ANALIZË: Lista e borxhlinjve në RMV, rritje e borxheve të shëndetësisë dhe ndaj sektorit privat
Ndërmarrjet publike në nivel qendror dhe vendor, kompanitë shtetërore dhe shëndetësia – prijnë sipas shumës së detyrimeve të prapambetura, por të papaguara. Sipas të dhënave të reja të Ministrisë së Financave, në tre muaj NP-të në nivel lokal raportuan ulje dramatike të borxheve, por pavarësisht kësaj tendence, ato mbeten ende lart në listën e borxhlinjve. […]
Ndërmarrjet publike në nivel qendror dhe vendor, kompanitë shtetërore dhe shëndetësia – prijnë sipas shumës së detyrimeve të prapambetura, por të papaguara. Sipas të dhënave të reja të Ministrisë së Financave, në tre muaj NP-të në nivel lokal raportuan ulje dramatike të borxheve, por pavarësisht kësaj tendence, ato mbeten ende lart në listën e borxhlinjve. Borxhi ndaj sektorit privat i ka kaluar vlerën 270 milionë euro, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Firmat shtetërore dhe ndërmarrjet publike – me borxhe më të mëdha
Detyrimet e prapambetura, por të papaguara të komunave arritën në gati 61,2 milionë euro dhe krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti janë rritur për më shumë se 200.000 euro. Për tre muaj, borxhet e NP-ve në nivel qendror dhe i kompanive shtetërore, u rritën dhe arritën në nivel prej gati 370 milionë euro ose një rritje prej 42 milionë euro krahasuar me situatën në fund të qershorit.
Në grupin e subjekteve me borxhe në rritje janë edhe institucionet shëndetësore publike, në fund të tremujorit të tretë detyrimet e prapambetura, por të papaguara arritën në 77,5 milionë euro me një rritje prej 2,1 milionë euro krahasuar me tremujorin e dytë. Rritje ka edhe te borxhet e “përdoruesve të buxhetit të linjës së parë dhe të dytë” ku bëjnë pjesë ministritë, shkollat, inspektoratet, agjencitë dhe institucionet e tjera në nivel qendror.
Nga analiza krahasuese e të dhënave të bëra nga “Portalb”-i rezulton se “faktori” kryesor për uljen e totalit të “borxhit të brendshëm” në nivel shtetëror janë ndërmarrjet publike komunale, te të cilat detyrimet e prapambetura për tre muaj janë përgjysmuar, nga 186 milionë euro në tremujorin e dytë – u zvogëluan në 89,5 milionë euro në tremujorin e tretë.
Borxhi i brendshëm shtetëror është mbi baza të ndryshme, por shumat më të larta milionëshe janë për shërbime komunale, ngrohjes, transport, blerje të materialeve dhe inventarit, kredive të prapambetura.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, detyrimet e prapambetura, por të papaguara për faturat e shërbimeve komunale, komunikimet, ngrohjen, transportin arrijnë në 139,5 milionë euro dhe ndonëse kanë tendencë rënëse krahasuar me tremujorin e dytë, ky lloj borxhi mbetet më i larti. Në bazë të “shlyerjes së kryegjësë tek nivelet e tjera të pushtetit”, borxhi është 88,5 milionë euro, ndërsa borxhi për materiale dhe inventar të imët arrin në gati 74 milionë euro.
Në bazë të rrogave dhe kontributeve për sigurim social, borxhi arrin në gati 5 milionë euro, kurse detyrimet e prapambetura, por të papaguara për “shërbimet kontraktuese” në fund të tremujorit të tretë ishin në vlerë prej 54,2 milionë euro.
Sipas të dhënave, borxhi ndaj sektorit privat, shoqatave të qytetarëve dhe organizatave jofitimprurëse është rritur ndjeshëm për tre muaj. Në tremujorin e tretë detyrimet e prapambetura ndaj sektorit privat kaluan vlerën prej 270 milionë euro, me një rritje prej 65,3 milionë euro krahasuar me tremujorin e dytë. Detyrimet e brendshme në sektorin publik kapin vlerën prej afro 353 milionë euro, detyrimet e prapambetura, por të papaguara ndaj subjekteve të huaja 35,1 milionë euro, ndërsa borxhet ndaj personave fizikë në fund të tremujorit të tretë arritën në rreth 2,5 milionë euro.
Në fund të muajit shtator, borxhi i përgjithshëm i brendshëm arriti në 660,1 milionë euro dhe në krahasim në tremujorin e dytë është zvogëluar për 22,6 milionë euro.