Akademia e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art në RMV mbetet pa institucionalizim, shoqatë nën lëmoshën e zyrtarëve lokalë

Ende nuk po e sheh dritën zyrtarizimi në institucion shtetëror Akademia e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art në Maqedoninë e Veriut e cila vazhdon të mbetet shoqatë nën lëmoshën e institucioneve lokale dhe vullnetit të disa politikanëve. Koalicioni shqiptar në pushtet, VLEN pranon se nuk ka marrëveshje me me partitë maqedonase  për institucionalizimin e akademisë. Nga shoqata […]

Prill 20, 2025 - 20:00
 0  6
Akademia e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art në RMV mbetet pa institucionalizim, shoqatë nën lëmoshën e zyrtarëve lokalë
Shoqata Akademia e Shqiptarëve për Shkencë dhe Artë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. FOTO: Nga arkivi i shoqatës

Ende nuk po e sheh dritën zyrtarizimi në institucion shtetëror Akademia e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art në Maqedoninë e Veriut e cila vazhdon të mbetet shoqatë nën lëmoshën e institucioneve lokale dhe vullnetit të disa politikanëve. Koalicioni shqiptar në pushtet, VLEN pranon se nuk ka marrëveshje me me partitë maqedonase  për institucionalizimin e akademisë. Nga shoqata thonë se VLEN u fotografua me ta disa herë, por, Këshillat komunalë nuk kanë nxjerrë asnjë Konkluzion për formimin e institucionit publik me kompetenca për hulumtime shkencore, shkruan Portalb.mk.

“Ka ardhur koha që të tregohet kapaciteti intelektual i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe koalicioni VLEN do të mbështesë themelimin e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve në vendin tonë”. Me këtë zotim e të cilin e kishin edhe gjatë fushatës zgjedhore, nisi mandatin e saj qeverisës VLEN, në korrik të vitit të kaluar (2024), pas një takimi me një grup profesorësh universitarë.

Por, dhjetë muaj më vonë, Shoqata e Akademikëve Shqiptarë për Shkencë dhe Art (ShAShShA) ende vepron si shoqatë, me çalime në veprim, shkaku i mungesës së mbështetjes institucionale. 

“Po, VLEN u fotografuan me ne disa herë para gazetarëve. Premtuan, por duhej menjëherë Këshillat komunale të nxjerrin një Konkluzion për formimin e institucionit publik me kompetenca për hulumtime shkencore. Këtë nuk e kanë bërë. Po presin kohë të përshtatshme, thonë ata. Tani për tani, vetëm Bilall Kasami po na paguan qiranë, rrymën, internetin dhe nga pak harxhime rruge. Ai na ka mbështet prej fillimit, sidomos projektet tona, botimin e dy publikimeve dhe shtatë konferenca shkencore. Të tjerët janë ende me fjalë të mira.” thonë për Portalb.mk nga ShAShShA duke theksuar se Komuna e Gostivarit premton prej në fillimit të vitit 2022 kurse Komuna e Çairit nuk paguan.

“Pa para nuk ka ecje përpara” thonë nga atje dhe shprehen te brengosur, siç theksojnë, nuk ka zhvillim sepse që të botosh në një revistë me “Scopus” duhet së paku 1000 euro. 

“Që të sjellësh ekspertë  nga jashtë duhet para, që të bësh hulumtime shkencore duhet të bësh ekip të paguar mirë, sepse profesorët universitarë tani rrogën e kanë 2000 euro dhe nuk vjen askush të punojë pa para. Ne po lëvizim vetëm Tetovë – Shkup”, deklarojnë nga aty. 

VLEN: Nuk kemi arritur pajtueshmëri me partnerin qeveritar

Ideja për financim nga shteti dhe në përgjithësi themelimi i një akademie të dytë shtetërore të shkencave dhe arteve, paralelisht me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, vazhdon të mos hasë në mbështetje nga partnerët e tjerë në koalicionin qeveritar.

Kreu i partisë Alternativa, pjesë e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, për Portalb.mk konfirmoi se deri tash nuk kanë arritur pajtueshmëri me partnerin qeveritar për institucionalizimin e shoqatës.

