Abdixhiku: Vendimmarrja mbi fatin e LDK-së i takon vetëm anëtarësisë, jo interesave të tjera politike
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha në Kuvendin e partisë se përgjegjësia për vendimet politike i takon vetëm anëtarësisë dhe asnjë organ apo interes i jashtëm nuk mund të ndikojë në fatin e LDK-së, raporton Ekonomia Online. Ai theksoi se drejtimi i LDK-së është një sfidë unike demokratike, e cila kërkon përkushtim


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha në Kuvendin e partisë se përgjegjësia për vendimet politike i takon vetëm anëtarësisë dhe asnjë organ apo interes i jashtëm nuk mund të ndikojë në fatin e LDK-së, raporton Ekonomia Online.
Ai theksoi se drejtimi i LDK-së është një sfidë unike demokratike, e cila kërkon përkushtim të vazhdueshëm dhe lidership demokratik:
“Të nderuar delegatë, të mbledhur në këtë kuvend, më lejoni të dashur delegatë, sepse para se të shtroj fjalët e tjera, në këtë fjalimin tim sot, më të gjatë se zakonisht, t’i heq të gjitha dyshimet, të gjitha mëdyshjet, t’ju shikoj drejt e në sy e t’ju them se po, përgjegjësia është e imja, se në fund të këtij fjalimi do t’ju shtroj këtë përgjegjësi, se po, vendimmarrja mbi këtë përgjegjësi dhe jo vetëm, do t’ju kthehet vetëm juve dhe askujt tjetër. Sepse për aq sa jam kryetar, nuk lejoj, nuk shoh dhe nuk pranoj asnjë trup, asnjë interes, asnjë platformë, asnjë organizim tjetër politik-partiak të vendosë për fatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, përveç këtij kuvendi dhe anëtarësisë së kësaj familje. Unë kam zgjedhur të dal përpara jush, jo sepse e kam të lehtë, por sepse e ndjej të domosdoshme. Sepse kam besuar gjithmonë se njeriu nuk matet kur çdo gjë shkon mirë, por kur duhet të flasë edhe atëherë kur fjala i dridhet pak. Sepse që ta kuptoni, LDK nuk është për mua thjesht një strukturë e zakonshme politike, është shtëpia ime, është familja ime, është vendi ku shumë prej jush edhe unë, veçanërisht unë, kemi mësuar çfarë do të thotë durimi, respekti, përulësia dhe besimi te njëri-tjetri”, tha ai.
Abdixhiku shtoi se rezultati i partisë nuk vjen nga një gabim i vetëm, por është një proces i gjatë që kërkon reflektim të hapur.
“Të dashur delegatë, rezultati që na solli këtu nuk erdhi nga një gabim i vetëm, as nga një natë e vetme, as nga një vendim i vetëm. Ai erdhi ngadalë, si grumbullim, si peshë që rëndonte çdo ditë, derisa një ditë e kuptoni se nuk mban më. Dhe për të kuptuar pse jemi këtu sot, duhet të kemi guxim t’i themi disa të vërteta ballë për ballë, drejt e në sy. Pa zbukurime, pa iluzione. Prandaj më lejoni t’i jap shpjegimin dhe tregimin tim për rezultatin e LDK-së, për gjendjen tonë partiake dhe për rrugën përpara. Jo si një analist i ftohtë politik, por si një rrëfim përmbajtësor, si dikush që e ka përjetuar këtë rrugëtim nga afër, me të gjithë peshën e tij, me të gjithë përgjegjësinë e tij, me të gjithë heshtjen dhe dilemat që nuk ndahen nga ai”, tha ai.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e demokracisë brenda partisë dhe sfidën e ndërtimit të lidershipit demokratik.
“Dhe do ta bëj këtë nëpërmjet tri realiteteve që duhet t’i ballafaqojmë hapur këtu dhe jo vetëm këtu. Realiteti i parë dhe më i rëndësishmi që duhet ta pranojmë sot, është ky: Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e vetmja parti politike në vend, themeluesi i së cilës nuk jeton. Ky fakt, përveç simbolikës historike, ka nisur një proces të domosdoshëm pjekurie tek ne. I thonë demokraci. Në demokraci lind sfida e madhe politike: ndërtimi i lidershipit demokratik, jo autoritar, por demokratik. Dhe rrjedhimisht lind sfida e ndërtimit të solidaritetit. Le ta kuptojmë, në këtë rrugëtim jemi ndryshe nga çdo parti tjetër në Kosovë. Çdo parti tjetër që udhëhiqet nga themeluesit e saj, janë aty gjithmonë. Nuk sfidohen, nuk lëkunden, nuk vihen asnjëherë në provë. Ata janë vetë partia, autoritet suprem. Demokracia atje është mjet i konsolidimit të autoritetit, lidershipi është produkt i parapërcaktuar që nga fati i themelimit. Solidariteti atje është i nënkuptuar më shumë si nënshtrim”, tha ai.
Ai deklaroi se nata e zgjedhjeve nuk ishte vetëm një rezultat politik, por një pasqyrë e përpjekjeve, mundit e sakrificës të shumë njerëzve që pesë vitet e fundit panë teksa shembeshim para syve.
“Jemi mbledhur këtu në këtë Kuvend sepse kështu e kërkon përgjegjësia, kështu e kërkon LDK. Ky Kuvend nuk më është mbledhur, e kam thirrur dhe mbledhur vet, nuk kam pritur të bëhet zhurma dhe as të jepen ultimatume që u bën gjithsesi. Akti i parë i këtij obligimi moral është ballafaqimi, me rezultatet, me pritjet, me anëtarësinë, me vetveten, mbi të gjitha mbi të ardhmen tonë. Më lejoni t’i heq të gjitha dyshimet, dhe të them po, se përgjegjësia është e imja. Dhe se po, vendimmarrja do t’u kthehet juve. Nuk lejoj askush tjetër të vendos për fatin e LDK-së, përveç Kuvendit”, tha ai.
