Kodra e Diellit për Mexhitin është ndër qendrat e skijimit më të mira në Ballkan, por ikë kur i kërkohen detaje për investimin italian
Së shpejti pritet të ketë diçka konkrete për investimin italian në Kodrën e Diellit. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor Izet Mexhiti, por nuk dha detaje konkrete, pavarësisht insistimit të gazetarëve, shkruan Portalb.mk. Më 19 dhjetor 2024 u bënë dy vjet që kur kompania italiane ‘TechnoAlpin’ në vitin 2022 prezantoi planin dhe projektin për zhvillimin e qendrës […]
Së shpejti pritet të ketë diçka konkrete për investimin italian në Kodrën e Diellit. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor Izet Mexhiti, por nuk dha detaje konkrete, pavarësisht insistimit të gazetarëve, shkruan Portalb.mk.
Më 19 dhjetor 2024 u bënë dy vjet që kur kompania italiane ‘TechnoAlpin’ në vitin 2022 prezantoi planin dhe projektin për zhvillimin e qendrës turistike ‘Kodra e Diellit’.
Për dy vite me radhë negociatat janë zvarritur dhe pa epilog deri më tani, ndërsa institucionet e vendit e kanë mbajtur këtë temë ‘top sekret’ për opinionin, duke dhënë shumë pak informata për procesin.
Për të mos përfunduar me kaq, më 5 dhjetor 2024 ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti për Portalb.mk njoftoi se “kanë rifilluar bisedimet”.
Ndërkaq i pyetur së fundmi se ku ka mbetur ky proces, gjatë një ngjarjeje në Tetovë së bashku me kreun e komunës, Mexhiti ngjashëm si funksionarët paraprakë u lavdërua se punët janë në drejtim të mbarë, por nuk dha detaje konkrete mbi këtë proces.
“Ne nuk e kemi premtuar si të tjerët që të ju thërrasim dhe aty ta promovojmë, mirëpo mendoj se ka qenë një prej temave që nëse them çdo ditë është e tepërt, mirëpo çdo javë bashkë me kryetarin e Komunës së Tetovës e kemi biseduar në nivel qeveritar, herë me kryeministrin herë me ministrin e Punëve të Jashtme. E mira është që italianët janë të interesuar edhe më tutje, edhe pse nuk janë trajtuar në të kaluarën. Pra Kodra e Dellit është një prej qendrave të skijimit më të mira në Ballkan dhe mendoj se me mbështetje të pushtetit lokal dhe qeveritar së shpejti do të drejtohet ky investim që ajo qendër e skijimit të merr performancat e duhura”, tha Mexhiti.
Por kur gazetarët insistuan për detaje konkrete në fund të konferencës për shtyp, Mexhiti u largua duke thënë “do të ketë press të posaçëm, do dalim atje”.
Për këtë investim të mundshëm italian nga kompania ‘TechnoAlpin’ në fund të vitit 2024 foli edhe kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami. Ai tha se kanë pasur takim me këtë kompani në Ministrinë e Jashtme ku është konstatuar se qeveria paraprake gati tre vite ka promovuar një investim që është në fillim të idesë.
Kasami ka thënë se investitorit italian që në këtë rast është kompania ‘TechnoAlpin’ u janë dhënë udhëzime se si duhet të vazhdojnë më tutje dhe cilat janë informatat që Qeverisë së RMV-së i duhen që të merr vendime adekuate se si do vazhdojnë procedurat më tutje.
Që ky projekt është zvarritur gjithë këtë kohë e konfirmojnë edhe nga kompania italiane ‘TechnoAlpin’ me të cilët Portalb.mk tani e dy vjet është në komunikim të vazhdueshëm.
“Ende nuk kemi ndonjë përditësim të ri për të ndarë”, thanë nga TechnoAlpin.
Nga ana tjetër, deputeti i Kuvendit të RMV-së nga LSDM-ja opozitare dhe ish kryetar i Komisionit për Investime Strategjike në përbërjen e kaluar qeveritare, Fatmir Bytyqi për Portalb.mk para disa kohësh theksoi se projekti nuk arriti finalizohet para zgjedhjeve.
“Negociatat nuk arritën të finalizohen para se të shpallen zgjedhjet. Prandaj nuk vazhdoi. Të gjitha dokumentet janë në Qeveri. Nuk është anuluar, nuk ka vendim të tillë. Nëse vazhdojnë negociatat varret nga Qeveria e re”, pati thënë Bytyqi.
‘TechnoAlpin’ në dhjetor 2022 e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove.
Në lidhje me këtë projekt autoritetet kanë premtuar shumë, megjithatë negociatat ende nuk kanë marrë epilog dhe deri më tani nuk është arritur të nënshkruhet marrëveshja.
Kodra e Diellit edhe pse është ndër destinacionet më të mira dimërore në Ballkan dhe jo vetëm, për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë të tjera.
Sezoni turistik në Kodrën e Diellit sivjet filloi më 13 dhjetor 2024. Për shkak të borës së pamjaftueshme, viteve të fundit sezonet e skijimit kanë qenë të pasuksesshme dhe me shumë humbje.