“Janë dy gjëra: e para, kjo Akademi funksionon tashmë me projekte shkencore të mbështetura nga komunat shqiptare me të cilat udhëheq VLEN-i. Sa është ajo mbështetje, këtë e dinë drejtuesit e komunave dhe drejtuesit e Akademisë. Dhe e dyta, në aspekt të krijimit të kornizës ligjore deri tash nuk kemi arritur pajtueshmëri me partnerin qeveritar. Kemi diskutuar për modalitete, ne kemi ofruar propozime dhe zgjidhje, por deri tash nuk kemi dakordim konkret. Këto diskutime do t’i vazhdojmë edhe në të ardhmen, ndërkohë që veprimtaria shkencore e saj nuk është e kushtëzuar nga këto vendime e diskutime”, tha kryetari i Alternativës, Ibrahimi.

Kujtojmë se në tetor, 2024, Ibrahimi foli për dy ide.

“Ose duhet ta ndryshojmë ligjin aktual për themelimin e ASHAM-it ose të miratojmë një ligj të ri për themelimin e një akademie për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe këtu do të parashihen mënyrat e funksionimit të asaj akademie“, tha Ibrahimi.

Por, VMRO-DMNE dhe ZNAM thanë se nuk është koha për ndarje.

“Ne kemi një Akademi të Shkencave dhe të Arteve, në kuadër të asaj akademie janë mbledhur mendimi shkencor dhe shkencëtarë nga përkatësi të ndryshme etnike”, tha kryeministri Hristijan Mickoski (28.07.2024).

ShAShShA ankohet edhe nga BDI-ja opozitare

Nga shoqata kujtuan edhe peripecitë gjatë periudhës kur BDI ishte në pushtet dhe mungesën e përkrahjes nga BDI. 

“BDI dhe kryetari i saj i Parlamentit mbajtën në tavolinë një vit elaboratin e Shoqatës Akademike të Shqiptarëve për Shkencë dhe Art për themelimin e Akademisë si institucion publik me autorizime për hulumtime shkencore me seli në Shkup, e ritheksojmë, me seli në Shkup. Elaborati kishte 221 faqe, të përkrahur me nënshkrimet e 100 profesorëve dhe punëtorëve shkencorë universitarë; me arsyetim shkencor, kadrovik, kushtetueso-ligjor, infrastrukturor, etj. Më e keqja është se nuk na pranuan në bisedë që të na dëgjonin. Qeveria, në pyetje të deputetit, na dha një përgjigje, ashtu si të thuash, sot – nesër dhe “nuk e kemi marrë kërkesën por e kemi gjetur në Ministrinë e Arsimit dhe ata nuk na kanë dhënë përgjigje”; duke vënë në lojë jo të ndershme ministrin dhe zëvendësministrin shqiptar të arsimit. Tani e kuptojmë se pse BDI dy mandate kishte dhe ministrin edhe zëvendësministrin në krye të ministrisë. Njeriu i saj i parë, që këndonte e luante futboll në Qeveri (ai e udhëhiqte BDI), non grata i ikur, na dërgoi selam se ne nuk jemi të tyre por “jeni me Bilalin”. Asnjëherë nuk morëm një përgjigje. Por, kur VLEN doli me përkrahje të fuqishme, atëherë, BDi e sulmoi Akademinë si “Projekt mëhalle, në provincë” duke harruar se aty e ka e ka selinë e vet. Pra, kështu fyhet Tetova, Gostivari, Pollogu, ku shpesh  ata dalin  me nga 2 deputetë  nga Kërçova dhe 2  nga Struga”, thanë nga shoqata e akademikëve. 

Nga BDI për idenë e themelimit të një Akademie shqiptare ishin shprehur të mendimit se në vendin tonë duhet të ketë një akademi, në të cilën do të ketë përfaqësim të drejtë. 

“Në vend që të krijojmë krijime të improvizuara politike paralele, të financuara nga komunat, qëllimi ynë është që Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë së Veriut të jetë një institucion në të cilin shqiptarët do të kenë përfaqësim real dhe të drejtë. I financuar nga shteti, pra nga fondet tatimore të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe shqiptarët, ky institucion duhet ta pasqyrojë natyrën multietnike të vendit dhe të punojë në interes të të gjithë qytetarëve të tij“, patën thënë nga BDI-ja muaj më parë.

Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art është themeluar me 29 dhjetor 2021 në Shkup nga një grup i profesorëve universitarë. Për momentin shoqatën e përbëjnë 14 persona: Hasan Jashari –  kryetar, Zeqir Kadriu – sekretar, Xheladin Murati, Avzi Mustafa, Tahir Zajazi, Nebi Dervishi, Florim Ajdini, Xhemaludin Idrizi, Nasir Selimi, Ardita Abduli, Suzana Aliu, Mersim Maksuti, Abdulla Aliu dhe Zeqirja Rexhepi.