A do të rritet buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes së RMV-së deri në 3% siç po diskutohet në NATO?

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte deklaroi se anëtarët e aleancës së shpejti do të diskutojnë rritjen e objektivave të shpenzimeve të mbrojtjes përtej 2% të PBB-së aktuale, pasi ky nivel është i pamjaftueshëm për të garantuar sigurinë afatgjatë, tha Rutte në një konferencë shtypi pas një takimi ministror të NATO-s në Bruksel. Rutte […]

dhjetor 9, 2024 - 09:00
 0  8
A do të rritet buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes së RMV-së deri në 3% siç po diskutohet në NATO?
ARM - Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Foto nga profili zyrtar i ARM-së në Facebook

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte deklaroi se anëtarët e aleancës së shpejti do të diskutojnë rritjen e objektivave të shpenzimeve të mbrojtjes përtej 2% të PBB-së aktuale, pasi ky nivel është i pamjaftueshëm për të garantuar sigurinë afatgjatë, tha Rutte në një konferencë shtypi pas një takimi ministror të NATO-s në Bruksel. Rutte theksoi se nevoja për shpenzime më të larta të mbrojtjes tejkalon kritikat e mëparshme të ish-presidentit amerikan Donald Trump për kontributet e mbrojtjes të Evropës. Nga ministria e Mbrojtes për Portalb.mk, thanë se buxheti për vitin 2025 pritet të arrijë në minimalisht 2% të PBB-së për mbrojte.

“Nuk ka të bëjë vetëm me Trumpin”, tha Rutte. “Unë besoj fuqishëm – dhe shumë aleatë pajtohen – se 2% thjesht nuk mjafton. Për momentin është e mjaftueshme, por nëse duam të ruajmë parandalimin efektiv në afat të gjatë, duhet të shpenzojmë më shumë”.

Kur u pyet nëse anëtarët evropianë të NATO-s duhet të përgatiten për të përmbushur një objektiv të mundshëm të shpenzimeve prej 3% të PBB-së, shifër e sugjeruar nga Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump – Rutte pranoi se presidenca e parë e Trumpit kishte bërë presion për shumë aleatë për të arritur pragun prej 2%. Lufta në Ukrainë shtoi urgjencën e mëtejshme.

“Tani për tani, ne mund të mbrohemi dhe askush nuk ka dëshirë të na sulmojë. Por duhet të sigurohemi që kjo të jetë e vërtetë në katër deri në pesë vjet”, shtoi ai.

Rutte sugjeroi që objektivat e ardhshme të shpenzimeve mund të përshtaten për vendet individuale, duke reflektuar nevojat e tyre specifike dhe boshllëqet në aftësi.

“Një gjë është e qartë: 2% nuk ​​është më e mjaftueshme”, përsëriti ai.

RMV, buxheti në vitin 2025 pritet të arrijë në minimalisht 2% të PBB-së

Ndërkohë Maqedonia e Veriut, prej se është bërë anëtare e NATO-s, vazhdimisht ka shënuar rritje në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes. Portalb.mk, pyeti në ministrinë e Mbrojtjes për diskutimin e mundshëm të rritjes së BPP-së për vendet e NATO-s, të cilën e përmendi Rutte, por nuk morëm ndonjë koment, ndërsa sa i përket buxhetit, ata njoftuan se do të ketë rritje për 322.360.000 denarë se viti paraprak.

“Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut për vitin 2025, i cili aktualisht është në procedurë parlamentare, pritet të jetë 20.450.820.000 denarë. Krahasuar me buxhetin e miratuar për vitin 2024, i njëjti pritet të rritet për 322.360.000 denarë që tregon se buxheti këtë vit pritet të arrijë në minimalisht 2% të PBB-së për Ministrinë e Mbrojtjes. Buxheti i mbrojtjes është në përputhje me vendimin e samitit të NATO-s në Uells në vitin 2014, i cili u konfirmua në samitin e NATO-s në Uashington këtë vit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Portalb.mk

Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes prej se vendi u bë pjesë e NATO-s nga viti 2020, e në vazhdim:

Buxheti i mbrojtjes ndër vite
Buxheti i mbrojtjes ndër vite
Përqindja e rritjes
Përqindja e rritjes

Sipas infografikut të mësipërm, prej se vendi është bërë anëtar i NATO-s në vitin 2020, e deri në vitin 2024, buxheti është rritur për pothuajse 10 miliardë denarë, më saktësisht 9.995.460.000.

Nga viti 2020 deri në vitin 2021, rritja ishte për 964.000.000.

Nga viti 2021 deri në vitin 2022, rritja ishte për 2.584.000.000.

Nga viti 2022 deri në vitin 2023, rritja ishte për 3.344.345.000.

Nga viti 2023 deri në vitin 2024, rritja ishte për 3.103.115.000.

Siç shihet, veçanërisht në tre vitet e fundit, rritja e buxhetit të Mbrojtjes ka qenë vazhdimisht mbi 2 ose 3 miliardë denarë.

Përndryshe, mbrojtja ka pasur buxhetin më të ulët në vitin 2017, kur ka qenë rreth 94 milionë denarë apo 0,89% e bruto prodhimit vendor (BPV).

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka mbushur mbi 4 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.