Ajri toksik në të gjitha anët e vendit, Shkupi sërish në mesin e “kampionëve” të botës
Shkupi, Velesi, Kumanova, Strumica, Kavadari, Kërçova, Tetova dhe Koçani edhe sot janë duke u mbytur në grimcat PM. Ndotja e ajrit po thyen rekorde këtë dimër dhe kryeqyteti është sërish në listën e dhjetë më të ndoturve në botë. Mëngjesin e sotëm, të gjitha stacionet matëse të Shërbimit Shtetëror të Monitorimit të Cilësisë së Ajrit, […]
Shkupi, Velesi, Kumanova, Strumica, Kavadari, Kërçova, Tetova dhe Koçani edhe sot janë duke u mbytur në grimcat PM. Ndotja e ajrit po thyen rekorde këtë dimër dhe kryeqyteti është sërish në listën e dhjetë më të ndoturve në botë. Mëngjesin e sotëm, të gjitha stacionet matëse të Shërbimit Shtetëror të Monitorimit të Cilësisë së Ajrit, me përjashtim të atij në Lazaropole, që matin PM 10 dhe PM 2.5, tregojnë përqendrime të larta ose shumë të larta të grimcave, transmeton Portalb.mk.
Në 24 orët e fundit qyteti më i ndotur ka qenë Kumanova, ku janë matur 188 mikrogramë për metër kub grimca PM 2.5, që është gati tetë herë më e lartë se vlera maksimale e lejuar, dhe 214 mikrogramë PM 10, që është më shumë se katër herë mbi vlerat maksimale. Ajri toksik është matur edhe në të gjitha komunat e Shkupit. Stacioni matës në Lisicë ka matur 186 mikrogramë PM 2.5, ndërsa ai në Qendër ka matur 107 mikrogramë PM 2.5 dhe 147 mikrogramë PM 10. Në Gazi Babë përqendrimet e PM 2.5 kanë qenë 101, ndërsa në Karposh 111 mikrogramë.
Shkupi është në vendin e dhjetë në listën e IQAir mëngjesin e sotëm, me vlerën e indeksit të ndotjes 162, kryesisht për shkak të përqendrimeve të grimcave PM 2.5, të cilat janë mbi 14 herë më të larta se rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ajri vlerësohet si i pashëndetshëm dhe rekomandimet janë shmangia e ushtrimeve në ambiente të jashtme, vendosja e maskës dhe përdorimi i pastruesve të ajrit në ambiente të mbyllura.
Në Tetovë ajri tri ditët e fundit është i ndotur me PM 10 deri në trefish mbi kufijtë e lejuar. Në Strumicë janë matur 129 mikrogramë PM 10, në Kavadar 159, në Koçan 100 dhe në Kërçovë 132 mikrogramë për metër kub.
Gjashtë nga 22 pikat matëse të Sistemit të Monitorimit Automatik Shtetëror, për të dytin muaj radhazi që nga fillimi i sezonit të ngrohjes dhe ajrit të ndotur, nuk japin informacion të plotë mbi përqendrimet e PM 10 apo PM 2.5 në ajër. Në Prilep dhe Berovë nuk maten të dyja vlerat, ndërsa në Koçan, Veles, Manastir dhe Rektorat matet një vlerë. Ministria e Mjedisit bën me dije se shumica e instrumenteve në pikat matëse janë në funksion, por për shkak të problemeve të tjera teknike nuk po bëhen matje të ndotjes. Disa nga defektet janë duke u servisuar, ndërsa për mirëmbajtjen e instrumenteve është kryer procedurë për blerjen e pjesëve rezervë në vlerë prej 3,5 milionë denarë.
Kujtojmë se sipas raportit të UNICEF-it, në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare.
Edhe Instituti i Shëndetit Publik që në fillim të vitit 2024 e publikoi raportin “Ndotja e ajrit në Republikën e Maqedonisë dhe rreziqet ndaj shëndetit”, sipas të cilit pothuajse 18 përqind e mortalitetit të përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM-2.5.