A lejohet përdorimi i celularëve në shkolla? Qëndrime nga Bogovina, Bërvenica, Çairi, Dibra dhe Gostivari
Komunat me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë të pajtimit për ndalimin e telefonave celular për nxënësit në shkolla. Ndërkaq, përderisa një pjesë e drejtuesve të shkollave thonë se kanë vendosur rregull për ndalimin e telefonave, disa të tjerë nuk kanë marrë vendim të tillë sepse thonë se ndalesa duhet të bëhet me ligj. […]


Komunat me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë të pajtimit për ndalimin e telefonave celular për nxënësit në shkolla. Ndërkaq, përderisa një pjesë e drejtuesve të shkollave thonë se kanë vendosur rregull për ndalimin e telefonave, disa të tjerë nuk kanë marrë vendim të tillë sepse thonë se ndalesa duhet të bëhet me ligj. Megjithatë, të gjithë janë të mendimit se përdorimi i tepërt i telefonave celular i dëmton nxënësit, dhe se ata nuk janë të koncentruar në procesin mësimor. Madje, kujtojmë se nga sfidat e ndryshme në rrjetet sociale janë regjistruar disa raste ku pësojnë të rinjtë, shkruan Portalb.mk.
Të rinjtë sot shpenzojnë po aq kohë në celularët e tyre sa një punonjës me kohë të plotë, tregon hulumtimi i ambasadës së Fëmijëve “Megjashi”. Qëndrimi i tepruar në rrjetet sociale, lojëra të dhunshme dhe uebsajte të pakontrolluara, shpie deri te rezultati i dobët në shkolla, por edhe në dëme më të mëdha, posaçërisht ndaj mirëqenies fizike dhe mentale të rinjve.
Debati për atë se a duhet lejuar celulari nëpër shkolla bëhet sa herë aktual pas ndodhive tragjike siç kemi parë raste të dhunshme si në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri e Serbi ku influencat e ndryshme nga rrjetet sociale shpallen fajtore për sjelljet devijante të të rinjve.
Në shkurt të këtij viti, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska deklaroi se ishte dakord që nxënësit të mos kenë celularë, dhe se ata do të fokusohen më shumë në njohuri. Ajo kujtoi se shkollat janë nën juridiksionin e komunave dhe komunat së bashku me drejtuesit e shkollave do ta marrin atë vendim. Komunat me shumicë maqedonase, Komuna e Aerodromit dhe Komuna e Qendrës vendosën të ndalojnë përdorimit të telefonit celular nga fillimi deri në fund të orëve të mësimit.
Portalb.mk kontrolloi si qëndron situata në komunat me shumicë shqiptare në RMV. A kanë vendim dhe rregullore në bashkëpunim me udhëheqësit e shkollave për ndalimin e përdorimit të telefonave celular për nxënësit.
Në këtë seri tekstesh, kemi pyetur Komunën e Bogovinës, Komunën e Bërvenicës, Komunën e Çairit, Komunën e Dibrës, dhe Komunën e Gostivarit.
Qëndrimi i komunave
Nga Komuna e Bogovinës theksuan se ata e kanë mbështetur kërkesën e shkollave për ndalimin e përdorimit të telefonave në shkollë për të gjithë nxënësit.
“Kërkesa ka qenë e shkollave që të ndalohen mbajtja e telefonave për nxënësit në orën mësimore, sigurisht që janë konsultuar edhe nga ana e komunës dhe ju është dhënë përkrahje që në bashkëpunim me shkollat këshillin e prindërve të bien dakord për ndalesën e celularëve në shkollë”, thanë nga Komuna e Bogovinës.
“Preferohet të mos përdoren telefonat në shkollë. Drejtorët e shkollave menaxhojnë me shkollat dhe të njëjtit kanë një vendim të tillë. Ne si komunë nuk mundemi t’i detyrojmë drejtorët për një vendim të tille”, thanë nga Komuna e Bërvenicës.
Ngjashëm si komunat e tjera edhe nga Komuna e Dibrës theksojnë se ata në bashkëpunim me udhëheqësit e shkollave e kanë sjellë vendimin që të ndalohet përdorimi i telefonave për nxënësit në shkollë.
“Nga takimi i drejtorëve me këshillin e prindërve kanë sjellë rregulloren e shkollës, dhe ne si komunë me vetë iniciativë në bashkëpunim me drejtorët dhe stafin profesional të shkollave kemi mbajtur mbledhje ku u vendos që në lidhje me këtë çështje shkollat të kenë takim me këshillin e prindërve”, thanë nga Komuna e Dibrës.
