Aktivistët në RMV kërkojnë që qeveria të kufizojë importin e automjeteve më të vjetra se 10 vjet
Kërkesë për ndalimin e importit të automjeteve më të vjetra se 10 vjet dhe nën standardin EURO 5 nga 1 janari i vitit të ardhshëm, kanë dorëzuar sot në Qeveri 10 shoqata dhe iniciativa qytetare. Në letër, siç thanë përfaqësuesit e “Iniciativa O2” nga deklarata e sotme para Qeverisë, kërkohet edhe që importi i automjeteve […]
Kërkesë për ndalimin e importit të automjeteve më të vjetra se 10 vjet dhe nën standardin EURO 5 nga 1 janari i vitit të ardhshëm, kanë dorëzuar sot në Qeveri 10 shoqata dhe iniciativa qytetare. Në letër, siç thanë përfaqësuesit e “Iniciativa O2” nga deklarata e sotme para Qeverisë, kërkohet edhe që importi i automjeteve të reja të plotësojë standardin minimal EURO 6, transmeton Portalb.mk.
Kërkesat, sipas “Iniciativës O2” , synojnë uljen e ndotjes së lartë dhe të rrezikshme për jetën në vend, e cila është shkaktar i një sërë sëmundjesh dhe vdekjesh në popullatë.
“Kjo kërkohet veçanërisht në funksion të taksave më të ulëta të paralajmëruara për emetimet e dioksidit të karbonit dhe uljes së tatimit mbi vlerën e shtuar për importin e makinave nga viti 2025”, thuhet në kërkesë.
Në shpjegimin e tyre thuhet se automjetet lëshojnë më shumë se 200 përbërje kimike toksike, të cilat makinat e vjetra i lëshojnë në një masë më të madhe.
“Këto automjete, veçanërisht ato me kilometrazh më të lartë, përveç rritjes së emetimeve të grimcave PM, të cilat aktivizojnë rrugët pro-inflamatore dhe kancerogjene në trup dhe emetimet e tjera të gazrave të dëmshëm, kanë rritje të emetimeve të hidrokarbureve shumë toksike, duke përfshirë benzenin, toluenin, etilbenzenin, ksilenet, benzo(a)piren. Këto janë substanca gjenotoksike, kancerogjene dhe mutagjene, shumë të rrezikshme për shëndetin e njeriut, veçanërisht të fëmijëve”, theksohet në kërkesën drejtuar Qeverisë.
Sipas Eli Peshevës, kjo nuk do të thotë se nuk mendojnë për mirëqenien e qytetarëve dhe se po ua privojnë atyre mjetin e vetëm të transportit në këtë qytet.
“Gjithashtu kërkojmë nga autoritetet, veçanërisht nga Qeveria, edhe pse e dimë se jo çdo gjë është nën juridiksionin e Qeverisë, por ka juridiksione të përbashkëta me komunat dhe institucionet tjera, që të gjejnë një mënyrë për të rregulluar transportin publik”, tha Pesheva duke shtuar se vendet përreth operojnë në bazë të transportit publik me autobusë elektrikë jo ndotës.
Ajo theksoi se nuk i ndajnë as taksitë – transportuesit, askush të mos jetë i privilegjuar në temën e ndotjes.
Pesheva tha se kjo është vetëm një pjesë e problemit.
“Ne absolutisht besojmë se ministria kompetente, qeveria në përgjithësi dhe komunat duhet t’i trajtojnë të gjitha këto çështje urgjente pikë për pikë. Kemi paraqitur kërkesa dhe kemi ofruar zgjidhje disa herë deri më tani, si iniciativë O2, por edhe në koalicion me shoqatat e tjera qytetare që punojnë për këtë çështje. Pra, nuk ka asnjë justifikim se nuk dinë nga të fillojnë apo se nuk ka mënyrë se si të fillojnë”, ka shtuar Pesheva.
Sipas Tatjana Stojanovska, duhet të ketë kontroll mbi atë që importohet.
“Ne respektojmë absolutisht që Qeveria me këtë masë dëshiron të ofrojë përfitime ekonomike për qytetarët duke mundësuar importin e automjeteve më të lira. Por duhet të kemi kontroll mbi atë që importohet, sepse ndotja e ajrit është një problem shumë i madh në vendin tonë dhe funksionon në të gjitha segmentet. Ky është një nga segmentet që ndikon drejtpërdrejt në ndotjen e ajrit”, tha Stojanovska.
Kujtojmë se sipas raportit të UNICEF-it, në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare.
Edhe Instituti i Shëndetit Publik që në fillim të vitit 2024 e publikoi raportin “Ndotja e ajrit në Republikën e Maqedonisë dhe rreziqet ndaj shëndetit”, sipas të cilit pothuajse 18 përqind e mortalitetit të përgjithshëm në Maqedoninë e Veriut mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM-2.5.