500 milionë euro në baltë: Autostradat që po kthehen në simbol skandali

Pas më shumë se një dekade zvarritjesh, një nga projektet më problematike infrastrukturore në Maqedonia e Veriut po përballet me një tjetër goditje. Financimi nga Exim Bank of China është The post 500 milionë euro në baltë: Autostradat që po kthehen në simbol skandali appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Prill 10, 2026 - 12:00
500 milionë euro në baltë: Autostradat që po kthehen në simbol skandali

Pas më shumë se një dekade zvarritjesh, një nga projektet më problematike infrastrukturore në Maqedonia e Veriut po përballet me një tjetër goditje. Financimi nga Exim Bank of China është ndërprerë, duke detyruar qeverinë të kërkojë burime të reja për përfundimin e autostradës Kërçovë–Ohër.

Kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi se pjesa e mbetur e mjeteve do të sigurohet përmes huamarrjes nga bankat vendase, duke pranuar vështirësitë e procesit dhe duke fajësuar qeverinë e kaluar për situatën e krijuar.

Nga 529 milionë euro të planifikuara për projektin, deri më tani janë shpenzuar rreth 478 milionë euro. Ndërprerja e financimit nga pala kineze lidhet me vendimin që pjesa e mbetur të mbulohej nga vetë shteti. Për të shmangur bllokimin e punimeve, është formuar një sindikatë e bankave vendase, e cila pritet të sigurojë fondet finale.

Megjithatë, autostrada prej 57 kilometrash mbetet simbol i dështimeve infrastrukturore. Edhe pse kanë kaluar mbi 12 vite nga nisja e saj, vetëm rreth 40 kilometra janë lëshuar në përdorim. Projekti është shoqëruar me rritje të kostos, shtyrje të afateve dhe nënshkrimin e tetë anekseve kontraktuale.

Aneksi i fundit, i nënshkruar në mars 2024 me kompaninë Sinohydro, parasheh ndërhyrje shtesë për stabilizimin e rrëshqitjeve të dheut dhe ndërtimin e 14 galerive të reja – një tjetër dëshmi e problemeve në terren.

Përtej aspektit teknik, projekti ka qenë edhe në fokus të drejtësisë përmes rastit Trajektorja, i cili hetonte mënyrën e përzgjedhjes së kompanisë dhe financimin. Megjithatë, rasti përfundoi pa dënime për shkak të vjetërsimit të veprave penale.

Në muajin qershor pritet të merret vendimi përfundimtar për trasenë e segmentit Trebenishtë–Qafë Thanë, kyç për lidhjen me autostradën. Kryeministri Mickoski njoftoi se në gjysmën e dytë të majit në rajon do të zhvillohet një inspektim nga UNESCO, i cili do të ndikojë në përcaktimin e mëtejshëm të projektit.

Sipas tij, nëse traseja aktuale nuk miratohet, do të kërkohen alternativa të reja, duke theksuar se zhvillimi ekonomik i rajonit të Ohrit nuk duhet të bllokohet, pavarësisht statusit të mbrojtjes.

Paralelisht, ai bëri të ditur se po vazhdojnë punimet edhe në segmentet Tetovë–Gostivar dhe Gostivar–Bukojçan, ndërsa raporti për pjesën Bukojçan–Kërçovë tashmë u është dorëzuar kredidhënësve.

Megjithatë, sfida kryesore mbetet balancimi mes zhvillimit infrastrukturor dhe kërkesave të UNESCO për ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit. Skepticizmi publik mbetet i lartë, ndërsa autostrada Kërçovë–Ohër vazhdon të shihet si një “vrimë e zezë” për buxhetin e shtetit dhe një shembull i menaxhimit të dobët të investimeve strategjike.

Ndërkohë, vonesat e përsëritura në realizimin e projektit Shkup–Bllacë kanë rikthyer debatin për kapacitetin institucional dhe koordinimin mes institucioneve përgjegjëse për infrastrukturën strategjike. Sipas Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, procedurat e tenderimit për segmentin e dytë tashmë janë mbyllur dhe dokumentacioni është në shqyrtim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila bashkë me grantin dhe kredinë e miratuar pritet të japë “dritën e gjelbër” për nisjen e punimeve.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikollovski, ka deklaruar më herët se projekti mbetet prioritet strategjik dhe se nuk do të ketë devijime nga statusi i autostradës, pavarësisht zërave për rishikim të standardeve të ndërtimit. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe zëvendësministrja Kaltrina Zekolli, e cila ka theksuar se të gjitha procedurat teknike janë përmbyllur dhe se vonesat lidhen kryesisht me procesin e miratimit financiar nga institucionet ndërkombëtare.

Megjithatë, në skenën politike vazhdojnë akuzat për mungesë transparence dhe për prioritizim të pabarabartë të projekteve infrastrukturore. Përfaqësues të opozitës shqiptare nga BDI kanë akuzuar qeverinë dhe koalicionin VLEN se po neglizhojnë projektet që lidhen me zonat e banuara nga shqiptarët dhe se po pranojnë ndryshime të dëmshme në projektet ekzistuese.

Deputeti Faton Pollozhani ka deklaruar se çdo ndryshim nga autostradë në rrugë ekspres përbën, sipas tij, devijim strategjik nga premtimet fillestare dhe se mungesa e reagimit institucional nga partnerët në qeveri është shqetësuese.

Ndërkohë, krahasimi me zhvillimet në Kosovë po përdoret gjithnjë e më shpesh në debat publik. Autostrada “Arbën Xhaferi”, që lidh Prishtinën me kufirin e Maqedonisë së Veriut, është përfunduar dhe funksionon prej vitesh, duke u konsideruar si një nga projektet më të shpejta infrastrukturore në rajon. Kjo kontrast me segmentin Shkup–Bllacë, i cili pas më shumë se 15 vitesh premtime, ende nuk ka hyrë në fazën e plotë të ndërtimit në terren.

Në pritje të vendimit final nga BERZH, mbetet e paqartë se kur realisht do të nisin punimet në segmentin e dytë dhe nëse afatet e reja do të arrijnë të shmangin vonesat e deritanishme që kanë shoqëruar këtë projekt. Gazeta Flaka

The post 500 milionë euro në baltë: Autostradat që po kthehen në simbol skandali appeared first on Flaka, në çdo lajm... .