Ndryshe nga komunat e tjera, Komuna e Gostivarit theksoi se ka kohë që kanë ndërmarrë masa për ndalimin e përdorimit të telefonave vetëm nëpër shkolla fillore.
”Së bashku me drejtoret kemi vendosur që në shkollat fillore të mos përdoren aspak telefonat, ndërsa në shkollat e mesme ne si komunë kemi bërë vende të posaçme nëpër klasa ku nxënësit mund t’i lënë telefonat gjatë orëve mësimore”, thanë nga Komuna Gostivarit.
Pyetje i dërguam edhe Komunës së Çairit, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.
Çfarë thonë udhëheqësit e shkollave?
Në lidhje me këtë çështje Portalb.mk bisedoi me Besim Besimin drejtorin e shkollës fillore “Sami Frashëri” në fshatin Pirok të Komunës së Bogovinës. Ai tha se vendimi për ndalimin e telefonave për nxënësit gjatë orëvë të mësimit e kemi sjell si rregullore brenda shkollës.
“Në bashkëpunim me këshillin e prindërve e kemi sjell këtë vendim, dhe nga kjo masë vërehen rezultate në koncentrimin e nxënësve në orët mësimore dhe sidomos të mos keqpërdoren për foto nga ku mund të vjen deri te bullizimi dhe shantazhimi. Besoj se po të ishte e rregulluar me ligj kjo ndalesë do kishte më shumë rezultate në përgjithësi në të gjitha shkollat”, deklaroi Besimi.
Ndërsa në shkollën fillore “Abdyl Frashëri” në Bogovinë, biseduam me drejtorin Enes Misimi, i cili tregoi se ka tre vite që i kanë ndaluar telefonat në shkollë.
“Kemi tre vite që e kemi zbatuar këtë vendim, dhe problematikat e shumta që vinin nga telefonat në dorë të nxënësve gjatë orëve mësimore ose gjatë qëndrimit në shkollë, dhe prej se është ndaluar telefoni, disiplina në shkollë është përmirësuar dukshëm, sepse është ndërprerë komunikimi në mes nxënësve për lojëra, grupime, bullizime me foto dhe video që bëheshin brenda shkollës”, tha Misimi.
Nga ana tjetër Jasin Reka drejtori i shkollës fillore komunale “7 Marsi” në fshatin Çellopek të Komunës së Bërvenicës theksoi se edhe pse e kanë marrë këtë vendim ka raste kur i japin leje individuale nxënësve për ta marrë telefonin me vete, ai thotë se telefoni i jepet nxënësit vetëm në qoftë se atë ditë ka aktivitete të tjera.
“Problemi shpesh bisedohet nëpër mbledhje e takime individuale me mësimdhënësit. Më shumë ia kemi parë sherrin përdorimit të tyre se sa përparësitë e saj në procesin mësimor. Tani më shkolla jonë ka një urdhër të tillë dhe deri tani çdo nxënës e respekton këtë urdhër dhe besoj se edhe procesi mësimor zhvillohet ndryshe, gjegjësisht mësimdhënësit nuk hasin në vështirësi apo raste të pakëndshme nga ana e nxënësve”, tha Reka.
Rahim Maksuti drejtori i shkollës fillore komunale “Jashar Bej Shkupi” në Komunës së Çairit, tregoi se ka kohë që e kanë marrë këtë vendim.
“Shkolla jonë para ca viteve ka marrë këtë vendim normal çdoherë vendimet e marra janë në bashkëpunim me prindërit. Në bashkëpunim me këshillin e shkollës dhe këshillin e prindërve kemi shqyrtuar këtë problematikë dhe kemi marrë vendim për ndalimin e telefonave në shkollë. Nëpërmjet vëzhgimit nëpër klasa kemi vërejtur se ka ndryshim në përqendrimin e nxënësve, angazhimin e tyre në mësime, përmirësimin e sjelljes sociale. Në përgjithësi janë vërejtur efektet e shumta pozitive që nga fillimi i zbatimit të këtij vendimi”, tha Maksuti.
Kurse drejtori i shkollës fillore komunale “Said Najdeni” Arsim Miftari tha se këtë vendim e ka marrë para 10 viteve.
