve që kanë çuar në largimet,
– hetim institucional për respektimin e procedurave ligjore,
– dhe rishqyrtim të menjëhershëm të vendimeve në përputhje me ligjin.

“Institucionet nuk mund të funksionojnë mbi vendime selektive dhe të pambështetura në ligj”, thuhet në reagim, duke shtuar se ky rast duhet të shërbejë si “test për seriozitetin e institucioneve dhe përkushtimin ndaj barazisë dhe ligjshmërisë”. Gazeta Flaka

The post 5 shqiptarë largohen sërisht nga puna, BDI shpërthen ndaj Stoilkoviçit appeared first on Flaka, në çdo lajm... .