Tjetër propozim Ligj në Kuvendin e RMV-së që prekë ndjenjat e shqiptarëve

Nxënësit e shkollave të mesme në Republikën e Maqedonisë së Veriut obligohen që ta intonojnë himnin e shtetit, sipas propozim ligjit të cilin Ministria e Arsimit e ka dërguar në Kuvend. Në të njëjtin ligj propozohet edhe shkrimi i orëve të mësimit në të dy gjuhët shqip dhe maqedonisht, raporton Portalb.mk. Propozim-ligji i ri për […]

dhjetor 13, 2024 - 18:00
 0  5
Tjetër propozim Ligj në Kuvendin e RMV-së që prekë ndjenjat e shqiptarëve
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Nxënësit e shkollave të mesme në Republikën e Maqedonisë së Veriut obligohen që ta intonojnë himnin e shtetit, sipas propozim ligjit të cilin Ministria e Arsimit e ka dërguar në Kuvend. Në të njëjtin ligj propozohet edhe shkrimi i orëve të mësimit në të dy gjuhët shqip dhe maqedonisht, raporton Portalb.mk.

Propozim-ligji i ri për Arsim të Mesëm, që kaloi në lexim të parë në Komisionin parlamentar Juridiko Ligjvënës, në paragrafin e tretë të nenit 54 parashikon që gjatë shënimit të patronatit, fillimit dhe përfundimit të vitit shkollor në shkollat e mesme të intonohet himni i shtetit, sipas vendimit të themeluesit. 

Neni 54 i propozim ligjit për Arsimin e Mesëm në RMV
Neni 54 i propozim ligjit për Arsimin e Mesëm në RMV

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, kuadër i VMRO-DPMNE-së, Vesna Janevska duke e thirrur në propozim ligjin në fjalë, tha se të gjithë që jetojnë dhe veprojnë në këtë shtet duhet t’i respektojnë simbolet kombëtare të këtij shteti.

“Ne si përfaqësues të një shteti jemi krenarë me simbolet tona kombëtare me himnin, flamurin dhe stemën. Të gjithë që e ndjejnë këtë shtet si të vetin dhe të gjithë që kanë synime të punojnë për ardhmërinë e këtij shteti duhet t’i respektojnë simbolet e shtetit”, tha Vesna Janevska.

Kundër këtij ligji në Komisionin Parlamentar për Arsim ka reaguar deputetja e BDI-së Rina Ajdari. Ajo për Portalb.mk sqaroi se si do të veprojnë më tej ndaj këtij ligji.

“E vetmja mënyrë është që ta prolongojmë afatin e sjelljes së këtij ligji është përmes amandamenteve. Për shembull të sjellim 10 mijë amandamente dhe të blejmë kohë. Ministrja ishte shumë e interesuar që ta kalojë këtë ligj me shpejtësinë e dritës. Këta ligje për arsim votohen me Badenter edhe nëse arrin në lexim të tretë kur do të votohen në seancë plenare, nuk e kanë shumicën. Do të jenë të kushtëzuar me votën tonë, ne do të votojmë kundër dhe ligji nuk kalon”, tha Ajdari.

Elmi Aziri, deputeti i Aleancës së Ziadin Selës, pjesë e Frontit Europian, vlerëson se propozim ligji për shkollat e mesme, ku kërkohet intonimi i himnit të shtetit në fillim dhe mbarim të vitit shkollor dhe në manifestime tjera e shofim të panevojshëm dhe pjesë e tendencës për imponimin e nacionalizmit agresiv që veçmë ka fllluar nëpër institucione që nga ardhja e Qeverisë së re!

“Duke marrë parasysh se teksti i himnit nuk shpreh realitetin multietnik të vendit, dhe si i tillë, më shumë është etnik se shtetëror, kam bindjen se ky propozim edhe më shumë do të ndikojë në ndasi se sa në përafrim! Aq më tepër që do të kemi ndarje mes komunave që do ta përdorin dhe atyre që nuk do ta përdorin!”, tha për Portalb Aziri.

Nga ana tjetër, koordinatori i grupit parlamentar të Koalicionit VLEN të cilët janë pjesë e koalicionit qeverisës, Halil Snopçe për Portalb.mk ka deklaruar se nuk pajtohen me këtë ligj.

“Është e vërtetë se ka një propozim ligj nga MASH, ku parashihet intonimi i himnit shtetëror në fillim dhe fund të vitit shkollor. Megjithatë, paragrafi i Nenit nuk është obligativ, për shkak se për atë merr vendim themeluesi. Themelues të shkollave janë vetëqeverisjet lokale, pra do të merr vendim komuna. Ne si deputetë të VLEN nuk pajtohemi me këtë dhe do të shtojmë amandament për heqjen e paragrafit të Nenit përkatës, që mos të figuron aspak në Ligj”, tha Snopçe.

Nga qendra për media e VLEN ia kujtuan BDI-së qeverisjen dykadëshe dhe hapësirën e tyre për ta ndryshuar himnin e shtetit.

“Bëhet fjalë për intonimin e himnit shtetëror. Fakti që BDI-ja, pas 20 vitesh në pushtet, nuk ka arritur ta ndryshojë himnin për ta pasqyruar realitetin, është përgjegjësi e tyre, një fakt për të cilin nuk kanë të drejtë që tani të luajnë rolin e naivit. Për komunat ku populli shqiptar është dominant dhe në ato shkolla ku ka nxënës shqiptarë, po ndërtojmë modalitete të përshtatshme për ruajtjen e ndjenjave kombëtare dhe përkatësisë etnike”, deklaroi për Portalb.mk Driton Sulejmani, zëdhënës i koalicionit VLEN.

Tema për intonimin e himnit në shkollat e mesme, në fillim dhe mbarim të vitit akademik është tema e radhës ku partitë politike do të matin forcat politike. Edhe pse në fund të dy koalicionet janë të mendimit se ligji ashtu siç është propozuar nuk do të kalojë.

Kujtojmë që nismë për intonimin e humnit shtetëror nëpër shkolla pati vjeshtën e vitit 2023, ku disa komuna të Shkupot të cilat drejtohen nga kryetarët e VMRO-DPMNE-së e cila ishte në opozitë aso kohe. Ky veprim u cilësua si veprim provokativ dhe me tendencë për nxitjen e raporteve mes bashkësive etnike. Ndërkaq në korrik të vitit 2024 Këshilli Komunal i Velesit vendosi që në vitin e ri shkollor 2024/25, çdo të hënë në turnin e parë dhe të dytë do të këndohet himni kombëtar i Maqedonisë së Veriut në fillim të mësimit në shkollat fillore.