“Ndalesa e përdorimit të telefonave në hapësirat e shkollës është një vendim që është marrë me vetiniciativë nga ana e shkollës në bashkëpunim me prindërit që nga viti 2015/2016. Edhe pse ky rregull ka qenë në fuqi dhe ka qenë i suksesshëm në shkollën tonë, në gusht të vitit 2024 e kemi ripërsëritur si iniciativë në këshillin e shkollës, për të siguruar që zbatimi i tij të mbetet i qëndrueshëm dhe efektiv. Megjithatë, për të siguruar që zbatimi i tij të mbetet efektiv do të vazhdojmë ta monitorojmë në mënyrë të rregullt dhe të marrim feedback nga mësuesit, nxënësit dhe prindërit. Çdo rishikim do të bëhet me qëllim përmirësimi të mëtejshëm të kësaj mase”, tha Miftari.
Ndryshe, Ramadan Imeri drejtori i shkollës së mesme komunale “28 Nëntori“ në Dibër thotë se nuk duhet larguar telefonat celularë, dhe pasi që shumica e orëve të mësimit mbahen me teknologji informative.
“Pasi që një shumice e orëve të mësimit mbahen me teknologji informative si edhe për njohuri më të shpejta. Por në rast se ka ndonjë propozim të tillë patjetër se do ta marrim në konsideratë. Trekëndëshi profesorë, nxënës dhe prind si edhe anasjelltas është i shkëlqyeshëm, prandaj është e nevojshme të marrim masa për heqjen e telefonave, por për momentin mendoj edhe vlerësoj se nuk ka nevojë”, tha Imeri.
Ndërsa Vlera Fidani drejtoresha e shkollës fillore komunale “Bashkimi” tregoi se ende nuk kanë marrë ndonjë vendim për ndalimin e telefonave për nxënësit në shkollë, ajo thotë se pasi që jo të gjithë pajtohen me këtë vendim.
“Jemi të mendimit që duhet të ndalohen telefonat gjatë mësimit, dhe jemi konsultuar por jo të gjithë pajtohen me këtë vendim. Në koordinim me shërbimin profesional të shkollës si dhe me kujdestarët e klasave kemi ndërmarrë aktivitete gjatë orëve të kujdestarisë që mësimi pa celularë është më efektiv. Vendimi zbatohet pjesërisht, dhe presim që dukshëm të nisën të ketë efekt pozitiv në përmirësimin e disiplinës dhe cilësisë të mësimdhënies”, tha Fidani.
Nga ana tjetër Jeton Sulejmani drejtor i shkollës së mesme komunale së mjekësisë “Gostivar” thotë se ndalimi i përdorimit të telefonave për nxënësit të jetë i ndaluar me ligj.
“Ne konsiderojmë që përdorimi i telefonit në orë mësimore nga ana e nxënësve të jetë i ndaluar me ligj, ka nga prindërit që arsyetohen për fëmijët e tyre se pse e mbajnë telefonin në shkollë, mirëpo shumica e nxënësve e mbajnë si pjesë e jetës si gjithë në kohën e tashme. Sa mund të themi se pajtohemi për ndalesën e telefonave për nxënësit aq mund të themi se është e pamundur duke pasur parasysh se në kohën e sotme gjithçka funksionon nëpërmjet internetit dhe digjitalizimit, kjo nënkupton edhe mungesën e librave që sa vite nxënësit ende nuk janë të pajisur me librat në 80% te lëndëve mësimore e sidomos lëndeve profesionale”, tha Sulejmani.
Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut së fundmi në dhjetor 2024 u ngrit alarmi për rrjetin TikTok nga lëndimet që u shkaktuan te fëmijët në sfidën e ashtuquajtur “Supermen”. Por, ministria e Digjitalizimit tha se Qeveria nuk planifikon ta kufizojë përdorimin e TikTokut. Një nismë e ngjashme në RMV u propozua edhe në vitin 2023, por nuk u bë asgjë konkrete. Nga sfida të ndryshme online në RMV janë regjistruar disa raste ku kanë pësuar të rinjtë. Portalb.mk ka trajtuar disa herë temën e përdorimin e rrjeteve sociale nga ana e të rinjve në vend.
Në krahasim me RMV, Qeveria e Shqipërisë vendosi të mbyllë rrjetin social TikTok pas vrasjes të një nxënësi 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij dhe pas rasteve të konflikteve mes të miturve që ekspozohen edhe online.
Në tekstin e radhës do të kemi komunën e Haraçinës, Kumanovës, Kërçovës, Likovës, dhe Sarajit.