Akciza e ulët për derivatet e naftës vazhdon deri më 4 maj

Duke shqyrtuar gjendjen aktuale ekonomike dhe ndikimin e çmimeve globale në tregun vendor, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme ka vendosur vazhdimin e masës për uljen e akcizave të derivateve të naftës, me afat deri më 4 maj. Sipas vendimit të ri, mbetet në fuqi ulja e akcizës së dizelit me 4 […]

Prill 18, 2026 - 19:00
Akciza e ulët për derivatet e naftës vazhdon deri më 4 maj

Duke shqyrtuar gjendjen aktuale ekonomike dhe ndikimin e çmimeve globale në tregun vendor, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme ka vendosur vazhdimin e masës për uljen e akcizave të derivateve të naftës, me afat deri më 4 maj.

Sipas vendimit të ri, mbetet në fuqi ulja e akcizës së dizelit me 4 denarë për litër, si dhe ulja e akcizës për benzinën 95 dhe 98 oktan në vlerë prej 2 denarësh për litër.

Njëkohësisht, vazhdon edhe mekanizmi i dakorduar me kompanitë e naftës, i cili siguron ulje shtesë prej 3 denarësh për litër për naftën dhe 2 denarësh për litër për benzinat.

Në funksion të stabilizimit të tregut dhe lëvizjeve aktuale të çmimeve, Qeveria ka miratuar edhe ndryshime në vendimin për normën preferenciale të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Sipas këtij ndryshimi, norma prej 10% do të vazhdojë të aplikohet vetëm për benzinat, ndërsa për produktet e tjera rikthehet norma e rregullt prej 18%.

Këto masa, sipas autoriteteve, synojnë të ruajnë stabilitetin e çmimeve dhe të lehtësojnë barrën për qytetarët në një periudhë me luhatje të tregjeve globale të energjisë.(INA)