Labinot Gashi me mesazh prekës për ndarjen nga jeta të dizajnerit Festim Isufi: Ai ishte më shumë se një bashkëpunëtor
Bota e modës dhe dizajnit kosovar është tronditur nga lajmi tragjik i ndarjes nga jeta të dizajnerit të njohur Festim Isufi. Lajmi është pritur me trishtim të thellë nga kolegë, miq dhe bashkëpunëtorë të tij, mes të cilëve edhe moderatori i njohur Labinot Gashi, i cili ka reaguar me një mesazh prekës në rrjetet sociale. […]

Bota e modës dhe dizajnit kosovar është tronditur nga lajmi tragjik i ndarjes nga jeta të dizajnerit të njohur Festim Isufi.
Lajmi është pritur me trishtim të thellë nga kolegë, miq dhe bashkëpunëtorë të tij, mes të cilëve edhe moderatori i njohur Labinot Gashi, i cili ka reaguar me një mesazh prekës në rrjetet sociale.
“Me trishtim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Festim Isufit. Ai ishte më shumë se një bashkëpunëtor, ishte një njeri jashtëzakonshëm, i përkushtuar, i sinqertë dhe gjithmonë gatshëm të ndihmonte me zemër të hapur. Kontributi i tij profesional dhe njerëzor do të mbetet i paharruar për të gjithë ne që patëm fatin ta njohim e të punojmë me të. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që ndihen të prekur nga kjo humbje e madhe. U prehtë në paqe”, shkroi Gashi në rrjetet sociale.
Festim Isufi ishte një emër i njohur në skenën kreative të Kosovës, me një karrierë të ndërtuar përmes punës së palodhur dhe përkushtimit në dizajn, modë dhe identitet vizual. Vepra dhe stili i tij u vlerësuan jo vetëm për estetikën, por edhe për ndjeshmërinë dhe përkushtimin që ai kishte ndaj çdo projekti që ndërmerrte.
Sipas informatave të konfirmuara nga autoritetet, Isufi humbi jetën të premten si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i ftohtë. Në të njëjtin incident ka mbetur e lënduar edhe partnerja e tij, Rina, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Deri tani, detaje të tjera rreth ngjarjes nuk janë bërë të ditura.
Humbja e tij ka lënë boshllëk të madh në mesin e komunitetit artistik dhe kulturor në Kosovë. Kujtimi për Festim Isufin do të mbetet i gjallë përmes punës së tij dhe kujtimeve të bukura që ai ka lënë pas te secili që e njohu.