Politikat rinore në RMV në ‘duar’ të shtatë personave, shuarja e ARS-së e përkeqësoi edhe më shumë situatën
Organizimi institucional i të rinjve në Maqedoninë e Veriut mbetet i dobët, përkundër që transferimi i Agjencisë për Rini dhe Sport në një ministri që do të kujdesej edhe për të rinjtë u proklamua si diçka nga e cila të rinjtë do të përfitonin më shumë. Portalb-i mësoi se Sektori për Rini në këtë ministri […]


Organizimi institucional i të rinjve në Maqedoninë e Veriut mbetet i dobët, përkundër që transferimi i Agjencisë për Rini dhe Sport në një ministri që do të kujdesej edhe për të rinjtë u proklamua si diçka nga e cila të rinjtë do të përfitonin më shumë. Portalb-i mësoi se Sektori për Rini në këtë ministri ka vetëm shtatë të angazhuar, prej të cilëve katër janë në pozita menaxheriale ndërsa zyra për të rinjtë është tërësisht jofunksionale, shkruan Portalb.mk.
Programi parazgjedhor i partive politike ishte i mbushur me premtime për të rinjtë. Portalb-i analizoi ato dhe rezultoi që premtimi i vetëm që është realizuar deri tani është transferimi i Agjencisë për Rini dhe Sport në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografi dhe Rini.
As kjo nuk u bë siç duhet
Regjistrimi i fundit i popullsisë i vitit 2021 tregoi që në Maqedoninë e Veriut ka gjithsej 326.733 të rinj rezident. Meqë numri i të rinjve rezident është relativisht i lartë, organizimi institucional i tyre është në përmasa skandaloze.
Portalb-i përmes kërkesës për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik siguroi listën e të angazhuarve dhe rolin e tyre në Sektorin për Rini, brenda Ministrisë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini.
Rezultoi që vetëm shtatë persona janë të angazhuar në këtë sektor, katër prej tyre janë në pozita menaxheriale dhe rrjedhimisht nuk merren drejtpërdrejt me çështjet rinore. Sipas kësaj, vetëm 3 persona bëjnë punë administrative për çështje rinore në vend.
Ministria për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini nuk komentoi numrin e vogël të të angazhuarve. Portalb-i jozyrtarisht mëson se i gjithë procesi i transferimit të këtij sektori në ministri është duke shkuar lëmsh.
Mësojmë se i gjithë Sektori për Rini punon në një zyrë ndërkaq qendra për hulumtime që udhëhiqet nga Arta Sulejmani deri tani nuk ka publikuar asnjë hulumtim të vetëm, përkundër që e kanë obligim t’i hulumtojnë dhe publikojnë trendet rinore.
Sipas kuadrit ligjor në vend, përkatësisht Ligjit për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore, personat e moshës 15 deri në 29 vjeç konsiderohen të rinj.
Premtimet tjera nuk janë realizuar fare
Partia në pushtet, VMRO DPMNE-ja për të rinjtë ka premtuar dhe nuk ka realizuar:
- Lirim nga tatimi i të ardhurave personale për 70 mijë të rinj të sapopunësuar, ofertë e garantuar pune për 500 studentët më të mirë, 5.000 trajnime njëvjeçare për të rinjtë nga fusha e TIK-ut si dhe 5 milion euro për nisma sipërmarrëse për të rinjtë.
- Për nxitjen e punësimit në profesionet e reja, programi i VMRO-së ka paraparë lidhje digjitale me botën, qendër të inovacionit digjital, mbështetje të vullnetarizmit rinor në institucionet publike dhe vauçerë për trajnime plotësuese dhe arsim joformal, si dhe mbështetje për 5.000 fermerë të rinj.
- Aplikacion celular përmes të cilit të rinjtë do të kenë mundësi të shfrytëzojnë lirimet për hyrje në teatro, muze, institucione të fushës së kulturës, transportit publik, garave sportive dhe ngjarjeve tjera. Përpos kësaj, ka premtuar internet falas për të rinjtë në të gjitha konviktet e studentëve dhe nxënësve, biblioteka, leximore, qendra rinore dhe fakultete, sheshe dhe pika tjera urbane.
- Rinovimi i të gjitha konvikteve të studentëve dhe të nxënësve, shujtë të denjë për të gjithë studentët, 50 milion euro bursa për studentë dhe nxënës, e-biblioteka në fakultete, leximore, qendra të karrierës për të rinjtë.
Koalicioni VLEN nga ana tjetër për të rinjtë ka premtuar dhe nuk ka realizuar:
- Ndërtimi i 200 terreneve sportive në vendbanimet shqiptare, 5 qendra kulturore shqiptare dhe mbështetje për sportistët elitarë.
- Shkollat të shndërrohen në qendra të komunitetit, të pajisura me bilbioteka fizike digjitale dhe qasje falas në internet.
- Unifikimi i programeve mësimore me Shqipërinë, Kosovën dhe formimi i institutit të përbashkët, kultivimi i të folurit dhe gjuhës. Vënia në veprim e një arsimi të përforcuar në shkollimin e mesëm, për të gjithë ata që do të kalojnë provimin pranues në gjimnaz, ndërsa për të gjithë tjerët regjistrim në shkollat profesionale.
- Arsim profesional cilësor, rritja e sigurisë në shkolla, përforcimi i cilësisë së universiteteve si dhe programi ‘Erasmus’ për shkëmbim të studentëve në Shqipëri dhe Kosovë.
Përderisa premtimet nuk realizohet, numri i të rinjve në RMV vazhdimisht tkurret
Në vitin 2002, grupmosha e të rinjve përbënte 24 përqind, ndërsa në vitin 2021 vetëm 18 për qind të popullsisë së përgjithshme. Më specifikisht, numri total i të rinjve është zvogëluar më pak se 80 mijë.
Ndërkaq për shtatë vite në vend ka 17 mijë nxënës më pak, ndërsa numri i studentëve është zvogëluar për 7 mijë. Të dhënat u prezantuan në një ngjarje në Fakultetin Ekonomik në Shkup, ku u prezantuan rezultatet e projektit “Skills4Justice”.
Hodai: Shteti asnjëherë s’i ka marrë seriozisht nevojat e rinisë
Blendi Hodai tash disa vite merret me çështjet rinore në Maqedoninë e Veriut. Për Portalb-in thotë se i gjithë procesi i transferimit të Agjencisë për Rini dhe Sport në ministri për të rinjtë është realizuar gabimisht.
“Nuk e kishin seriozisht që kur e premtuan, e bënë veç sa për të thënë se e kanë realizuar një premtim parazgjedhor. Shtatë persona të kujdesen për nevojat e mbi 350 mijë të rinjve është e pamundur, si dhe ofenduese”, tha Hodai.
Përpos kësaj, në institucionet e vendit numri i të rinjve udhëheqës është shumë i vogël ose jo-ekzistent ndërsa Ministria për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini udhëhiqet nga Fatmir Limani, i lindur në vitin 1973.